Lajmi pikëllues i shuarjes së dajës Emërli (jo vëllau i nënës), më ka lënduar thellë në shpirt. Askush nuk do ta përmbush boshllëkun që e ka krijuar shkuarja e këtij njeriu nga kjo botë.
Ndërsa, ajo që do më lëndojë më shumë është fakti se për këtë vit i pata premtuar se do ta vizitoja atje ku kishte jetuar mbi 40 vjet dhe ku e la frymën e fundit, në Nyrberg të Gjermanisë.
Sa vështirë e kam të besoj se këtë njeri nuk e kemi më në mesin tonë.
Sa keq do më vij se këtë verë, nuk do mundem ta vizitoj, në fshatin e tij të lindjes, në Leshnicë të Epërme, në atë fshat ku me dajët e mi e kam kaluar një pjesë të jetës sime; atje ku ai për çdo vit vinte dhe ndalej tre muajt e verës. Shtëpia e tij ishte e mbushur me libra plotë, dokumente të rëndësishme të aktiviteteve që ka zhvilluar dhe kontributin e pashoq për ngritjen e çështjes shqiptare.
Herën e fundit kur u takuam, ma tregoi një fletore të madhe, ku kishte bërë listën e librave që kishte lexuar dhe të atyre që kishte ndërmend t’i lexonte, dhe se disa i kishte aty dhe një pjesë të madhe në Gjermani.
Ishte njeri i jashtëzakonshëm, me diapazon të gjërë kulturor, i gërshetuar me atë të gruas së tij me origjinë çeke dhe nga ajo gjermane që ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij.
Lexonte shkrimtarë të njohur, shqiptarë e botëror, filozofë, shkencëtarë dhe libra fetarë.
Ato që e veçonin më shumë, ishin: altrulizmi, solidariteti, humanizmi dhe zemërgjerësia.
Gati çdo ditë më dërgonte gjëra interesante në inbox dhe i diskutonim.
Prej sot…
Do më mungosh shumë o dajë.
Të qoftë dheu i lehtë!
Zoti të shpërbleftë me Begatitë e tij në atë Botë!
Lirim Alija
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66