Nga një kontekstualizim i ri, mund të përsëritet Rambujeja, por në mënyrë të anasjelltë. Përderisa planin ndërkombëtar atëherë e refuzoi Millosheviqi, edhe pse ishte jo shumë i pranueshëm për Kosovën, ai ishte uvertyrë e një katastrofe për Serbinë. Tash planin mund ta pranojë Serbia, duke u frikësuar nga sanksionet, e ta refuzojë Kosova, që do të ishte një guxim i madh i Albinit, me shumë të panjohura pastaj
Daut DAUTI
Serbia s’nënshtrohet, e as e jep Kosovën, ama s’ka si ta refuzojë planin evropian, i cili, është në dobi të Kosovës! Kështu iu tha qytetarëve të vet presidenti serb, Alakesnadar Vuçiq, në fjalët e tij të së hënës të përshkuara me shumë vetëbesim për ta mbrojtur kauzën, si dhe me emocione(të përjetuara ose aktruara), ironi dhe arrogancë ndaj të gjithëve që janë kundër tij. Qëndroi para gazetarëve, i ulur në një tavolinë, ndryshe nga Rama që mesazhet e tij i të shpeshtën i thotë në këmbë. Çështje stili. Nga ana tjetër, Albin Kurti thotë se Serbia e ka refuzuar planin evropian, por nuk thotë nëse ai vetë e pranon, pos me një deklaratë taktike si për emisarët ndërkombëtarë që i vijnë shpesh dhe i pranon pa ndonjë vullnet, si për publikun e vendit, se “është bazë e mirë për bisedime”! Deri tash nuk ka dhënë asnjë shenjë se ka ndryshuar në qëndrimin kundër asociacionit komunave me shumicë serbe, që është baza e pranimit ose refuzimit. Bile të enjten tha se kushtetuta nuk lejojka organizime të tilla në baza etnike. Analiza logjike na sjell në përfundime se ka diçka kundërthënëse mes fjalëve dhe veprimeve të pritura nga të dy krerët.
Nëse nxjerrim konkluzionin me matematikë ku një e një bëjnë dy, del se Vuçiqi, i cili thotë se plani është në dobi të Kosovës, në fund s’do të ketë tjetër rrugë pos për ta pranuar, ndërkaq Kurti që mendon se është bazë e mirë për bisedime në fund do ta refuzojë për shkak se nuk ka ndryshuar qëndrim rreth asociacionit!
Mund të thuhet se Vuçiqi me paraqitjen e fundit ishte shumë i hapur me publikun serb, ndryshe nga gjëegjëzat e Kurtit me publikun kosovar. Këtu është ajo që i dallon për momentin. Presidenti serb sikur po e përgatit publikun e vet për “vendimin e rëndë” që do të marrë ai, qeveria dhe parlamenti, duke ia treguar pasojat nëse do të vepronte kundër, duke i dhënë një farë shprese popullit të tij se deri në fund do të luftojë (jo me luftë, por në tavolinë) që të mbrojë Serbinë dhe Kosovën. Dhe i thotë, shumë qartë, për gjithë ata që kuptojnë, se në fund të rrugës do t’ua thotë fjalën kyçe: unë luftova sa munda, por kaq munda, sepse Perëndimi më vendosi para aktit të kryer. Ai bëri një aluzion me Millosheviqin kur i kanë thënë se do të të bombardojnë, por ai nuk e ka besuar këtë. Vuçiqi është i bindur se nëse nuk e pranon planin evropian, dhe këtë ia kanë thënë haptas në dy fjalitë e para emisarët kur ishin në Beograd, se do të ballafaqohet me sanksione(bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masa gjithëpërfshirëse, politike dhe ekonomike. Sipas tij “plani de fakto u shndërrua si kornizë e re e bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunojmë për këtë”. Këtyre sanksioneve do t’u ikë Vuçiqi, nuk do të humbë as investimet e huaja, e as të rrezikojë të këtë trazira sociale nëse i mbeten qytetarët pa punë. Nuk dëshiron të jetë Millosheviq i dytë. Tha se edhe në Rusi pati investime e kompani të huaja, të cilat u tërhoqën për 24 orë kur iu vendosën sanksione… Me fjalë tjera, Vuçiqi serbëve u dha një varg argumentesh pse planin nuk mund ta refuzojë.
Çka bën Albini?Publiku i Kosovës, ndoshta do të donte pak më shumë zemërhapësi nga kryeministri i saj. Tash – kur statutin e asociacionit veçmë e kanë shkruar gjermanët(Fondacioni FridrihEbert) dhe pritet të shpallet të hënën, kur kjo Vuçiqin e nxjerr nga lëkura, sepse thotë se nga 22 parime, nuk vlejnë për shkak të “një farë” gjykate kosovare(Kushtetuese) e analistët kosovarë e quajnë një lloj njësie administrative si Tiroli Jugor në Austri), – është momenti të thotë edhe Albini cilat janë pasojat për Kosovën nëse e pranon, e cilat nëse e refuzon.
