Shqiptari më shumë i beson politikanit sesa vetëvetes
Janë mbledhur tog beglerë e agallarë të partive politike shqiptare në Maqedoninë Veriore për të caktuar datën e Zgjedhjeve Parlamentare pospandemike, të gjithë ama bash të gjithë partitë shqiptare bëhen gati për të hyrë nën ombrellën e qeverisë së re të Zaevit. Kryetarë, anëtarë të kryesive qendrore , simpatizantë e militantë i kanë spërhellur dhëmbët për t’i bërë më të bukur, gojët e gjuhët e tyre përgatiten për lavde e gënjeshtra para popullatës, fytyrat e tyre do bëhen të pudrosura, të lyera e të përlyera për t’u bërë të ri e më të bukur për shkak kampanjës zgjedhore, teshat e tyre do ndriçojnë para votuesve shqiptarë. Ngadalë he burra, beglerë e agallarë shqiptarë, keni hendeqe të mëdha, mos bëni hop pa kaluar gropën e madhe të marrëveshjeve tuaja politike.
Mos harroni se të njëjtët jeni, 28 vjet të njëjtat veprime politike, plotë fraza premtimesh e patriotizmash para hyrjes në qeveri, plotë lavde e gënjeshtra pas hyrjes në qeveri. Më ngadalë e burra se aq i lezetshëm është pushteti saqë prej burrit të fortë patriot të transformon në grua të butë e prostitutë. E dini se parajsa më e lezetshme, më e këndshme e kësaj bote njerëzore është pushteti, e mule me vrap për ta kapur pushtetin, mos harroni se kjo parajsë, më vonë, për ju mund tē transformohet në ferrin më të keq Zekar, ku e përmend dhe Zoti në librin e Tij të shenjtë, Kuranin. Sesa i këndshëm, i ëmbël e mashtrues është pushteti do t’ju tregojmë fjalët e sinqerta e shumë domethënëse të një ish-funksionarit të lartë politik:
“Pasi mora postin e lartë, pa bërë një muaj e pyeta sekretaren për datën e rrogës sime? Për çudi, ajo më tha, ditën që keni marrë postin udhëheqës së kësaj ministrie(drejtorie), ju kemi lëshuar honorare të përditëshme. Sa herë që futja kartelën time në bankomat për t’u furnizuar, aq më shumë më rritej suma e parave në bankë, llogarite sa e lezetshme është qeveria, sa më shumë që merrja para në zhirollogarinë time, aq më shumë më shtoheshin paratë, kurrë nuk zvogëloheshin.”
Pra, ngadalë e mos bëni hop pa mos kaluar jazin, ju politikanë shqiptarë të kohës së Zaevit. Me shekuj të tërë popullata shqiptare ju ka zënë besë politikanëve e sa keq janë mashtruar. Ne më shumë besojmë, sesa mendojmë e analizojmë, prandaj për herë mashtrohemi e gënjehemi lehtë.
Populli jonë më shumë ju beson politikanëve, sesa vetëvetes, prandaj kemi qenë, jemi e do të jemi kështu si jemi.
@S.Mehazi
Sulejman Mehazi
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66