PROFESORI RUZHDI ZEQIRI, KUNDËRSHTOI KOMUNISTËT PREJ KRYEOPINGARËSH!
Miku im I dashur!
Dikur moti, këtejpari në nahijen tonë, pushtetarët prej komunistësh, në mënyrë të fshehtë hartonin listat e zeza që përmbanin emrat e njerëzve të padëshirueshëm për regjimin në fuqi! Në ato lista vend të posaçëm kishin të gjithë rebelët.., nxënësit të shkollave të mesme, studentët, mjekët, zejtarët, bujqët e tjerë të tillë si ata.., të gjithë ata që ishin shqipfolës a shqiptarë, këtej thurimës sonë.., të gjithë ata që nuk i bindeshin a nuk i nënshtroheshin sundimit politik të një klase.., që nuk i bënin për “hesap e për numër“, të gjithë ata që ishin të veshur me kostumin e sundimtarëve.., sundimtarët me kërbaç prej lëkure, të gjithë ata që kishin në dorë gjithë pushtetin e pakufizuar.., atë pushtetin kolonial dhe atë politikën shoviniste dhe të egër asimiluese! Unë kam listën time emërore.., krejtësisht të ndryshme.., në listën time, ku duken mësuesit e popullit, shërbëtorët e “miletit”, që jetuan dhe vepruan në kohën e analfabetizmit, këtejpari.., në listën time I kam regjistruar altruistët a njerëzit që flijuan të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve…, ata, që i shërbyen përhapjes së dijes, të kulturës, të arsimit etj.., të gjithë ata që lënë gjurmë në historinë e mësimdhënies.., ata që promovuan rëndësinë e mësimdhënies cilësore!
Përkujtimin e sotëm, do ia dedikojmë një njeriu nga Xhepçishti, çunit të axhës Medi dhe nënëlokes Minire, që e kishte për zemër e për xhan.., për profesorin Ruzhdi, Ruzhdi Zeqirin.., për pedagogun, i cili në Universitetin e Shkupit, kreu studimet në degën e Fizikës.., për arsimta-rin e Fizikës të shkollës së “Lirisë të Shkupit” dhe asaj të Porojit.., për profesorit e Fizikës të “Zef Lush Markut”.., për profesorin dhe ish drejtorin e gjimnazit të Tetovës.., për njeriun, i cili.., sipas kujtesës sime dëgjimore dhe pamore.., dikur në motin 1969, kundërshtoi vendimin e komunistëve, “karshi” përjashtimit të dy kolegëve të tij, timin dhe shokëve të klasës sime, nga gjimnazi “Kiril Pejçinoviq” të Tetovës, pavarësisht se paraprakisht na burgosën për pjesëmarrje në Demonstratat e vitit 1968, këtu në Tetovë dhe përreth saj!
E gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme e Mësuesit të Popullit, Ruzhdi Zeqirit, dikur moti, u rregjistrua kësisoj: Gocat: e para mjeke, e dyta matematikane, e treta ekonomiste dhe çuni, Doktor i shkencave në Fakultetin e inxhinierisë kompjuterike. Ehe, sa shumë i pasur, ky përhapës i diturisë, i kulturës dhe arsimit!
PS
Profesor ynë i dashur! Faleminderit për kontributin tënd të çmuar, ndaj arsimimit dhe edukimit të brezave prej gjak shqiptari!
FALEMINDERIT XHEPÇISHTË!
Fadil LUSHI
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66