Miku im I dashur!
Imazhet e më poshtëm a figurat e riprodhuar të protagonistit të përkujtimit të radhës, duken thjeshtë bardhë e zi! Sikur më duken paksa të zbehta, sikur kanë ngjyrë të dobët.., të zbardhur.., si të bardhemë.., si të verdhemë a të zbërdhulët. Në shikim të parë, të krijojnë përshtypjen, sikur u mungon ajo pjesa humane dhe emancipuese.., ajo pjesa…, megjithatë këto dy imazhe, në vetvete ngërthejnë një mal me shumë histori të lavdëruar, me shumë moral..,me një strajcë me shumë dashuri të thellë, të çiltër, të vërtetë, të zjarrtë, të flaktë.., dashuri për Atdheun, dashuri për arsimimim e popullit. dashuri për çunat dhe çupëlinat.., imazhe këto, që në vetvete ngërthejnë mijëra vargje që llafosin kontributin me vlerë a të çmuar të një njeriu, që dha në zhvillimin e arsimit fillor dhe universitar.., njeriu nga lagjja ime.., nga mëhalla e “Xhamisë së Pashait”.., çunit të axhës Jakup dhe nënëlokes Alie, të degdisur nga katundi i Rakovecit jo larg Tetovës. Ne që e kishim afër, e thirrnim me emrin Musli, Musli Halimi.., ish nxënësi i shkëlqyer i Normales së famshme të Tetovës.., ish mësuesi, i cili për një vit shkollor, fëmijëve të katundit te Pallaticës, ua mësoi shkrimin e këndimin.., ato shkronjat e dala nga Kongresi i qytetit të konsujve.., njeriu i cili në vitin 1968 u regjistrua në Fakultetin Juridik në Prishtinë, të cilin e përfundoi në vitin 1971, me nota kapitale.., njeriu i cili në vitin 1988, në Universitetin e Shkupit, fitoi titullin Magjistër i shkencave juridike nga lëmia e së ‘Drejtës romake’.., me notë kapitale! Njeriu i cili në vitin 2003 doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, me notën kapitale!.., profesori, I cili deri në vitin 1994 ligjëroi në Fakultetin Juridik të Prishtinës.., pedagogu, i cili që nga viti 1994 deri në fund të jetës (2009), në Universitetin e Tetovës, ligjëroi lëndën e ‘Drejta romake’. Ishte njëri ndër themeluesit e Universitetit të “shehërit” tonë.
Njeriu, pedagogu, altruisti dhe profesori, që ne e thirrnim Musli, me datë 17.02 të vitit 1995, në orën 10:00, në hapësirat Mektebit të Xhamisë së Porojit, mu aty në kërthizë të katundit të Porojit, mu aty.., mu në prani të popullatës.., mu në prani të studentëve.., mu në prani të kolegëve të tij, mu në prani të Fadil Sulejmanit.., mu në prani të forcave policore të Fërçkovskit, të armatosura gjer në dhëmb dhe me veshje antiplumb.., mu në kërthizë të Fakultetit Juridik, mbajti ligjëratën e parë.., pikërisht dhe jo rastësisht, nga lënda ‘E drejta romake’.., nga ‘LËNDA E MUNGUAR E SË DREJTËS SHQIPTARE!’ Edhe ky Mësues i Popullit, do akuzohet dhe do të dënohet për pjesëmarrje në turmë si dhe për ligjëratën e tij historike!
PS
E gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme e Mësuesit të Popullit, Musli Halimit, dikur moti,u rregjistrua kësisoj: Gocat: 1. Juriste e diplomuar, 2. Dr. I shkencave juridike, 3. Magjistër I metodikës së artit muzikor, 4. Magjistër I muzikologjisë. Sa shumë i pasur, ky NJERI!
Profesor ynë i dashur! Faleminderit për kontributin tënd të çmuar, ndaj arsimimit dhe edukimit të brezave prej gjak shqiptari!
FALEMINDERIT POROJ!
FALEMINDERIT TETOVË!
Fadil Lushi
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66