“NËSE JETA IME KA NJË QËLLIM, AJO ËSHTË, SHKOLLA, ARSIMI DHE KULTURA” tha, FEHMI IDRIZI!“
Në shekullin që lam pas, të ishe mësues i popullit, të ishe shërbëtor i vatanit, të ishe mbjellës i farës së dijes, të ishe çrrënjues i analfabetizmit, të ishe luftëtar i emancipimit të femrës shqiptare, të ishe kundërshtar i papajtueshëm i regjimit antipopullor, fashist, reaksionar, shfrytëzues a diktatorial, të ishe kundërshtar i shpërnguljes së shqiptarëve për në Anadolli.., dhe mos të ishe atdhetar a “vatanli” dhe paksa nacionalist i “egër”, nuk do kishte kuptim.., dhe këto tipare dalluese dhe cilësore, i kishte protagonisti i përkujtimit tonë të radhës, njeriu nga katundi i Xhepçishtit, Fehmi Idrizi, djali i axhës Shaqir dhe nënëlokes Nazmijes.., njeriu i cili vitin 1934 kreu shkollën fillore dhe atë të mesmen e vazhdoi në Prishtinë dhe e përfundoi në Shkodër.., njeriu i cili më vitin 1945 u akuzua si ballist dhe antikomunist për çka edhe ia shqiptuan dënimin kapital-pushkatim, njeriu që në vitin 1950 bëri mësuesinë në Zhelinë dhe në vendlindjen e tij. Që kur nuk u përmësua, pushtetarët, sërish e dënuan me vdekje.., që më pastaj dënimin ia shndërruan në 20 vjet heqje lirie. Pasi kreu burgun, komunistët përgjithmonë ia ndaluan hedhjen e farës së dijes.., përgjithmonë ia suprimuan të drejtën e të bërit mësuesi.., njeriu i cili, qe detyruar të hap librarinë e Rilindjes të Prishtinës, mu aty, mu në kërthizë të kasabasë sime, atë librarinë e famshme të shehërit tim dhe të tij të dashur që e doja dhe e donte.., libraria, ku “sabah e aksham” frekuentohej nga nxënës të shkollave fillore e të mesme, nga studentë, nga arsimtarë e profesorë, nga mjekë, nga klerikët myslimanë, nga intelektualët, nga të gjithë ata që blenin lapsin, gomën, fletoren, librin shqip, gazetën e Rilindjes dhe revistave që asokohe shtypeshin a botoheshin në kryeqendrën e Kosovës, e që ne fatkeqësisht nuk i kishim.., ne që vraponim t’i blinim.., ta blenim atë hartën e shtetit përtej thurimës sonë.., ishte një librari me hapësirë humane.., një vendtakim ku akëcili prej ne, e nuhatnim atë erën e Prishtinës dhe Tiranës.., një hapësirë ku nuhatej ajo aroma e këndshme.., ajo aromë e munguar.., ajo era e shtypshkronjës së Rilindjes të Hasan Prishtinës.., ishte hapësira e Rilindjes.., mu aty, kur më 23 dhjetor të vitit 1968.., mu në ditën e Fitër Bajramit, kur Islam Beqiri, asokohe maturant i gjimnazit të Tetovës, me disa nxënës dhe studentë tjerë tetovarë, në prani të Fehmi Idrizit, shkroi parullat e “ashtuquajtura armiqësore”.., mu aty, mu aty, në hapësirat e Rilindjes të axhës Fehmi.., kur axha Fehmi, u dënua me 30 ditë burg pse lejoi të shkruhen parullat mu aty, mu aty, ku frymohej shqip dhe vetëm shqip.., ashtu thjesh, thjesht “tetovarçe”.., mu aty, ku axha Fehmi, vazhdoi të bëj mësuesinë, më shumë se mësuesinë.., njeriu që shiste librin që ne nga Tetova dhe përreth saj, nuk e kishim..,! Sikur ky njeri, të “vazhdonte të bëj mësuesinë”.., sikur fëmijëve t’ua mësonte shkrimin dhe këndimin, “nuk besoj se do kontribuonte më shumë” seç kontribuoi në RILINDJEN e tij, të tetovarëve dhe katundarëve fisnik përreth Tetovës!.
PS
E gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme e Fehmi Idrizit prej atdhetari, dikur moti, u rregjistrua kësisoj: pesë fëmijë, një RILINDJE dhe një letër, paksa e zhubrosur, ku pos tjerash shkruan: “Kur do të vdes, do shkoj në xhenet, sepse xhehenemin e jetova këtu!” Sa shumë i pasur, ky njeri prej vatanliu!
ATDHETARI YNË I DASHUR! Faleminderit për kontributin tënd të çmuar, ndaj arsimimit dhe edukimit të brezave prej gjak shqiptari!.
FALEMINDERIT XHEPÇISHTË!
Fadil Lushi
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66