Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi deri më 29 maj, derisa të shqyrtojë lëndën e dërguar nga kjo parti, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit.
“Gjykatën Kushtetuese me shumicë votash, vendosi: Të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi si dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës , nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën një të këtij diapozitivi”, është thënë në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, duke e komentuar vendimin e fundit, për pezullimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se ky pezullim mund të vazhdojë edhe pas 29 majit.
Mehmeti një gjë të tillë e ka vlerësuar si të drejt, sidomos pas tensionimit të situatës në vend.
“Vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese e vlerësoj të drejtë, sidomos pas tensionimit të situatës dhe mbi të gjitha Gjykata Kushtetuese mbrojti rendin juridik. Pas 29 majti Gjykata mund të vazhdojë pezullimin, ose të jep verdiktin final të saj, që mund të jetë në favor të njërës ose tjetrës palë”, ka thënë Mehmeti, të premten për “Bota sot”.
Tutje, ai është shprehur se nëse pas 29 majit, Kushtetuesja rrëzon dekretin e Thaçit, atëherë sipas Mehmeti, ky i fundit duhet të jap dorëheqje nga posti i presidentit.
“Por, nëse pas 29 majit Gjykata Kushtetuese e rrëzon dekretin e Thaçit, ky i fundit duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet, pasi nuk mund më të qëndroj në atë pozitë, por deri atëherë pres që të shtohen sulmet e presidentit që Gjykata Kushtetuese të merr vendime në favor të dekretit të tij”, është shprehur ai.
Krejt në fund, analisti Mehmeti ka theksuar se pret që në ditët në vazhdim të ketë presion nga ana e presidentit drejt Gjykatës Kushtetuese.
“Të presim dhe të shohim, por pres shtim të presionit nga Thaçi drejt Gjykatës Kushtetuese, kur dihet se tani po luhet edhe me fatin e tij”, ka përfunduar njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.
Kujtojmë se edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e ka vlerësuar lartë trajtimin që i ka bërë Gjykata Kushtetuese kësaj lënde, pasi sipas saj në këtë mënyrë “vendosja e masës do të parandalojë shkaktimin e një dëmi të pariparueshëm në kuptim të funksionimit kushtetues dhe ligjor të institucioneve më të larta kushtetuese në vend”.
Osmani ka thënë se në disa komente që i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese ka argumentuar se “vendosja e masës së përkohshme mbi ekzekutimin ose ndërmarrjen e veprimeve që rrjedhin nga dekreti është po ashtu e domosdoshme për shkak se vetëm në këtë mënyrë do të garantohet që Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë në sistemin tonë politik, nuk do të marrë vendime që mund të rezultojnë kundërkushtetuese, e që për pasojë do të dëmtonin rëndë besimin e publikut dhe vetë integritetin e këtij institucioni”.
Kurse, përmes një shkrimi në Facebook, presidenti Thaçi ka ftuar partitë politike që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tha se Qeveria në detyrë ka tendencë ta përmbysë rendin kushtetues duke refuzuar t’i zbatojë këto vendime.
“Qeverinë e Kosovës, partitë politike dhe të gjitha institucionet e Kosovës i ftoj që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos e pengojnë punën profesionale të saj. Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues”, shkruan ai.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66