1. Kohë s’kemi fare!
Buza më është djegur,
më është përvëluar,
më trego burimin,
nga ku ke buruar!
Burimin ku rodhe,
vashëz-o ma thuaj,
të shkoj të vë buzën,
dhe zjarrin ta shuaj!
M’i thuaj të tëra,
o moj bukuri,
ç’emër kishte ylli,
që të ra në sy?!
Çfarë emri ka lulja,
që të çel në gji,
kush-moj kush ta fali,
këtë bukuri?!
Në ç’burim ke pirë,
ti në këto vende,
që të shkoj dhe unë,
të puth-puthjen tënde!
Të gjitha sekretet,
m’i trego-moj zëmër,
se të gjithë jetën,
ma ktheve në ëndërr!
Si kambanë floriri,
për ty më rreh zëmra,
eja fllad i ëmbël,
dhe më zgjo nga ëndrra!
Unë do të rrëmbej,
o moj lozonjare,
jeta është e shkurtër,
kohë s’kemi fare!
2. Mos e prish magjinë!
Sy të bukur si të tutë,
s’i ka kush në botë,
zjarri i tyre mund të shkrijë,
akullin e ftohtë!
Ata sy më drithërojnë,
zgjuar dhe në ëndërr,
si ujëvara më burojnë,
në shpirt e në zëmër!
Ndofta një shekull të tërë,
edhe mund të pres,
po pa puthur ata sy,
nuk besoj të vdes!
Më thotë vasha e menduar,
perëndeshë e rrallë,
ai zjarr i përvëluar,
ty të mban të gjallë!
As një vit e as një shekull,
ti s’ke pse të presësh,
po të puthësh syrin tim,
shumë i ri do vdesësh!
Lere shpirtin të të ndizet,
flakë nga fantazia,
se vetëm një natë të flëme,
prishet gjithë magjia!
Lere dritën të të ndrijë,
në shpirt e në zëmër,
dhe gjithë jetën do jetosh,
ti me këtë ëndërr!
A. Duka