Nuk pajtohem me shumëkënd që kërkojnë transparencë absolute në një proces që kryhet prapa dyerve të mbyllura, pa pasur një epilog. Dhe as mendoj se është zgjidhje e mirë ajo që e pat thënë Eskobari se asociacioni do të bëhet me Kurtin ose pa të. Përgjegjësinë e pranimit ose refuzimit, me gjitha pasojat edhe për Kosovën, duhet ta marrë pikërisht Kurti. Do të ishte e pandershme që në një moment “ngushtaku”, siç mund të ndodhë, ai të çohet nga tavolina dhe të thotë unë nuk mundem as kështu, as ashtu, le të vazhdojë kush të dojë! Kjo realisht është dalja më e lehtë nga situata. Ai faqebardhë, e Kosova në batak! Nëse i ka 51 për qind përkrahje, ai e ka edhe mandatin që të refuzojë duke u ofruar votuesve pikërisht atë rezultat që prej tij kanë pritur. Nëse ai vendim del se është më i keq se pranimi i një farë asociacioni, s’ka gjë, do të fitojnë atë rezultat për të cilin vetë kanë dhënë votën. Kurse ndërkombëtarët, kuptohet, do të duhej të dinin se këso vendimesh të mëdha nuk mund t’i realizojnë me shoqata qeveritare e biznesmenë e aq më pak me opozitarë që në këtë çast nuk duan të përzihen fare në këtë punë, nga frika për të mos i shpallur fajtorë “edhe për një tradhti”. Komunikimi qeveri-opozitë edhe ashtu është ngrirë, sepse vetë opozita nuk dëshiron t’i përzihet kryeministrit. Memli luan paksa rolin e radikalit, pak edhe për të ironizuar fjalët e deritashme të Kurtit, se nuk duhet të pranohet plan që nuk e ka njohjen në qendër. Ndërsa dihet se plani franko-gjerman parasheh një njohje pa njohje! Në këtë situatë të turbull, edhe Kosova, edhe ndërkombëtarët, duhet të impenjohen pak më shumë që asociacioni të mos jetë një kancer që do t’ia bllokonte të gjitha “organet” vitale shtetit të Kosovës.
Por, a është keqkuptim e gjithë kjo, kur ndërmjetësi Lajçak thotë: “Befasohem që njerëzit frikësohen nga diçka që, nën një nuk ekziston, dhe e dyta që ju vetë do ta formësoni, nuk do të imponohet”. Këto fjalë unë ikuptoj kështu: nën një, se nuk ekziston një asociacion çfarë është paraqitur para publikut kosovar si gogol(aq më tepër duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese) dhe e dyta, formësimi asociacionit është në duart e vetë kosovarëve. Domethënë, mund ta bëjnë të tillë çfarë duan vetë ata, por pa e bërë, nuk ka çare.
Një finesë interesante nga fjalimi i Vuçiqit është kur ai më shumë i lëvdoi amerikanët se sa evropianët! Çudi! Kjo sikur tash janë ndarë anët: Kurti është më afër Evropës sesa Amerikës dhe për here të parë, edhe pse ata dinë të të lënë në baltë, ndërkaq presidenti serb më shumë ua bën me sy amerikanëve (si do të thoshte dikur GjorgeIvanovi) sesa evropianëve, që po ia imponojnë këtë plan “të papërshtatashëm” ku nga 22 parime për krijimin e asociacionit, 21 nuk janë përfillur prej tyre!
Nga një kontekstualizim i ri, mund të përsëritet Rambujeja, por në mënyrë të anasjelltë. Përderisa planin ndërkombëtar e refuzoi Millosheviqi, edhe pse nuk ishte aq i pranueshëm edhe për Kosovën, ai ishte uvertyrë e një katastrofe për Serbinë. Tash planin mund ta pranojë Serbia, duke u frikësuar nga sanksionet, e ta refuzojë Kosova, që do të ishte një guxim i madh i Albinit, me shumë të panjohura pastaj. Në popull thonë “kujt t’i mbetet jadeci, e pastë përhajr?!”
Ah, kjo Evropa që aq shumë e duam, e që aq shumë po na e vështirëson ecjen drejt saj. Megjithatë, Maqedonia situatën e ka më të qartë. Ajo që duhet të bëjë, për të hapur portën e tunelit ku jemi, është një ndryshim “i vogël”, të cilin disa parti e bëjnë shumë të madh. Si po afrohet pranvera e vendimeve të mëdha, gjithnjë e më shumë po bëhet ndasia në grupin pro-BE dhe tjetrin. Dikush do të thotë s kjo ndasi nuk ekziston, sepse përjashtuar një parti parlamentare, Të Majtën, të gjithë janë për BE, por në publik dhe në fjalorin politik, gjithnjë e më shumë i mëshohet këtij teli.
Duket se dilemat “me rusët a me amerikanët” (aluzion nga paslufta e dytë botërore për shumë vende), do të jetë kyçi i zgjedhjeve të ardhshme që pritet të jenë në pranverën e 2024-tës. Një front parazgjedhor, ka gjasë të krijohet pikërisht mbi këtë bazë, Fronti për Evropë, që po e paralajmëron edhe lideri i BDI-së, si një formulë pragmatike unifikimi rreth një ideje e një qëllimi. Në këtë mënyrë, do t’i jepte peshë edhe votës, sepse partitë që do ta formonin mund të mos humbnin shumë vota për shkak të modelit zgjedhor, ndërsa në anën tjetër, të jemi të sinqertë, partitë që do të mbeteshin në anën tjetër, do të ishin paksa të distancuara nga ideja e BE-së, imazh ky që do t’u mbetej me mosvotimin e ndryshimeve kushtetuese.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66