Tashmë duket se dita ditës masat do të lehtësohen dhe rikthimi i normalitetit ndoshta është shumë pranë. Por, gati 2 muaj izolim, sigurisht kanë ndikuar në trupin tonë. Shëndeti fizik dhe ai mendor gjithashtu, janë dobësuar. Mungesa e lëvizjes, shpesh herë abuzimi me ushqimin dhe qëndrimi thuajse “vegjetativ” gjatë izolimit, tashmë i ka bërë të gjithë të ndihen më të lodhur dhe të pafuqishëm. Për këtë arsye, për të qenë në formë teksa dilni nga izolimi, duhet të ndiqni disa këshilla të thjeshta mjekësore.
1.Filloni aktivitetin fizik
Palestrat mund të jenë të mbyllura, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të kryeni aktivitet fizik në shtëpi. Mjafton të bëni disa ushtrime, aerobi, apo thjesht pak minuta ecje për të vënë në lëvizje muskujt tuaj. Të rriturit duhet të kenë të paktën 150 minuta në javë aktivitet fizik të çfarëdolloji.
2.Pini ujë
Duhet të qëndroni të hidratuar, për të eliminuar nga trupi toksinat dhe mbetjet. Kjo është thelbësore për një sistem imunitar të fortë. Mundohuni të shmangni pijet me kafeinë dhe shtoni sa më tepër sasinë e ujit që pini. Rekomandohet që të konsumoni 1.5-2 litra ujë çdo ditë.
3.Filloni të merrni suplemente
Për t’i siguruar trupit tonë gjithçka që i nevojitet për një sistem imunitar të shëndetshëm, këshillohet që herë pas here të përdoren edhe suplemente. Në këtë rast kjo këshillë ka akoma më tepër vlerë, pasi izolimi ka ulur në mënyrë drastike ekspozimin ndaj diellit. Prandaj, këshillohet që të merrni Vitamina D, të cilat forcojnë imunitetin dhe janë vitaminat që trupi merr normalisht gjatë ekspozimit në diell.
4.Shmangni alkoolin
Gjatë karantinimit, përdorimi i alkoolit është rritur ndjeshëm në mbarë botën. Shumë njerëz i janë drejtuar pikërisht pijeve alkoolike, për të kaluar ditën gjatë izolimit. Por, kjo ndikon negativisht jo vetëm në shëndetin tuaj fizik por edhe atë mendor. Mundohuni që të shmangni pirjen e alkoolit, pasi dobëson qelizat tuaja imune dhe mund të shtojë nivelin e stresit.
5.Hani më shumë fruta dhe perime
Frutat dhe perimet mund të bëjnë mrekulli për sistemin imunitar. Ato janë të mbushura me vitamina dhe minerale, të cilat janë thelbësore për trupin tonë. Mundohuni ti përfshini sa më shumë në vaktet tuaja dhe krijoni një dietë të balancuar, sipas nevojave të trupit tuaj.
6.Flini mirë
Sipas fakteve shkencore, mungesa e gjumit dobëson sistemin imunitar dhe rrjedhimisht na bën më të rrezikuar ndaj sëmundjeve. Por, nëse përpiqeni të hani ushqime të rregullta, me orare të caktuara, atëherë edhe gjumi do të jetë më i qetë. Gjithashtu, evitoni ndryshimin e orarit të gjumit çdo ditë, pasi krijoni konfuzion në sistemin tuaj. Nëse keni problem me gjumin, mund të pini një gotë qumësht përpara se të shtriheni, pasi është një qetësues shumë i mirë për trupin.
7.Menaxhoni stresin
Me kufizime bllokimi, frikë financiare dhe shqetësime shëndetësore të vazhdueshme, shumë njerëz kanë arritur në kulmin e stresit. Sigurisht edhe shtimi i stresit ndikon në sistemin imunitar. Prandaj duhet të përpiqeni të tregoheni të balancuar, të menaxhoni stresin. Stresi i lartë shkakton shkarkim të kortizolit, i cili forcon inflamacionet.
Burimi: TheSun|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66