Federatat sportive në Kosovë vazhdojnë të përfitojnë nga Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Por prej këtij ligji dukshëm më tepër janë duke përfituar klubet sportive.
Sipas raportit zyrtar për vitin 2022, të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka prezantuar të martën për KOHËN, gjatë vitit të kaluar për sport nga Ligji për Sponsorizime kanë shkuar nëntë milionë e 118 mijë euro.
Shifra është rritur për rreth dy milionë në krahasim me vitin 2021. Ndërkohë në vitin 2020, kur për herë të parë u zbatua ligji, sporti kishte përfituar rreth tre milionë euro. Pra rritja është e madhe, ndërkohë që dyshimet se jo të gjitha mjetet shkojnë në vendin e duhur, sa shkojnë e rriten.
Në vitin 2022, ndonëse në mospajtim të vazhdueshëm me MKRS-në lidhur me licencimin, më së shumti prej federatave nga Ligji për Sponsorizime kishte përfituar FFK-ja. Vetëm nga marrëveshja me “Ventius International”, FFK-ja ka përfituar plot 450 mijë euro. Vërtetimi për atë marrëveshje është lëshuar më 16 shkurt të vitit të kaluar.
FFK-ja përfitoi 70 mijë euro nga një marrëveshje tjetër, e 30 mijë nga një tjetër. Pra gjithsej 550 mijë euro.
Në bazë të raportit zyrtar, Federata e Basketbollit ka përfituar dukshëm më pak se në vitin paraprak. Në vitin 2021, FBK-ja kishte lidhur pesë marrëveshje që kapnin shifrën e 495 mijë eurove. Në vitin 2022, FBK-ja ka lidhur një marrëveshje për 150 mijë euro, një tjetër për 11 mijë euro dhe një për 2000 euro.
Federata e Autosporteve ka përfituar 120 mijë nga një marrëveshje, 17 mijë nga një tjetër dhe 1500 nga marrëveshja e tretë.
Federata e Hendbollit, sipas të dhënave zyrtare, ka lidhur katër marrëveshje gjatë vitit 2022. Dy marrëveshje janë të evidentuara me kompaninë e njëjtë, një 50 mijë euro e një 40 mijë euro. Një tjetër është 20 mijë euro e një 10 mijë euro.
Federata e Xhudos i ka dy marrëveshje të evidentuara, një për 60 mijë euro e një për 30 mijë euro.
Federata e Volejbollit ka tri marrëveshje me shifër prej 8000 eurosh, 10 mijë e 5000 euro.
Nga 10 mijë euro i përfituan Federata e Tenisit dhe Federata e Sportit Universitar.
Më mirë është ndarë Federata Skitare, që, sipas të dhënave zyrtare, kishte katër marrëveshje vitin e kaluar prej: 30 mijë, 20 mijë, 8000 e 5000 eurosh.
Për përfitim prej 7500 eurosh kishte marrëveshje Federata e Mundjes, ndërsa Federata e Triatlonit nga dy marrëveshje përfitoi mbi 3000 euro.
Ndërkohë Komiteti Olimpik i Kosovës ka përfituar 220 mijë euro nga dy marrëveshje. Njëra është për 200 mijë.
Komisioni për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për lëshimin e vërtetimit për sponsorime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit jep vërtetimin në bazë të të cilit realizohet marrëveshja. Në vitin 2020 ishin lëshuar 227 vërtetime. Në vitin 2021 u lëshuan 512 vërtetime e në vitin 2022 mbi 700.
Ligj për Sponsorizime vlerësohet shumë i favorshëm. Rregullon përkrahjen dhe mbështetjen financiare e materiale të aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive përmes sponsorimeve dhe reklamave. Sponsoruesve për sponsorime në aktivitetet e sportit u njihet zbritja 30 për qind nga tatimi në fitim.
ATK-ja dhe organet kompetente mbikëqyrin dhënien, pranimin dhe shfrytëzimin e sponsorimit dhe reklamimit për zbritjet e lejuara sipas ligjit. Por mbikëqyrja vlerësohet se nuk është e duhura. Në listë ka plot shifra të dyshimta.
Federatat përfitojnë edhe nga buxheti që ndan shteti për to, por kanë edhe burime të tjera. Ndërkohë, klubet përfitojnë edhe nga federatat e po ashtu edhe nga komunat, ndonëse fare pak. Tani burimin kryesor e kanë këtë ligj.
Përkrahja për sportin vlerësohet të jetë e kënaqshme, por ka shumë dyshime nëse mjetet shkojnë te sportisti, sidomos ai kosovar.
© KOHA
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66