Projektet infrastrukturore në pjesën e Maqedonisë e Veriut që duhet të ndërlidhin vendin me Shqipërinë dhe Kosovën po zhvillohen me një dinamikë shumë të ulët.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se po punohet vazhdimisht në realizimin e këtyre projekteve, por nuk ka saktësuar afate kohore se kur mund të pritet finalizimi i tyre.
I pyetur për autostradën me Shqipërinë, Kovaçevski tha se është një projekt afatgjatë dhe se problemi me këtë është historik. Sipas tij, sistemet e mëhershme politike, qëllimisht kanë krijuar infrastrukturë që ndajnë dy shtetet dhe jo që ndërlidhin ato. Ai tha se pikërisht për këto arsye, 30 vite nuk është bërë autostrada me Shqipërinë, por këtë vit do të fillojë ndërtimi.
“Ne tani momentalisht me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve dhe kolegun e tij nga Shqipëria, punojmë në zhvendosjen e vendkalimit të tërë kufitar me Shqipërinë, sepse ai aktual është vendosur në lartësi mbidetare 780 metra. Ashtu janë bërë qëllimisht. Tani bëjmë infrastrukturë që të na lidh me Shqipërinë dhe Bullgarinë, sepse atëherë kanë bërë infrastrukturë që të na ndajnë dhe jo të na ndërlidhin dhe ajo i takon brezit tonë që ta bëjnë, sepse 30 vite askush nuk dëshironte të bënte autostradë deri në Shqipëri. Këtë vit do të fillojnë punimet për autostradën me Shqipërinë” – tha Dimitar Kovaçevski.
Sa i përket autostradës Shkup – Bllacë, ku me vite po zgjatë ndërtimi i dy kilometrave të para, ai tha se pjesa e parë është në fazën finale, ndërsa pjesa e dytë është në fazën e projektimit.
“Sa po të përfundojë projektimi, atëherë do të hapet tender për zgjedhjen e kontraktuesit, këtë vit do të shpallet tenderi. Bëhet fjalë për pjesë me të vërtetë të komplikuar dhe më të vështirë për ndërtim, megjithatë ne jemi të përkushtuar që ta bëjmë edhe atë” – – tha Dimitar Kovaçevski.
Shqipëria ka përfunduar pjesën e vet të autostradës me Maqedoninë e Veriut në vitin 2021, ndërsa Kosova në vitin 2019. Përpos afrimit të qytetarëve, këto projekte janë të rëndësishme edhe për zhvillimin ekonomik dhe turizmit. /KlanMacedonia/
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66