Aleksandër Vuçiç, përveç se është një politikan i vjetër tashmë dhe i “rrahur me vaj e me uthull” që nga koha e Millosheviçit, është gjithashtu një pelivan që kur ka përpara një personazh që di të jetë protagonist bën viktimën, ndërsa kur gjen më të butë se veten bën “garipin” për të fituar me gjuhë trupi.
Të njëjtën gjë bëri mbrëmë në Bruksel, në hapjen e raundit të parë të dialogut final me kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti, e me ndërmjetësinë e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.
Një përsëritje e skenave të vjetra me Mogherinin, ku atëherë fotot e kujtimit i ka bërë me Hashim Thaçin.
Por me Hotin, Vuçiç, ka luajtur rëndë, duke e nisur në tatëpjetë situatën për kryeministrin aksidental të Kosovës.
Pasi e ka përshëndetur me bërryl e me përshëndetje në anglisht, e ka pyetur me zë të trashur se “a flet serbisht?”
E Hoti, në vend që t’i kundërpërgjigjej: po t’i a di shqip, si nxënësi mësuesit, i turpëruar si “nuse në natën e parë”, nxori fjalën i ndrojtur: “Razumem Mnogu”. Me një fjalë që “kuptoj bajagi”.
E Vuçiç i kënaqur që mori atë që deshi, ka bërë xhentëlmenin, duke e ftuar me politikatesë që të hynte kryeministri i Kosovës i pari në dhomën e dialogut pas fotos së kujtimit, e ftesën ja ka bërë në serbisht.
E Hoti, ashtu si “pulë” ka hyrë edhe duke e falenderuar.
Një performancë që përveçse në aspektin protokollar është një katastrofë e vërtetë, në logjikën politike është ose mesazh bosh, ose një ripërsëritje e skenave të dialogut për dialog të 12 viteve mes Kosovës e Serbisë, por që në fund ka fituar vetëm Beogradi.
Po pse ka fituar vetëm Beogradi?
Po ja: ka përfituar liberalizimin e vizave, statusin kandidat, hapjen e negociatave duke shkuar në gati gjysmën e kapitujve dhe pret punë 3-4 vite që të bëhet anëtar me të drejta të plota në BE.
Nëse fjala “poshtërim” për kryeministrin e Kosovës do të dukej e rëndë dhe është mirë që edhe në logjikën njerëzore e kombëtare nuk duhet përdorur, trajtimi që mori mbrëmë në Bruksel nga Presidenti i Serbisë nuk është gjë tjetër veçse poshtërues.
Abdullah Hoti shkonte në dialog me Serbinë, duke e pasë Presidentin e tij të dhunuar në dyert e Gjykatës Speciale, shkonte me logjikën e një drejtuesi që popullin e ka të frustruar nga pandemia, izolimi ndërkombëtar dhe padrejtësia në zgjidhjen e çështjes bazike siç është njohja si zgjidhje e vetme për Serbinë.
E vetëm këtë duhet ta kërkonte Abdullah Hoti në Bruksel mbrëmë, sidomos në këto kushte; pa buzëqeshur.
Qoftë edhe në mënyrë teatrale siç Edi Rama e bëri në 2014 në Beograd, por jo të linte Vuçiçin të sillet si “piçku-materina”.
Mbrëmë ka nisur një dialog mes Serbisë dhe Beogradit që pritet të zgjasë deri në nëntor, kur dhe BE mendon ta mbyllë çështjen përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe brenda presidencës gjermane.
Por raundin e parë, e fitoi Vuçiçi, vetëm duke impresionuar dhe bërë me turp kryeministrin e Kosovës, që sekondat e xhirimit të atmosferës që bëhen lëndë e parë për televizionet e mbarë botës, i shfrytëzoi t’i thojë serbisht presidentit serb se “razumem mnogu”.
Mirë s’di, po shkon edhe pa përgatitur…/Pamfleti
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66