MA MERR FRYMËN
Keqas ma merr frymën dita e gjatë
Që nis s’di se kur, e kurrë s’ka të mbaruar
Adhuroj rrugëtimin nga nata në natë
Me dashuritë e shpirtit në gji përqafuar.
Ma merr frymën agu shurdhmemec
U bë ditë që përqark cicërima s’dëgjohen
Çukisin sqeplodhur xhamin përtej perdesh
Pendueshëm që më zgjuan, nisin e largohen.
Frymën ma merr, fryma ime!
E avullt del mes buzësh sikur të ishte dhjetor
Tavolina e ngrënies, më ngjan me reliket
Një lëmsh i stërmadh, m’bën vend në krahëror.
Frymën ma merr dhe tik-taku i orës
Që s’di të pushojë si mulli me erë
Ora me zinxhir, m’vret keqas ashtën e dorës
Dërrasa e krahërorit më djeg e më ther.
Bëj të marrë frymë, po fryma qenka lodhur
S’kuptoj në e marrë…
Apo më merr…
Lola SHEHI
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66