Dr.Musli FERATI
Para se të eksploroj këtë tabloid obskurantist mbi kataklizmën e shoqërisë indigjene shqiptare, do të përpiqem me disa fjalë të evokoj një bashkëbisedim fare të rëndomtë por me mesazh proverbial. Kështu, gjatë shkuarjes time në punë me autobuzin e transportit urban, shoferi, një njeri energjik, në bisedë e sipër, ku për temë kishim korupcionin dhe krimin e organizuar në shoqërinë shqiptare, pa asnjë prapavijë dhe tendencë anekdotike më tregoi se çka i kish ndodh në një qytet në Danimark me një fëmijë 5 vjeçar:
Një ditë, duke vozitur autobusin urban u ndala në një vendndalim për udhtarët që shfrytëzojnë transportin publik. Rastisi hypi një fëmijë 5 vjeçar dhe më nxorri paratë për t’ i dhënë biletën, dhe unë si kavalier i providencës sonë alla shqiptarçe me ironi i thash: ik more mistrec, ulu atje! Ai me indinjatë ma ktheu: meri këto para se të njetat do të shkojnë në arkën shtetërore! Ky fëmijë ndoshta nuk ka kapacitet intelektual dhe kognitiv që ta konceptoj se çka është buxheti i shtetit, por është edukata e drejtë dhe vetëdija e lartë qytetare që të gjithë danezët si popull dhe komb i bënë qytetarë të përgjegjëshëm dhe me kod të pastër të vëtëdijes njerëzore dhe asaj kombëtare, padyshim. Si të tillë kanë ndërtuar dhe po zhvillojnë një shoqëri dhe shtet të pasur dhe mjaft të fortë, siç padyshim është Danimarka. Ky mentalitet dhe ndërgjegje e lartë qytetare haset tek të gjitha vendet dhe shtetet e zhvilluara, ku prona dhe pasuria kolektive ruhet dhe mbrohet si sytë e ballit dhe paraqet vlerën superlative për të cilën nuk bëhen dhe tolerohen transakcione të prototipit: kap çka të kapish! Fjala është për uzurpimin e egër dhe të pamëshirshëm të pronës kolektive nga të gjithë ne që flasim gjuhën e moçme shqipe në trojet tona stërgjyshore. Duke u nisur që nga hordhitë e tërbuara të shtetit shqiptar që pas rënies së diktaturës komuniste plaçkitën dhe grabitën tokat dhe pasuritë e tjera të patundshme dhe të tundshme që kishte lënë shteti komunist e deri tek klanet e ndryshme politike në Kosovën e posaçliruar, të cilat inkasuan miliona euro në xhepat e tyre të thella nga buxheti i shtetit, mortaja e vjedhjes dhe aneksimit të pronës dhe pasurisë shoqërore nuk ka të ndalur. Ne shqiptarët e Maqedonisë nuk kemi rastin të manifestojmë këtë hajni ndaj pasurisë shoqërore, ngase padronë të vërtetë janë oligarsët e palës maqedone. Do të isha shumë i lumtur sikurse ne shqipfolsit e Maqedonisë të kishim sado pak sens dhe respekt ndaj pronës dhe pasurisë shtetërore, por fjalët dhe veprimet tona çapraz nuk të japin hapsirë për një verdikt të lartë civilizues. Sidoqoftë, janë dy momente kyç që mundësojnë një histeri frenetike të grabitjes dhe shpërdorimit të pronës, vlerave dhe pasurive të ndryshme shoqërore: e para qëndron në sistemin tërësisht të koruptuar të drejtësisë dhe rruatjes së rendit, kurse kësaj ia shton vrullin dhe efektin helmues vetëdija jonë e mjegulluar dhe e satanizuar kundrejt vlerave materiale dhe shpirtërore me rëndësi të madhe kolektive, gjegjësisht kombëtare, siç janë shkollat, spitalet, objektet e tjera kulturore, bregdeti, rrugët, venbanimet, pyjet, ujrat, pasurit nëntokësore minerale. Të gjitha këto monumente të rëndësishme për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare janë përvetësuar dhe