Qortim me unin tim
Ç’je ti brenda meje, uratë, mallkim apo gjëmë, energji që më mbushë me dashuri apo urrejtje, fuqi e bredshme pozitive apo negative? Pse ti uni im rri brenda meje i fshehur e tinëzisht më nxitë e detyron të kritikoj , përqeshë e shaj të gjithë, përveç vetes sime? A vetëm unë jam i mirë e i mençur, kurse të tjerët jo? Për të dalë në pahë egoja ime mbi të tjerët më ke hidhëruar me të gjithë miqtë e shokët e mi më të mirë. Pse ti uni im i jep të drejtë vetëm vetvetes e të tjerëve jo, mendon se vetëm ti je i parë e i mbarë e të tjerët pas teje, të duket vetja se je më i miri i kēsaj bote dhe e ke shpallur vehten zot. Pse ti uni im kritikon autoritetet e larta politike shtetërore, kulturore e intelektuale, mos ndoshta duke kritikuar e poshtëruar ata dëshiron të rritesh vet? Pse më ke bërë të merrem me problemet e të tjerëve, t’ua mbaj gajlen e të brengosem për të tjerët e jo për veten e familjen time. Duke u munduar t’ju jap mendtë të tjerëve harrova të edukoj e t’i jap mend vetes sime, i harrova hallet e dertet e mia familjare. Kush jam unë që të kritikoj e t’ju jap mendtë burrave të mëdhenj të kombit, politikanëve, të fortëve kur vet fare s’jam kurrgjë para tyre. Ligësia më e madhe njerëzore paskërka qenë egoja, kafshë më e shëmtuar e fshehur brenda meje paskërke qenë ti uni im, egërsirë e pakrahasueshme njerëzore. Turpi më i madh botëror është të mendosh se vetim ti je më i miri e të gjithë të tjerët janë të poshtër, të gjithë janë të paditur e vetëm ti uni im je i gjithdijshmi,
Ti uni im, aq shumë më ke robëruar e më ke bllokuar mendjen, shpirtin e vetveten më ke dalë para e me hijen tënde tē shëmtuar më ke bërë që ta harroj se kush jam e si jam, më ke bërë qe ta harroj vetveten e familjen time, më ke bërë të harroj e korrigjoj veset e mia për shkak kryeneqēsisë sime kam harrua të ulë kokën time të zbrazur teposhtëzê, për shkak kallirit tim të zbrazur mendor e shpirtēror më ke bërë djallëzor e dinak, pisë, të pamoralshëm e të pa cipë, ndaj të tjerëve ofendues e ndaj vetes engjëllor, askush s’ka të drejtë përveç drejtësisê sê egos sime, më ke bërë aq egoistë e të palumtur pse bota s’vepron si themi ne e egoja ime.
S.Mehazi
Sulejman Mehazi
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66