10 vite trishtim
Ikja e dhimbshme e babait
Urim Salihu
Gjithcka tingëllon sikurse “kurrë më” dhe jeta për prindin tim u ndal në këtë mënyrë kaq të padrejtë.Ai mbushi dhjetë vite që nuk është më. Vite të gjata, shkatërruese ,të tërra me ankth dhe mungesë e trishtim.Jemi përpjekur për të gjetur forcën e paktë për të harruar atë fragment më të trishtë,por lamtumirat janë të dhimbshme, janë shkatërruese.
Kujtesa është mizore dhe të kthen te ato orë të braktisjes.Akoma e kam të vështirë të pranoj se ai nuk është më , akoma më behet se do të kthehet sërish, akoma marr gazetat për tia dërguar ti lexonte , akoma më vijnë në mendje kohëra të jetuara dhe vite kur nuk e paramendoja se si është të jesh pa njeriun që është pjesa jotja me e rëndësishme, më e shtrenjtë.
Akoma e shoh nënën time të shkatërruar nga sëmundja dhe ajo forcë e paktë që ka për ta përballuar këtë tragjedi. Ishin shumë vite të jetuara me njëri tjetrin .Të rrallë janë dy njerëz duke e kuptuar njëri tjetrin gjithë jetën.Sot thuajse nuk ekzistojnë më.
Akoma midis trishtimesh të përziera me dhimbjen e humbjes qëndrojmë të humbur dhe pyesim pandërprerë si mund të jetë kaq goditëse jeta. Po sikur mos shkonte atë ditë.Sikur t’a dinim se pak më përtej e pret dikush për ta marrë me vete përgjithmonë, do ta ndalnim me gjithë forcën.Por askush nuk ka mundur t’i ikë fatkeqësisë që të ndjellë, që të pret e ftohtë për të të marrë përgjithmonë.Sikur t’a dinim atë ditë të asaj të premteje të zezë…
Të gjithë tani jetojmë me orë të tërra përzier me kujtimet e së shkuarës që godasin deri në palcë, deri në thellësi.Kush nuk e kërkon njeriun që e ka midis gjërave të shtrenjta.Sa njerëz vuajnë vetëm pse nuk kanë më ata që duan thellësisht.Ky trishtim na zgjon secilën ditë, kur sheh se brenda shtëpisë mungon dikush dhe t’i e kërkon si një fëmijë i rritur . Por mbreti i botës kishte ardhur dhe kishte caktuar orën e ikjes së babait tim , tjetra i takon një pamundësie për të parandaluar atë.Të shkatërruar e gjithë familja , jemi mbërthyer me një zi dhe me shumë pyetje brenda vetes që paradite janë të tjera ndërsa pasdite krejtësisht të ndryshme.
Unë i urrej aksidentet, sepse ma kujtojnë mëngjesin e asaj të premteje të zezë dhe fatale dhe atë skenë që nuk kam për ta hequr kurrë nga kujtesa.Aty ishte dhe aty u shua.Aty e pamë sa mizore është vdekja, sa e ftohtë.Askush nuk ia duron prekjen.Nuk mund ti heq nga kujtesa ,as ato lajme të zeza që mora dhe si një i humbur nuk dija se ku shkoja .Të gjithë u nisëm drejt spitalit pa e ditur se frymëmarrjet atë e kishin braktisur.Do donim të këmbenim me jetërat tona, me vitet tona cdo gjë, vetëm të mund t’a kthenim në mesin e të gjallëve .Por secili nga ne ka një ditë ku mbaron cdo gjë.Kjo nuk përcaktohet nga ne.
.Dua të dij me cdhimbje iku , c’kishte dashur të thoshte për në fund para se të goditej me një shpejtësi kaq vrasëse nga një adoleshent taksie që kanë zaptuar rrugët tona dhe na kanë vjedhur sigurinë dhe gëlltitur jetërat tona.Të gjitha do ti falja por kurrë nuk do të mund të shoh para syve të mij njeriun që i mori jetën prindit tim.Kurrë.
Shkoi i gjallë me një vrap marramëndës drejt vendit të fatkeqësisë, por nuk u kthye më prej atje. Tash jetojmë midis shumë pyetjeve që n’a shkatërrojnë , jetojmë me skenën e vdekjes së tij që nuk e pamë, por e imagjinojmë në një mijë mënyra.Ishte goditur për vdekje kaq dhimbshëm dhe cdo rrëfim tjetër përfundon këtu.Strukem akoma edhe sot pas dhjetë vitesh në një vetmi dhe qaj por asnjëherë në jetën time nuk do ti jap shpjegim një ikjeje të tillë në atë mëngjes të katër qershorit. Ai në ditarin e tij vetëm këtë ngjarrje nuk do të kishte mundësi ta shkruante.Të gjithë ngjarrjet tjera i kishte shkruar në një fletore dhe lënë diku në sirtar i cili u mbyll tashmë dhe aty do të mbetet përgjithmonë gjithcka e tij.Tani i dëgjoj sirenat e trishtimit që vijnë nga zona të errëta dhe të padukshme . Unë i dëgjoj si tinguj të trishtë dhe gjithcka ma kujton prindin tim. Shumë herë këtyre orëve të freskëta kur tragjedia ndodhi , kam dashur të largoj mendjen, por dicka më kthen te ato fragmente jete së qenuri së bashku me të .Nuk mund ti braktis nga mendja gjithë ato që ka bërë për ne , duke ndarë gjithcka nga jeta e tij për të na mbajtur të bashkuar dhe afër njëri-tjetrit.Ne tani e ndjejmë thellë atë cfarë ai kishte dashur të bënte për ne sepse pa të ne nuk do të ishim këtu si një familje e tërrë.Ne vetëm tani e kuptojmë atë që është shkatërruese dhe na gërryen parreshtur ,pra është kuptimi i gjithë atij misioni që ai i kishte vënë vetes jo vetëm për ne duke na shkolluar me një rrogë arsimtari dhe duke sakrifikuar gjithcka nga jeta e tij, por duke e shpërndarë këtë dritë te të gjithë ata njerëz që erdhën së fundmi në ceremoninë e ikjes së tij. Ajo mënyrë respekti i thellë që kishin për të e tregon gjithë atë mision të tij dhe atë qëllim fisnik e kombëtarë njëkohësisht.
Dhe tani që nuk do ta ndiejmë praninë e tij fizike, nuk do të mund kurrë më të shohim kthimin e tij, as hapat me të cilat kthehej në shtëpinë tonë, do të mbes si gjithcka si një kujtim i largët por edhe një dashuri prindore e përjetshme.Të boshatisura dhe po aq të zbrazura do të mbeten rrugët nëpër të cilën ai ecte rrethuar midis njerëzve që e donin dhe i donte..Dhe këto janë rreshtat më të dhimbshëm që kam mundur të shkruaja ndonjëherë , përzier mendimet me kujtime të trishta dhe fragmente që më kthejnë në fëmijëri. Ne do ta ndjejmë këtë zbrazëti dhe këtë mallëngjim të thellë, por kurrë nuk do të reshtim së kujtuari dhe dashuruari.Lamtumirë baba…
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66