shkelur pa mëshirë nga orekset tona të pangira për pasuri dhe para duke i shitur dhe stërshitur shumë lirë personave të pandërgjegjëshëm, qofshin ato edhe të huajt me një të kaluar antishqiptare. Për një kohë realtivisht të shkurtër në shoqëritë e shteteve shqipare u diferencuan dy katëgori njerëzish: kasta e personava të pasur dhe shumica e njerëzve të varfër të cilët mbetën rrugëve pa punë, të varfër dhe në disa raste pa kulm mbi krye. Ky diskriminim dhe segregim i popullatës përveç tjerash armiqësoi dhe ashpërsoi raportet ndërnjerëzore duke krijuar një mjedis toksik shoqëror me mospajtime dhe konflikte të mëdha brenda komuniteteve të trungut shqiptarë, gjithandej gjeografisë së tokave dhe shteteve tona kombëtare. Me një katandisje të tillë kriminogjene kundrejt vlerave dhe sistemeve që garantojnë mbarëvatjen e proceseve dhe aktiviteteve me rëndësi vitale kombëtare u rrënuan dhe degjeneruan arsimi, shëndetësia, kultura, ekonomia, infrastruktura dhe stabiliteti i shtetve shqipfolëse në të gjithë ballkanin perendimor, me që sot notat dhe diplomat blihen me pare dhe jo me dije, kurse shërbimet e ndryshme mjekësore fitohen vetëm me dhënien paraprake të rushfeteve mjekëve të etshëm për para-lexo euro apo dollar amerikan. Sot është pamundur që të fillosh një bisnes ose ndërtosh një shtëpi sado të vogël pa mos dhënë disa mijëra euro funkcionarëve dhe nëpunësve shtetërore si bakshish për nënshkrimet dhe fermanet tyre djallëzore. Cdo gjë në mjediset shqiptare i është nënshtruar tokmakut të mitos dhe korupcionit, për të pasuruar një klikë të vogël pushtetarësh dhe për të varfëruar edhe më shumë shumicën e qytetarëve të manipuluar dhe plaçkitur. Protagonistët e aktiviteteve kriminogjene përdorin refrenin e çoroditur se të gjitha këto akuza janë të pa baza ngase nuk kanë asnjë prove juridike dhe aktvendim gjygjësor. Mirëpo harojnë të tregojnë se si djemt e tyre të harbuar vetëm kafen e mëngjezit në plazhet e Copa Cabanës e paguajne 18 mijë euro, kurse fitueses së medaljes së artë në lojrat olimpike i lëshojnë vetëm 2 mijë euro në vit. Madje, nuk është çudi kur ndonjë ditë do të informohemi se sulltanët e shteteve tona demokratike edhe kapuchinot e pas mesnatës në hotelet luksose të Stambollit i kanë paguar 50 mijë euro. Në këtë konstelacion të degjeneruar raportesh dhe transakcionesh koruptive ndërmjet administratorëve shtetërorë dhe qytetarëve të thjeshtë pëson mirëqenia e përgjithshme sociale ngase kemi venbanime me rrugë të ngushta dhe të bllokuara, pa ujë të pijshëm në muajt e nxehtë të verës sidomos, gramadha ndërtesash dhe pallatesh shumëkatëshe, pa asnjë lulishte, park dhe hapsirë tjetër të gjelbërt. Ndërkaq, edhepse qytetarët paguajnë fatura të mbufatura për rryme elektrike, sistemi i distribuimit të energjisë elektrike mbetet për 5 dekada i pa renovuar. Ndotja morbogjene e ambientit jetsor mbetet dhe vazhdon të përkeqësohet dita ditës me deponi të egra mbeturinash dhe pisllëqe infektuese, gjithandej. Në qytetet me shumicë ku jetojnë, banojnë dhe udhëheqin shqiptarët aq keq menaxhohet me ujësjellësin, sa që edhe i gjithë lumi i madh i Amazonit nuk ka gjasa të na furnizojë me ujë të pijshëm, ngase në çdo 50 metra kemi nga një punkt të autolarjeve, kurse të gjithë qytetarët me manire të ekonomisë së kullotave vadisin kopshtet dhe