e Diel 27.10. 2013 (dhjetë vite më parë), intervistë e botuar në Revistën Tregu Shqiptar
A mund të na jepni një letërnjoftim të Organizatës Shëndetësore “SARA DENT”?
Fadil Memeti: – Organizata Shëndetësore “SARA DENT” është themeluar në vitin 1992. Në të njëjtën
kohë u kthyem nga studimet 7 -8 mjekë stomatologë dhe për arsye se nuk mundëm të futeshim në
sistemin shëndetësor, hapëm ordinancat tona private, ku nisëm të aplikojmë teknologjinë më bashkëkohore.
Ne u pritëm mirë si një strukturë e re stomatologësh, punuam mirë dhe arritëm edhe t’i zgjerojmë bizneset tona, duke punësuar edhe mjekë të tjerë. Fillimisht e kemi filluar punën me tre vetë, mjeku, asistenti dhe tekniku, por me shtimin e punës, është shtuar edhe personeli mjekësor i Organizatës Shëndetësore “SARA DENT”, që funksionon së bashku me laboratorin teknik.
Në Organizatën Shëndetësore “SARA DENT” a mund të kenë qasje edhe pacientët që kanë sigurim shëndetësor?
Fadil Memeti: – Në vitin 2005 na u krijua mundësia që stomatologët privatë, të krijojmë një
shoqatë dhe të kemi qasje dhe mundësi që të nënshkruajmë kontratë me Fondin e Sigurimeve
Shëndetësore, me qëllim që të kemi mundësi t’i trajtojmë pacientët tanë në këtë kuadër.
Personalisht pata fatin që të jem edhe në komisionin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për hartimin e ndryshimeve ligjore për privatizimin e stomatologjisë dhe isha nënshkruesi i parë nga qyteti
i Tetovës dhe promovuesi idesë se duhet edhe ne të punojmë me sigurim shëndetësor.
Ka vite që po aplikohet mjeku – amë në mjeksinë e përgjithshme, a mund të aplikohet kjo teori edhe në kuadër të shëndetësisë orale?
Fadil Memeti: – Aktualisht jemi duke punuar për aplikim e idesë për zgjedhjen e mjekut stomatolog
–amë, sepse kështu pacienti do të përqendrohet vetëm te një mjek dhe mjekimi do të jetë shumë më
efikas.
Njerëzit po i kushtojnë vëmendje pamjes së tyre, ndjehet nevoja e mjekëve ortodentë. Në klinikën tuaj a ekziston ky shërbim?
Fadil Memeti: – Unë kam mbaruar specializimin për ortodent, duke e shtuar edhe këtë shërbim brenda
Organizatës Shëndetësore “SARA DENT ”. Edhe në këtë kuadër kemi kontratë me Fondin Shëndetësor,
që brenda muajit, 15 fëmijëve t’u kryejmë shërbime ortodontie, duke ju vënë proteza mobile ose
funksionale.
Organizata Shëndetësore “SARA DENT” disponon edhe laboratorin e saj?
Fadil Memeti: – Në “SARA DENT” funksionon edhe laboratory; tani me aplikimin e sistemit “Kat – Kam “
edhe ne ishim të detyruar që të futemi në teknologjinë bashkëkohore. Pas pjesmarrjes në Saemin
Ndërkombëtar IDS, që mbahet çdo dy vjet në Këln të Gjermanisë, e pamë se trendet e stomatologjisë janë
kryesisht në dixhitalizimin e imazhit tredimensional të dhëmbëve. Në këtë kuadër, edhe ne, në bashkëpunim me kompaninë kanadeze “ Dental Wiks”, prej të cilës morrëm skanerin, softuerin dhe makinat për “cat – cam sistem “.
Çfarë risije tjetër mund të numëroni në vargun e trendeve që iu ofroni pacientëve?
Fadil Memeti: – Kohët e fundit ne po bëjmë shumë punime me zirkon, që janë të rangut botëror. Kërkesa të shumta për këtë shërbim kemi sidomos nga pacientët tanë që punojnë në perëndim, në Zvicër, në Gjermani, në Suedi, por edhe pacientë të huaj, italianë apo gjermanë, që vijnë këtu, sepse marrin shërbim cilësor me një kosto shumë më të lirë se në vendet nga vijnë.
Sa të punësuar janë aktualisht në Organizatën Shëndetësore “SARA DENT”?
Fadil Memeti: – Momentalisht ne si klinikë, bashkë me laboratorin, numërojmë 12 të punësuar, jemi 4
mjekë, 4 teknikë dhëmbësh, 3 asistentë, pastruesi.
Për shërbime të specializuara a bashkëpunoni me kolegët tuaj nga klinika të tjera?
