MANASTIR I DASHUR! TË LUS! MË NDJE (MË FAL), NËSE HARROVA TË TË THEM FALEMINDERIT!
MIKU IM I RESPEKTUAR!
Tek isha duke përzgjedhur emrin e Mësuesit të popullit për përkujtimin e radhës, ky Sazani, që “hiqet si redaktor imi teknik”, sikur më bëri vërejtjen e tij me vend, dhe pos tjerash më tha: ‘Xhaxhi, aq shumë ke ra në dalldi me listën e iluministëve, sikur je ‘shastisur’ me faleminderimet e njëpasnjëshme, sikur ke harruar një “kasaba”, të cilën gjeografikisht, e kemi aq shumë afër dhe aq shumë larg nga kujtesa jonë pamore dhe dëgjimore, aq shumë larg emocionalisht, aq që.., ke lënë pas dore një vazhdë shumë të rëndësishëm.., sikur ke harruar ta përmendësh trungun e familjes së shkronjave të dala nga Kongresi i “shehërit” të konsujve, sikur pa qëllim e ke lënë nën hijen e harresës sonë kolektive, sikur ke harruar të përmendësh emrat e njerëzve, të cilët në motin 1908, ndërtuan kështjellën e Manastirit, atë ‘kalanë’ e ABC-së a të shenjave që përbëjnë alfabetin e gjuhës së shqiptarëve!’ Dhe ky qerratai, kishte të drejtë në të vërtetën e tij të pamohueshme! Që kur mbylla gojën, fillimisht më iku “fiqiri” te Mit’hat bej Frashëri(Lumo Skendo, te ai që e njohim me emrin e pendës), te çuni i Abdylit, i cili dikur moti para se të degdiste në kasabanë e Alfabetit, në revistën e tij “Lirija”, ndër të tjera kishte shkruar “…ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar’ e papengim të punojmë për mbrodhësin’ e lumtërin’ e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësisë”.., më iku mendja te historianët e letërsisë shqiptare, te akademikët, te shqiptarët prej një nëne, te ata që jetojnë përtej thurimës sonë të gjallë, diku në kryeqendrën e Shqipërisë Londineze, të cilëve asnjëherë nuk u “hëngër palla karshi” mos organizimit të një akademie solemne, dedikuar Kongresit, dedikuar ditës më të shenjtë të shqipfolësve dhe shqipshkruesve.., kushtuar atij kandilit të ikonës të ndërgjegjjes sonë!
Miku im i dashur! Faleminderimi i sotëm që duhej t’i dedikohej Mësuesit të Popullit.., mësuesit që “sot nuk do duket këtejpari”.., do ia kushtojmë Kongresit.., Alfabetit të Manastirit.., do ia kushtojmë të gjithë delegatëve.., të gjithë atyre që na mundësuan që sot e gjithë ditën e Perëndisë, të shkruajmë shqip dhe vetëm shqip! Do i themi: Faleminderit Mit’hat bej Frashëri! Faleminderit At Gjergj Fishtë! Faleminderit Luigj Gurakuqi! Faleminderit Ndre Mjedë! Faleminderit Gjergj Qiriazi! Faleminderit Shahin Kolonja! Faleminderit Bajo Topulli! Faleminderit Sotir Peci! Faleminderit Parashqevi Qiriazi! Faleminderit Hilë Mosi! Faleminderit Thoma Avrani! Faleminderit Fehim Zavalani! Faleminderit Mihail Grameno! Faleminderit Abdylhamitit, i cili më datë 18 gusht 1908, klubit të Manastirit i dhuroi 100 lira, për mbajtjen e Kongresit! Faleminderit të gjithë dijetarëve mendjendritur.., atyre, që ndërtuan ALFABETIN SHQIP, ikonën më ta madhe të kulturës shqiptare!
PS
MANASTIR I DASHUR DHE I HARRUAR! SHUMË FALEMINDERIT!
Fadil Lushi
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66