oboret e tyre përreth shtëpive me ujin e pijshëm të ujësjellësit të qytetit. Edhepse e dijmë se çka është uji teknik ne nuk e kuptojmë rolin dhe rëndësinë e tij në jetën e përditshme. Ky keqpërdorim barbar i ujit të pijshëm të çon të mendojsh se nuk ka qytetar i cili e drejtkupton se uji është jetë, nga se nuk mund arësyetohet shprehia e pronarëve të dyqaneve që me orë të tëra freskojnë ambientet rreth e përreth lokaleve të tyre afartiste me ujin e pijshëm. Të gjithë ne e shohim këtë llakërdi me ujin e ujësjellësit dhe nuk reagojmë fare, kurse mund të durojmë që me orë dhe ditë të tëra gjatë verës të mbetemi pa ujë në shtëpitë tona. Jetoj në katin e shtatë të pallatit dhe prej kësaj perspektive shihet qartë se në të gjith qytetin nuk ka mbetur asnjë dru apo lis i cili sado pak do të ajroste dhe filtronte ajrin prej të cilit të gjithë ne furnizohemi me oksigjen. Ishte para një viti vetëm parku dhe disa drunj përeth Xhamisë së Pashës, edhe ato i prenë keqbërësit dhe tani vetëm mund të frymëzohemi me gazrat e veturave dhe pluhurin vdekjeprurës të pullazeve me qeramide të mykura. Këtë rrezik potencial dhe serioz për shëndetin dhe jetën e të gjithë qytetarëve askush nuk e sheh dhe për ironi debatojmë e diskutojme natë e ditë mbi traktatet e diplomacisë botërore dhe fuqive të mëdha, kinse ne dijmë më mirë t’i rregullojme punët dhe çështjet globale. Për të kompletuar këtë mozaik të pashpresë të ambientit jetësor ku jetojmë dhe me që mbahemi patriota dhe shqiptar me yll në ball dua të potencoj edhe dukurinë e shfarosjes së pyjeve si pasuri nacionale duke i pre drunjtë dhe të njejtët i eksportojmë për pak pare që të ngrohen qytetarët e shteteve të huaja ose për të bërë mobilje të cilat ne pastaj 10 fish më shtrenjtë i bjejmë. Jemi tregtar dhe ekonomist të njohur në të gjith botën; shit lirë dhe blej 10 fish më shtrenjtë ! Shitblerjet e këtilla monstruoze në dëm të kauzës sonë kombëtare nuk bëhen vetëm me anë të pyjeve por edhe me kuadrot tona të reja univerzitare: është i madh numri i studentëve të talentuar dhe të diplomuar të cilët duke mos gjetur punë në vendlindje marrin rrugën e emigrimit në shtetet e zhvilluara të perendimit. Në të kundërtën duhet ose të paguaj rushfet 20 mijë euro për një vend pune ose të pajtohet që natë e ditë të ngjes pankarta dhe banderola nëpër muret e pallateve, gjegjësisht të bëhet truprojë, pardon shofer i ndonjë kryeshefi të administratës publike. Decimalizimi dhe ruinimi i pakthyeshëm i kapitalit shoqëror nuk përfundon këtu; byrokratët e qeverive çdo ditë nënshkruajnë kontrata dhe tendera me afarist të shteteve të huaja për importimin e produkteve ushqimore, edhe pse të njetat prodhohen nga bujqit e vendit dhe ofrohen në treg me kualitet dhe çmim më të volitshëm. Në këtë drejtim prijnë firmat e inkriminuara kineze për ndërtimin e rrugëve, tuneleve dhe urave të cilat akoma pa u inaguruar prishen dhe rrënohen nga rrëshqitjet e dheut. Këto dhe shumë kaparosje në katër sy e kanë shëndruar vendin e shqipeve në teritor mjaft të rrezikshëm për të jetuar dhe punuar, kurse mjerimi dhe skamja do t’i gllabërojë shumë shpejt edhe ata që për momentin i kanë mbushur xhepat me para të fëlliqura nga aktivitetet e tyre të paligjshme, nënkupto të kundërligjëshme.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66