Fadil Memeti: – Bashkëpunojmë me organizata stomatologjike të profileve të ndryshme, kështu, kur
kemi të bëjmë me kirurgjinë, me vendosjen e impianteve, i dërgojmë pacientët te kolegët tanë
specialistë të profileve përkatës, pastaj ne vazhdojmë punën tonë. Ky quhet trajnimi multidisiplinar i pacientëve, të cilët kanë së pari nevojë për një ndërhyrje kirurgjike dhe pastaj për ndërhyrjen tonë protekore ose ortodontike. Në fushën e ortodontisë unë jam në prag të përfundimit të magjistraturës, jam duke përgatitur temën, për të cilën kam pasur mundësi që të specializohem në Barcelonë, në
Institutin Botëror të Ortodontësisë, ku pata fatin të njihem me profesorin e famshëm Jose Duran Von Arx; ai iu përgjigj ftesës sonë dhe patëm nderin ta kemi mysafir në Kongresin e Stomatologëve Mbarëshqiptarë.
Në vitin 2013, në ç’nivel është kultura e shqiptarëve për shëndetin oral?
Fadil Memeti: – Ne që kemi një përvojë pune më se 20 vjet e ndjejmë ndryshimin. Shpesh ata drejtohen te ne për probleme ortodentike apo estetike për të krijuar një hark dental më të bukur dhe më komod. Vitet e fundit pacientët insistojnë që të bëjnë ndërhyrje bashkëkohore për zbardhjen e dhëmbëve, për mbushjen e dhëmbëve me mbushje estetike, për vendosjen e kurorave nga zirkoni, etj. .
Është shumë në trend zbardhja e dhëmbëve, çfarë lloj zbardhjesh rekomandoni ju?
Fadil Memeti: Zbardhja nënkupton aplikimin e një acidi, i cili depërton në smalt. Me norma ndërkombëtare deri në 35 % lejohet të përdoret acidi për zbardhjen e dhëmbëve, i cili nuk duhet të përdoret shpesh, por duhen respektuar afatet, që të përdoret një herë në 6 muaj apo në 1 vit. Ky është një proces i ndryshueshëm, sepse pas një viti dhëmbët rikthehen përsëri në gjendjen normale.
Së fundi po reklamohet me të madhe zbardhja e dhëmbëve me lazër, çfarë mund të na thoni për këtë?
Fadil Memeti:- Metoda e zbardhjes së dhëmbëve me lazer është një metodë e re, por është më e
kushtueshme. Në Maqedoni një zbardhje dhëmbësh me lazër kushton 200 euro, edhe kjo kohëzgjatjen e ka një vit.
Nëpër faqet e internetit na tërheqin vëmendjen receta të ndryshme për zbardhjen e dhëmbëve, por shumë më tepër të ze syri receta me sodë buke, cili është mendimi i specializuar lidhur me këtë?
Fadil Memeti: Unë kam pasur pacientë që e kanë përdorur sodën për zbardhje të dhëmbëve dhe kanë
arritur një lloj zbardhjeje, por te këta pacientë kemi vërejtur një erozion agresiv të smaltit dhe pas një kohe te këta dhëmbë mund të shfaqen pigmentime të ndryshme, gurëzat dhe kariesi. Unë nuk do ta këshilloja këtë lloj preparati, në një kohë që ka aq shumë lloj pastash për dhëmbët.
Shoqata Mbarëshqiptare e Stomatologëve ka edhe organin e vet, çfarë mund t’ju ofrojë lexuesve të interesuar kjo revistë?
Fadil Memeti: Revista “ Apolonia “ është organ i Shoqatës Mbarëshqiptare të stomatologëve, por mund të
them se ajo është revistë ndërkombëtare, sepse përmban botime të stomatologëve nga vende të ndryshme të botës. Ajo është në shqip dhe maqedonisht, ndërsa abstraktet janë në gjuhën
angleze. Kjo revistë është edhe online dhe mund të gjendet në web faqen e shoqatës. Unë jam
kryeredaktor i kësaj reviste, që del dy herë në vit, në prill dhe në nëntor dhe sivjet është viti i
pesëmbëdhjetë i botimit të saj.
Është e vërtetë se kohët e fundit po i kushtohet vëmendje anës estetike; në këto kohë krize, dëshira dhe mundësia ecin në kahe të kundërta … Sa ka ndikuar kjo në fushën tuaj?
Fadil Memeti: Unë mendoj se pavarësisht nga kriza, nëse ekziston kultura për shëndetin oral, njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm që t’i japin prioritet shëndetit të tyre oral; çmimet te ne nuk janë shumë të
larta, për shembull një mbushje për ata që janë të siguruar kushton vetëm 450 denarë…
Çfarë bëhet për ndërgjegjësimin e fëmijëve për shëndetin oral?
