Frymë e re, kastë e re politike, kjo është ajo që u duhet dy shteteve shqiptare në Ballkan thotë deputetja e re e Parlamentit të Shqipërisë, Rudina Hajdari, e cila është edhe e bija e liderit të demokracisë, Azem Hajdari, i cili u vra në rrethana ende të pasqaruara me 1998.Si mysafire N’Konak me Kosovë Gjocin, ajo tha se problemi që ka edhe Kosova është Shqipëria janë politikanët e vjetër që nuk kanë çfarë të ofrojnë më dhe po abuzojnë me pushtetin e tyre.“Kemi të njëjtin problem, dominancën që ka pasur një elitë politike një kohë shumë të gjatë dhe tashmë ata e kanë dhënë kontributin e tyre, madje ka pasur disa raste që edhe e kanë abuzuar me pushtetet e tyre. Kështu që si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, ka nevojë për njerëz të ri, frymë të re dhe duhet krijuar hapësira për këtë. Kemi kapacitete të jashtëzakonshme njerëzore për ta bërë këtë gjë dhe duhet që në pushtet që vijnë gjeneratat e reja që mund të japin më shumë. Dihet se secili pushtet ka ciklin e vet dhe ne duhet te heqim dorë nga kjo mënyrë e tjezgjatur e mbajtjes së pushtetit nga disa persona dhe të mbajmë peng vendet tona”, ka thënë Hajdari për N’Konak.
Deputetja Hajdari, tregon se i përcjell me interes zhvillimet në Kosovë dhe shton se ka gabime në të dyja anët e kufirit.Sipas saj, mungesa e një bashkëpunimi të mirëfilltë është problem dhe fajin e hedh më së shumti tek politikanët.
“Ngjarjet në Kosovë i kam ndjekur dhe i ndjek me shumë interes, sepse mendoj se janë bërë disa gabime edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Kemi pasur një histori politike të ngjashme, ku edhe atje dominojnë figura të njëjta politike për një kohë shumë të gjatë. Po ashtu edhe në marrëdhëniet tona mendoj se duhet të kishim punuar me shumë sidomos në aspektin ekonomik. Përveç lidhjeve të forta shpirtërore do të duhej të punonim më shumë që të kishim marrëdhënie me të forta qoftë të rinjtë, qoftë në aspektin tregtar në mënyrë që të krijonim një union me frytdhënës që shpërblehet tek qytetarët që ata ta ndjejnë këtë bashkëpunim të fortë. Bashkëpunimi nuk mund të bëhet vetëm në rrafshin e elitave. Duhet që edhe qytetarët të kenë bashkëpunim mes vete, por shpesh është në dorën e politikës që kjo të ndodh dhe në këtë aspekt ne nuk kemi arritur që ta bëjmë atë që qytetarët presin nga vendimmarrjet politike”, ka thënë Hajdari.
Deputetja e vetme nga radhët e Partisë Demokratike që nuk dorëzoi mandatin dhe është aktive në Parlamentin Shqiptar, shton se rruga drejt BE-së dhe miqësia me SHBA-në duhet të ruhet e kultivohet bashkërisht nga shtetet shqiptare.“Kosova nuk duhet të humbi asnjëherë orientimin e saj pro perëndimor bashkë me Shqipërinë dhe gjithmonë kam besuar se nëse ne punojmë bashkërisht do të ecim me hapa të shpejt”, ka thënë deputetja Hajdari.Në këtë intervistë për N’Konak, ajo ka folur edhe për shumë çështje e zhvillime si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Po ashtu ajo flet edhe për babain e saj Azem Hajdari, lidhjet e tij më Kosovën, vrasjen e tij dhe moszbardhjen ende të rastit.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66