EMINEJA, MËSUESE PREJ NORMALISTEJE, FLISTE ME SHUMË ELEGANCË!
Miku im I dashur!
Ta bësh përkujtimin me “tamam”, ta bësh me.., nuk mjafton të jesh një vjershëtor i vyer, nuk mjafton ta njohësh njeriun të cilit do ia dedikosh, nuk mjafton ta bësh për “hatër”.., nuk mjafton ta bësh kur “të të teket dhe si të teket”.., përkundrazi, duhet ta dashurosh njeriun të cilit edhe do ia dedikosh.., duhet ta dashurosh, njësoj si nëna që dashuron foshnjën e saj prej gjiri. Fatmirësisht, ky përkujtim, do të ndërtohet mu në ditën kur pushon “zhurma shurdhuese” e nxënësve.., ajo zhurma e lehtë e çapkënëve.., ajo që të vjen dallgë-dallgë.., pikërisht kur përfundon viti shkollor, viti mësimor prej “hileqari”.., pikërisht në ditën e dhjetë të muajit të gjashtë të motit që dalëngadalë.., ashtu pa u shpejtuar sikur ikën nga ne.., ashtu fshehurazi.., ashtu “kokë ulur e me faj”.., pikërisht në ditën kur mësuesja do duhej të përqafonte çunat dhe çupëlinat që i kishte për nxënës.., që i kishte dhe i ka për zemër dhe për shpirt. Sot do bëjmë përkujtimin për një njeri, për një nënë, për një gjyshe, për një njeri që dikur moti kreu normalen e famshme të Shkupit, për një njeri nga lagjja ime.., për Eminenë, Emine Vela-Isaku, për të bijën e axhës Xhemali dhe nënës Emine, për motrën e Mësuesit të Popullit, Lalë Xhevatit, për mbesën e molla Jahës, hoxhës nga Shipkovica, me insistimin e të cilit, këtë gocë, do e regjistrojnë në shkollë fillore.., mu aty, ku mësimin e bënin iluministët nga Elbasani.., për bashkëshorten dhe bashkudhëtaren e Muratit, shkronjëtorit nga Garjeja.., do përkujtomë punën e saj prej një mësueseje të shkëlqyer, për Eminenë, e cila fëmijëve të Reçicës, të Xhepçishtit, të shkollës së “Lirisë” dhe “Istikbalit” të Tetovës sime, për më shumë se tridhjetë mote, ua këndoi shkronjat e Manastirit, shkronjat e shqiptarëve.., mësuesja e cila për më shumë se tri dekada reflektoi buzëqeshjen e saj të dlirë a të çiltër.., mësuesja që njihej me mirësinë e saj, mësuesja që sa herë më takonte aq herë, më fliste me mirësi, mësuesja që të shikonte me mirësi.., mu në sy.., mësuesja që fliste me butësi, me ëmbëlsi, me.., mësuesja që vishej me elengacë, mu ashtu siç i takonte një edukatores, ashtu thjeshtë.., mësuesja që fliste me elegancë.., me shije të hollë, më zë të ulët..,! Eh, sa e bukur dhe e sjellshme ishte mësuesja Emine!
PS
E gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme e Mësueses të Popullit, Emine Vela-Isaku, dikur moti, u regjistrua kësisoj: Tri vajza, një Doktor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, një Doktor i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze dhe një Magjitre e Psikologjisë.., dy nipërit, njëri i diplomuar në Informatikë dhe tjetri në shkencat kompjuterike.., dhe një një trastë shpine e mbushur deri në buzë me shumë dashuri! Sa shumë e pasur, kjo përhapëse e diturisë, kulturës dhe arsimit!
MËSUESE E DASHUR, EMINE! FALEMINDERIT PËR KONTRIBUTIN TËND TË ÇMUAR!
FALEMINDERIT TETOVË!
Fadil Lushi
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66