Fadil Memeti: Lidhur me këtë, ne si shoqatë, kemi bërë edhe organizime të eventeve sensibilizuese në qendër të Tetovës, me moton “ Të buzëqeshim së bashku “ kemi organizuar një koncert me fëmijët,
ku kemi dhuruar furça dhe pasta të ndryshme dhe i kemi këshilluar fëmijët për ushqimet që duhet të
konsumojnë për të pasur dhëmbë të shëndetshëm, për dobitë e qumështit dhe nënprodukteve të tij,
që janë shumë të pasur me kalcium, kemi bërë edhe fushata për higjienën orale, për mënyrën se
si duhet të lahen dhëmbët, etj. .
Nëpër farmaci ka disa ilaçe, kryesisht pika, që përdoren si analgjezikë për të ndaluar dhimbjen e dhëmbit dhe njerëzit i mbajnë rregullisht nëpër shtëpi, a i rekomandoni këto medikamente ?
Fadil Memeti: Po kjo është e vërtetë, njerëzit i përdorin këto analgjezikë, kryesisht për të ndaluar dhimbjet gjatë natës. Këto janë efikase vetëm për momentin, sepse pa shkuar te mjeku, mund ta humbin dhëmbin.
Vitet e fundit po shohim tendenca mode nga më të çmendurat, pirsing gjithandej nëpër trup, por në modë është edhe vendosja e gurëve në dhëmb, ju e aplikoni këtë modë?
Fadil Memeti: Po, edhe ne vendosim gurë në dhëmb. Unë rekomandoj që edhe mjekët të jenë të
kujdesshëm, të përdorim në mënyrë të rregullt ngjitjen, sepse bëjnë gryerjen e dhëmbit, krijojnë një
hapësirë dhe aty e ngjisin gurin, por kjo metodë është e dëmshme dhe gurët që përdorin janë të lirë dhe
joadekuatë. Në klinikën tonë ne përdorim gurë të zgjedhur, që e kanë pjesën e poshtme të rrafshët dhe
abrazive, gjë që të jep mundësi që të ngjiten te dhëmbi dhe do të mjaftonte një gërryerje acidike e
lehtë e dhëmbit, mund të ngjitet pa pasoja, edhe nëse hiqet guri në të ardhmen dhëmbi mbetet i padëmtuar.
Ju nuk jeni një anonim për Tetovën, sepse me punën dhe aktivitetet tuaja keni fituar reputacion, po cilat janë disa nga fushat e veprimtarive, ku mund ta gjejmë Fadil Memetin?
Fadil Memeti: Unë jam artdashës dhe gjithmonë kam kontribuar edhe në kulturë, në shoqëritë
kulturore, në evente të ndryshme edhe me donacione. Fëmijët e mi merren me muzikë, vajzat
janë në shkollën e muzikës dhe këto janë bërë shkas që të organizojmë edhe aktivitete të ndryshme
kulturore, koncerte dhe një festival të këngës për fëmijë. Unë kam një studio moderne dhe një radio on
line, “Radio RED “, që mirëmbahet nga dy të rinj në mënyrë profesionale. Krahas muzikës së zgjedhur kjo radio ka edhe emisione debative, kryesisht për të rinj.
Tetovës i mungon një radio profesionale, prandaj me radion tonë ne mundohemi t’i japim një ngjyrë jetës së të rinjve këtu.
Fadili dhe politika, ç’lidhje ekziston këtu?
Fadil Memeti: Që në moshë fare të re jam aktivizuar në Forumin Rinor të Bashkimit të Rinisë Demokratike, më vonë u morra në mënyrë më aktive me politikë, madje u kandidova edhe për deputet, por nuk pata fatin që të zgjidhem. Për mua politika është një mekanizëm për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe jo mekanizëm për të zgjedhur problemet personale, sepse ato i kam zgjedhur me profesionin tim. Politika këtu duhet të profesionalizohet,ta marrin në dorë njerëzit që e kanë studiuar politikën, sepse vetëm atëherë do të ketë sukses.
Ju keni marrë pjesë aktive në politikë, nisur nga kjo përvojë, a mund të na thoni se çfarë karakteristikash duhet të ketë një kandidat që të jetë i votueshëm në këtë Tetovën tonë?
Fadil Memeti: Mendoj se duhet të ndërrohet sistemi zgjedhor; votuesi të ketë të drejtë të zgjedhë individin, jo përzgjedhja të bëhet sipas listës që ka bërë partia, sepse duke vazhduar kështu nuk do të zgjidhen njerëzit cilësorë, por militantët.
Një mesazh për bashkëqytetarët tanë…
Fadil Memeti: Do të apeloja te stomatologët që të ruajnë kolegialitetin dhe profesionalizmin dhe të mos
tentojnë që në shërbimet e tyre të kursejnë para dhe të marrin medikamente të lira; ndërsa pacientët të
vlerësojnë se shëndeti është mbi gjithçka….
Shefqet MANI
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66