Flamur i paqartë
Shoqëria frymon si një organizëm i vetëm
me trupin brenda trupit
pavetëdija e saj është realiteti ku mbarsen të gjitha regjimet…
totalitare,
autoritare,
demokratike
Pavetëdija e saj është shtrati ku lindin,
ku ushqehen,
ku rriten
për t’u shfaqur me tonin shkëlqimtar të pushtetit
që ngacmon vetëdijen…
Të ngacmuara edhe elitat
shkëlqejnë në postmodernizëm e shkëlqyeshëm
kombinojnë çorapet me kravatën prej zotëriu!
Duhet të gjesh hënën e tyre
për të kuptuar dritëhijet e miteve!
Të gjitha proceset politike
në varësi reciproke qelben erë
format autoritare të shpërndarjes së vlerave
vuajnë paaftësinë e të dashuruarit
e vdesin pa dashuri…
Në varësi reciproke dhe trupi brenda trupit
shpejton kalbëzimin
Regjioni i vonuar i antitrupave i gëzohet gjysmëfitores që ka humbur thelbin
e valëvitë flamurin e paqartë të regjimeve…
Legjendë
Inkuizitori i Madh është kthyer buzë varricës për të djegur trupat
pa xhyben e shtrenjtë të qëndisur me fije ari,
pa rasën e ashpër e të vjetër
duket aq ndryshe me uniformën e ligjvënësit
sa nuk i ngjan as Kardinalit,
as bashkëvuajtësit.
Të pafatët e arkëmorteve nuk ishin heretikë,
por dhe po të ishin…
liria e tyre e pakushtëzuar nuk vlejti
as sa një përshpirtje!
Asnjë arsye sado e shëndoshë nuk ma shëndosh mendimin,
nuk ma shëndosh trupin,
as shpirtin nuk ma shëndosh!
E sterilizuar më të lehtë e kam t’u besoj mrekullive
sesa arsyes disiplinuese!
Brenda legjendës ku ndodh mrekullia
qiejt lëvizin si kurbat e lëvizshme të rrojtjeve
askush nuk i sheh
askush nuk i njeh
më të lehtë e kanë t’i besojnë ligjvënësit të ri
të rendit të ri botëror
që bën statistikat e rrojtjeve!
Rrugët e zbrazëta e të bërrylta
janë skenat më të reja të një legjende të vjetër…
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66