“Për mos me u harrue: Xhavit Ahmeti”
“Xhavit Ahmeti, profesor kulmor universitar me dije euriditi, me ndjeshmëri të veçantë profesionale e përshtatshmëri njerëzore me student e profesor. Në ditët e vënies së themeleve të shtetit doli përball vështirësive, që dukeshin të pamposhtura! Xhavit Ahmeti i ndërgjegjshëm për gjendjen në të cilën duhej ecur, nëpër teh shpate pa guxuar që të bjer, pavarësisht nga tehu i hollë dhe stuhitë e tmerrshme veriore. Caku i përcaktuar kërkonte dijen dhe veprimin me saktësinë mikronike.
Xhavit Ahmeti, u bë këshilltar shumë i vyeshëm i udhëheqësit të shqiptarëve, jo vetëm të Kosovës, gjatë viteve 1990-ta. E dinte mirë, se një popull i vogël DIJEN e kishte armën e vetme! E për dije duhet arsimim edhe ate si një proces i pashkëputur. Puna e tij ishte natë e ditë e për çdo ditë: nga puna në punë! Edhe kur lodhja i “lexohej” në fytyrë, ai nuk ndalej: “S’ka rraskapitje që arsyetohet me ndërprerje pune”, përgjigjej me dashamirësi ndaj miqve që kërkonin të pushonte! Vijimësia e shkollimit për nxënësit e studentët, si dhe zhvillimet tjera ndihmëse dhe prijatare të arsimit ishin synimi tij jetësor. Për këtë Prof. Dr. Xhavit Ahmeti, tërë ditën ishte në punë: në fakultet, në veprimtarinë e tij politike (në LDK) si këshilltar e ndikues në politikë bërje, i gjendej Kryetarit të Republikës së Kosovës e të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugovës! Më 1996, në moshën 44 vjeçare, mbytet në një ndeshje trafiku, gjatë udhëtimit zyrtar që përfaqësonte Kryetarin e Republikës së Kosovës, Atdheun e tij të okupuar!
Atë, ditë të varrimit, të nëntorit 1996, të gjitha rrugët që shpinin nga shtëpia e tij, në Taslixhe deri tek varrezat e Prishtinës, dukej sikur nuk ka ngelur shqiptarë pa dal për t’iu falënderuar dhe për t’ ia dhënë lamtumirën e fundit!”.
Foto©Ilaz Bylykbashi
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66