Pas deklarimeve të fundit të Baton Haxhiut, për tri opsionet që do të duhej sipas tij të përfshihen në marrëveshjen në pritje për nënshkrim me Serbinë, ka reaguar ashpër profesori i së drejtës Muhamet Kelmendi, sipas të cilit, Baton Haxhiu, ky element pro serb që jeton e vepron në Kosovë, është i porositur për ta përgatitur edhe opinionin publik, nga Hashim Thaçi dhe sejmenët e tij, për ta pranuar arritjen e marrëveshjes me Serbinë, duke përfshirë në pako, përveç ndarjes, edhe amnistinë dhe faljen e krimeve të luftës, në këmbim për amnistimin e tij nga Gjykata Speciale. Kelmendi thotë se nuk është e rastësishme paraqitja e Haxhiut në publik me deklarimet e dhëna sepse ky është një paralajmërim serioz i një projekti të tillë që e kanë harmonizuar Thaçi e Vuçiqi, e që sipas tij do të realizohet me kalimin e kohës, sa më shpejtë që përgatitet opinioni i brendshëm por edhe ai ndërkombëtar, sidomos disa vende të BE-së që akoma e kundërshtojnë projektin e tillë. “I kemi tri elemente që duhet t’i ketë marrëveshja, e para është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj, e dyta ka të bëj me amnistinë, në të dy vendet, se pas 20 vjetëve s’kanë çka dënohen njerëzit dhe e treta është definimi i Veriut, çka duam me Veriun, nuk ka probleme tjera me marrëveshjen”, kishte thënë Baton Haxhiu në një emision në një televizion të Kosovës. Profesori Muhamet Kelemdni thotë se baton Haxhiu, si një nga këshilltar dhe bashkëpunëtorët e afërt të Hashim Thaçit, është plotësisht i informuar me rrjedhat e ecurisë për marrëveshjen që do të arrihet, prandaj e ka thënë një të vërtetë të plotë që parashihet të jetë pjesë e marrëveshjes finale, pasi që konturat kryesore të kësaj marrëveshje ka kohë që janë bërë publike, edhe pse në formën dhe versionin jo zyrtar.
“Konturat për marrëveshjen me Serbinë veç janë përcaktuar dhe ato tash me veç janë në kanalet vendimmarrëse. Çështja është si të përgatitet skena politike e Kosovës dhe disa shtete në BE për atë marrëveshje të dhimbshme. Sipas të dhënave që kanë dal nëpër diplomacitë perëndimore përcaktohet një marrëveshje që në fakt e ndanë dhe e copëton vendin tonë”, thotë Kelmendi për “Kosova Sot Online”. Sipas Kelmendit, me këtë marrëveshje, me kalimin e kohës parashihet zhbërja e plotë e Republikës, shtetit të Kosovës, pasi të jetë ndarë një pjesë nga Serbia dhe ajo mbetje, pas një administrimi të shfrytëzuar nga ndërkombëtarët, ti bashkohet shtetit amë Shqipërisë.
“Republika e Kosovës me atë marrëveshje duhet dhe merr fund.
Mbetet vetëm bashkimi i trojeve të mbetura me Shqipërinë. Dhe kjo përsëri ka vështirësi, sepse përcaktohet një afat prej 99 vjetëve që të nis veprimi konkret për bashkim. Natyrisht se elementet pro serb, si Baton Haxhiu etj, i dinë këto të dhëna. Ata janë mirë të informuar dhe kanë për detyrë të përgatitin terrenin për marrëveshje me Serbinë”, thotë Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”. E për tu bërë ky Pazar i madh, sipas Muhamet Kelmendit, duhet të ndodhë edhe amnistia e krimeve të luftës nga të dyja anët, me këtë vjen edhe deri te shuarja e Gjykatës Speciale dhe kështu realizohet plani i Hashim Thaçit që të shpëton nga kjo Gjykatës dhe ndarja e veriut, për të marr disa fshatra të Luginës së Preshevës. Të gjitha këto informacione, sipas Kelmendit, i posedon Baton Haxhiu, bashkëpunëtor i ngushtë i Hashim Thaçit por edhe i Vuçiqit, kurse arritja e këtij objektivi, në fazën e tanishme, sipas Muhamet Kelmendit arrihet duke e pasur LDK-n në krye të Qeverisë.
“Matrapazi shqipfolës Baton Haxhiu e din se me marrëveshje ka amnisti gjenerale nga të dyja anët, dhe se nuk do të ketë as reparacione të dëmeve nga lufta. Kuptohet se veç është përcaktuar që Veriu të kalon në anën serbe dhe disa pjesë të Kosovës lindore në anën e Kosovës. Edhe Mitrovica, Ujmani, Trepça, Bujanovci janë tema. Po kështu edhe ex territorialiteti. Vetëm se këtu është bërë një ndryshim. Nëpër manastiret serbe do të vendosen forcat e BE-së. Tash po pritet të merr pushtetin Qeveria e koalicionit me LDK-në . Ata mendohet se shumë lehtë kalojnë e në anën e Thaçit dhe marrëveshja është akt i përfunduar. Natyrisht se Thaçi tërë marrëveshjen po e ndërlidh me Gjykatën Speciale. Kjo, për faktin, që të ndalet puna, sepse Thaçi ka shumë frikë. Në fakt tëra çështjet kalohen nga Thaçi, përveç Gjykatës. Me atë tërheqje të punës dhe përfundimin e ndjekjeve me amnisti, përfundon Gjykata dhe Thaçi mendon se shpëton. Pra, kemi shumë skenarë të përgatitura e të cilat po planifikohet të futen në veprim gradualisht së bashku me LDK-në”, potencoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.
Në krejt këtë projekt marrëveshje, sipas Kelmendit, peshën më të madhe për Hashim Thaçin e ka shuarja e Gjykatës Speciale, prandaj është futur si element amnistomi i dyanshëm i krimeve të luftës.
“Me marrjen e pushtetit nga LDK do të vazhdon kontakti dhe kuptohet edhe marrëveshja është shume afër. Se si do të jetë përfundimi varet kryesisht nga SHBA dhe faktorët relevant të BE-së. Për Thaçin me rëndësi është vetëm Gjykata Speciale. S’ka rëndësi territori, e ardhmja e Republikës, pushteti etj. Me anën e asaj se ndalet puna e Gjykatës Speciale ka pretendime që gjoja të mbrohet UCK. Por, kjo është jo e drejtë. Thaçit nuk i intereson fare UCK-ja, atij i intereson vetja e vetë dhe asgjë tjetër”, thotë Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66