Rangut të “bizneseve” profitabile, veçmas përkthimeve në gjuhë të huaja (që nuk janë të ndaluara me ligj), kohëve të fundit ju është shtuar edhe Punimi i Temave të Diplomës me Porosi (që duhet ndaluar nga organet kompetente), që nga nivelet themelore të studimeve Bachelor, në Master; madje sipas hulumtimeve ka raste të gjejmë edhe në teza të disertacionit.
Rrjedhimisht në startin e studimeve themelore çdo drejtim i secilit fakultet ka lëndën e shkrimit akademik, pjesë e së cilës janë trajtime të shumta se si të shkruhen shkrime të ndryshme, ndërsa në nivelin master se si të shkruhet një Projekt Ideor, përmes së cilit studentët kanë rastin që të startojnë me temën e tyre të hulumtimit, me bashkëpunimin: Student-Mentor/udhëheqës.
Në momentin e përfundimit të të gjitha provimeve studentët bëjnë përzgjedhjen e temës me të cilën do të punojnë dhe hulumtojnë për shkrimin e saj, në burime të ndryshme të informacioneve, si në literatura online, njëjtë dhe në kopje fizike të teksteve adekuate që lidhen me temat e tyre të diplomës.
Formatet, modelet se si të shkruhet një temë diplome pavarësisht nivelit studimor jepen nga mentorët, profesorët përkatës të studentëve.
Megjithatë, duke e konsideruar si “formalitet” këtë lloj procesi, kohëve të fundit janë hapur disa adresa online me kontakte të fshehura të zyreve të tyre, si mundësi alternative që të ju mundësojnë studentëve që punimet e temave t’i kenë të gatshme, pas një pagese të majme që këta persona ju kërkojnë.
Nga kjo formë e të porositurit të temave të diplomës, nuk përfaqësohet assesi puna dhe hulumtimi i studentëve, por një lloj “demagogjie e
porositur”, që nuk tregon aspak aftësitë se si e ka realizuar atë hulumtim ai student, apo si e ka shkruar.
Dukuria e tillë konsideroj se kërkon trajtim të thellë universitar, në mënyrë që në tema të Diplomës të paraqitet “zëri unik i studentëve” e jo të lejohet një servilizim i tillë, nga ai grup i studentëve që pranon këtë lloj forme të të diplomuarit.
Shkroi:
PhD.Can. Besjana Rexhepi
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66