Dy fjalë në përvjetorin e njëzetegjashtë të themelimit të Universitetit të Tetovës
Abdulla Mehmeti
MBI FILOZOFINË E NGADHËNJIMIT DHE FITORES
Me themelimin e Universitetit të Tetovës, më 4 qershor 1994, me gjithë pengesat dhe sakrificat, u realizua e drejta për arsimim të lartë në gjuhën amtare e shqiptarëve në Maqedoni;
– u hapën shtigje të reja, perspektiva dhe rrugë për krijimin edhe të institucioneve të tjera të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, Fakulteti Pedagogjik në Shkup, Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup, Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë dhe institucione të tjera publike e private të arsimit të lartë;
– gjuha shqipe u avancua, si gjuhë e arsimit, shkencës, administratës, kulturës dhe komunikimit ndërkombëtar në nivele akademike;
– çështja e arsimit të lartë në gjuhën amtare, me themelimin e Universitetit të Tetovës, e avancoi çështjen politike dhe kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni në nivelet më të larta të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare;
– nga mungesa më elementare edhe e mësuesve të shkollave fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe, mungesa e kuadrit profesional në institucionet kulturore dhe shkencore, dhe sidomos në administratën shtetërore, sot vërshojnë nga kuadri i arsimuar dhe ngritur profesionalisht në këtë institucion, të shndërruar në vatër kombëtare të dijes dhe progresit;
– nga gjithsej njëqind e ca kuadro me tituj shkencorë, në të gjitha fushat, sot kuadrot shqiptarë me tituj shkencorë, nga radhët e shqiptarëve në Maqedoni, përbëjnë një armatë të tërë profesionistësh me shkollim të lartë dhe pasuniversitar, qindra magjistra dhe doktorë të shkencave, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botën e jashtme;
Për të gjitha këto, studentët dhe mësimdhënësit, të punësuarit, partnerët në bashkëpunim dhe dashamirët e arsimit, shkencës dhe artit, për jetë të jetëve duhet t’u jenë mirënjohës, nismëtarëve, drejtuesve të parë të organeve të Universitetit, mësimdhënëseve, asistentëve dhe administratorëve, kontribuuesve me financa, lobime, përkrahje politike e diplomatike, objekte dhe ndihma të tjera, si dhe studentëve të gjeneratave të para, të cilët kanë qenë mburoja e çeliktë e Universitetit, e arsimit të lartë në gjuhën amtare.
Atyre që nuk janë sot mes nesh, drejtuesve të Universitetit, mësimdhënësve dhe dëshmorëve të arsimit, në përvjetorin e njëzetegjashtë të themelimit të Universitetit, shpirti iu bëftë dritë mes pishtarëve të arsimit kombëtar!
Qoftë i bekuar Universiteti i Tetovës, shkolla shqipe, gjuha shqipe dhe arsimi kombëtar!
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66