Dy fjalë dhe një shpjegim për termat politik “Iliridë” dhe “shqiptarët e Iliridës”
PSE SHQIPTARËT DUHET TA FALSIFIKOJNË HISTORINË NË DËM TË TYRE DHE PËR INTERESA TË HUAJA?
Kush ua ka dhënë të drejtën këtyre njerëzve të paditur ta shesin të kalurën historike, emrat e krahinave, rajoneve dhe trojet etnike ku shqiptarët jetojnë me mijëra vjet, si pasardhës të ilirëve-dardanëve-pajonëve-epirotëve-maqedonasve dhe fiseve të tjera?
Përdorimi i termit “Iliridë” dhe i termit “shqiptarë të Iliridës”, që pa vetëdije e përdorin disa shqiptarë vendës dhe jashtë Maqedonisë Veriore, bart me vete dy dëme të mëdha kombëtare dhe sjellin përfitime në favor të strategjisë serbomadhe dhe sllave në rajon.
E para, se e redukton shtrirjen në lashtësi të shqiptarëve në rajon, nga Iliria që shtrihej nga Evropa Perëndimore në Detin e Egje dhe nga Deti i Zi në Detit Adriatik, të njohur si Gadishulli Ilirik, vetëm në një rajon të vogël në pjesën perëndimore të Maqedonisë së sotme.
E dyta, që shqiptarët të heqin dorë nga emri Maqedoni dhe “shqiptarë të Maqedonisë”, mbi të cilin populli i ardhur sllav në këto hapësira të krijojë lirisht identitetin e tij kombëtar dhe shtetëror, mbi realitetin historik ndryshe të kësaj krahine të dikurshme të Ilirikut.
Termi “Iliridë” dhe më vonë “shqiptarët e Iliridës” kanë filluar të përdoren nga viti 1992, që nënkupton një term politik dhe jo gjeografik, historik apo etnik.
Këta “ekspertë” duhet t’ua shpjegojnë shqiptarëve, në Maqedoninë Veriore dhe shqiptarëve kudo që jetojnë, pse duhet të përdoren termat “Iliridë” dhe “shqiptarë të Iliridës”, e jo Maqedoni (si term gjeografik), Maqedoni Veriore (si emër shteti) dhe termin etnik “shqiptarë të Maqedonisë”, banorë autoktonë në këtë shtet dhe në rajonin gjeografik më të gjerë, po me këtë emër?
(19.VII.2020)
Abdulla Mehmeti
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66