Ky është libri i dytë i botuar në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, që u botua një vit pas botimit të librit “Një fyell ndër male”, 1953, po të Martin Camajt, dhe një vit para librit poetik “Për ty”, të Esad Mekulit. Një kopje të këtij libri e kisha që në kohën kur isha nxënës i shkollës së mesme, të cilin e pata gjetur në një pjesë me libra të vjetër, të hedhur në një qoshe, të bibliotekës së shkollës fillore të fshatit Ratkoc. Gjatë studimeve, në orën e ushtrimeve të letërsisë së sotme shqipe – poezisë, një ditë e mora me vete dhe, profesori asistent që po na i mbante ushtrimet, tanimë i ndjeri Basri Çapriqi, ma pa dhe ma kërkoi ta shihte. Ia dhashë dhe ai më kurrë nuk ma ktheu. Tani pas sa dekadash, më ra edhe një herë në dorë.
Martin Camaj, edhe pse i kishte botuar dy librat e parë poetik në Kosovë, as gjatë shkollimit fillor, po as gjatë shkollimit të mesëm, nuk përmendej fare, po historia e letërsisë së shkruar në Kosovë fillonte me librin poetik “Për ty” (1955), të Esad Mekulit. Edhe gjatë studimeve, vetëm sa përmendej, sidomos për ndikimin që ka pasur te ndonjë poet, jo ma shumë. Ndërkaq, ky poet, prozator dhe gjuhëtar, edhe pse nuk ishte i ndaluar në Kosovë, u la në heshtje deri në rënien e komunizmit, kur filloi botimi i librave të tij.
Siç po e shihni, edhe në kopertinë, edhe në brendi të librit, lart, shkruan: “Ali Podrimja 1955”. Ali Podrimja ka lindur në vitin 1942. Sipas kësaj del që këtë libër e ka blerë kur ishte në moshën 13-vjeçare, si nxënës i shkollës fillore. Ka zëra që thonë se poeti ishte më i vjetër sesa që i shënohej në biografi. Cila është e vërteta, nuk e di. Po një gjë e di, në krijimtarinë e Ali Podrimjes nuk haset ndonjë gjurmë ndikimi i poezisë së Martin Camajt.
Librin e ka botuar shtëpia botuese “Mustafa Bakija”, Prishtinë 1954, ndërsa është botuar në shtypshkronjën “Milladin Popoviq”.
Tirazhi: 5 000 kopje.
Sali Bytyqi
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66