Mos u vini veshin mesazheve të gabuara të televizioneve dhe filmave, që e konsiderojnë intimitetin dhe seksin sikur janë vetëm për të rinjtë. Unë nuk besoj se ju, ashtu si edhe gjithë të tjerët, të keni parë ndonjë skenë intime me të moshuar në reklama ose në filma! Kjo nuk reflekton të vërtetën.
Shumë të moshuar edhe pse në moshën 80 dhe 90 vjeç, kanë akoma fantazi dhe dëshira seksuale. Natyrisht, seksi nuk do të jetë ashtu siç ishte në 20 vjeç, por intimiteti do të jetë plot kënaqësi.
Burrave të moshuar u duhet më shumë kohë për të arritur ereksionin. Ereksionet e tyre nuk janë më të forta dhe nuk zgjasin shumë kohë. Shumë burra me humor thonë se, “u duhet një lugë këpucësh, ose u duhen gishtat për të ndihmuar penetrimin e penisit në vaginë.
Kjo është fiziologjia. Por, sot, mjekësia seksuale ka arritur suksese të mëdha. Ajo është e aftë të ndihmojë burrat dhe gratë, që vuajnë pasojat seksuale të moshimit.
Ka rreth pesëmbëdhjetë vjet që Viagra ka hyrë në tregun farmaceutik me shumë sukses. Ajo dhe shoqet e saj Levitra e Cialis, bënë një revolucion të vërtetë në jetën e të moshuarve, ndaj, ato janë barnat më të shitura kudo në botë.
Ato nuk duhet të konsiderohen më si barna luksi, por duhen të përdoren pas vizitës tek doktori dhe me rekomandimin e tij. Në një artikull të botuar në Dita më parë, kam propozuar që sigurimet mjekësore duhet t’i rimbursojnë këto barna të mrekullueshme për të moshuarit, që nuk kanë mundësi financiare t’i blejnë. Këto barna që përmirësojnë shëndetin seksual të të moshuarve, bëjnë që të përmirësohet shumë edhe gjendja e përgjithshme e tyre. Rimbursimi i tyre do të ishte një vlerësim i merituar për të gjithë të moshuarit.
Këto barna përdoren në dy mënyra. Mënyra e parë është kur ato merren përpara aktit seksual. Burri e merr Viagrën 30 minuta para se të fillojë lojën seksuale. Cialis ka efekt 36 orë, ndërsa Levitra ka efekt edhe më të gjatë. Që këto barna të kenë sukses, pas marrjes së tyre duhet patjetër lojë seksuale.
Mënyra e dytë është kur Viagra dhe Cialis merren nga goja me doza më të vogla për ditë, siç merret çdo bar tjetër për sëmundje të zemrës, të vazave të gjakut ose tensionit arterial të lartë. Kjo mënyrë e dytë është më e mire, sepse i mban vazhdimisht të hapura vazat e gjakut që çojnë gjak në penis.
Ka raste kur këto barna nuk të ndihmojnë. Në rastet kur këto barna nuk të ndihmojnë, doktori mund të rekomandojë mënyra të tjera siç janë: injeksionet direkt në penis me prostaglandina, ose barna të tjera më të lira. Pompat vakum të penisit. Kirurgjinë vaskulare në penis. Protezat e penisit e të tjera.
Siç e shihni, mundësitë janë pa fund. Por mentaliteti regresiv, që e konsideron aktivitetin seksual tek të moshuarit të panevojshëm dhe turp, pengon. Të gjithë duhet të kuptojmë se aktiviteti seksual tek të moshuarit është me vlera të mëdha për shëndetin. Në radhë të parë, këtë duhet ta kuptojnë vetë të moshuarit dhe mjekët e tyre. Të moshuarit duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi për të përmirësuar jetën seksuale.
Ka edhe një faktor tjetër shumë të rëndësishëm, që pengon jetën seksuale të të moshuarve. Ai është faktori psikologjik.
Aftësia për të bërë seks, varet jo vetëm nga gjendja trupore, por edhe nga gjendja mendore e personit. Mos harroni, truri është organi kryesor seksual tek njerëzit.
Në qoftë se shqetësohesh, ndruhesh dhe të vjen turp që ke akoma ndjenja dhe dëshirë për jetë seksuale, nga që je i moshuar, ky ankth do ta pengojë eksitimin seksual. Këtu nuk ka vend për turp. Jeta seksuale është pjesë me rëndësi e jetës dhe funksion fiziologjik i domosdoshëm. Ai duhet të kryhet gjatë gjithë kohës në përshtatje me kushtet e moshës dhe të shëndetit.
Kur njerëzit moshohen, nuk ka dyshim, që edhe pamja e tyre e jashtme ndryshon. Kjo bën, që disa të moshuar të ndjejnë se emocionalisht nuk janë të papërshtatshëm për t›u përfshirë në marrëdhënie seksuale. Kur në fytyrë dhe në trup duken shumë rrudha dhe në kokë duken më shumë flokë të zbardhur, ata ndjejnë se janë më pak tërheqës, seksualisht, për të tjerët.
Ata krijojnë imazh të keq për trupin dhe kjo pakëson dëshirën për seks. Gratë, më shumë nga burrat e moshuar, ndjejnë se me imazhin trupor që kanë, nuk e meritojnë vëmendjen seksuale të partnerit. Ky është gabim shumë i madh. Në këtë periudhë të jetës, kur burri ka nevojë për më shumë përkëdhelje që të aftësohet seksualisht, gruaja largohet fare. Për arsye të imazhit trupor, ata i mohojnë vetes lumturinë seksuale.
Edhe disa probleme mjekësore, nga të cilat zakonisht vuajnë të moshuarit, e prishin jetën e tyre seksuale.
Dhimbjet kronike, operacionet dhe disa sëmundje mund ta bëjnë më të vështirë dhe të dhimbshëm aktivitetin seksual. Ka disa barna që i prishin funksionet seksuale. Barnat që merren për të ulur tensionin e lartë të gjakut e ulin dëshirën për seks dhe prishin ereksionin.
Antihistaminikët, antidepresantët dhe barnat acido-bllokuese të stomakut, kanë, gjithashtu, efekte anësore që e prishin funksionin seksual të burrit. Në qoftë se përdorni nga këto barna, bisedoni me doktorin tuaj për problemet shëndetësore dhe për barnat që e ulin aftësinë seksuale.
Doktori, po qe se do të interesohet, do ta gjejë mundësinë që t’i pakësojnë këto efekte negative të sëmundjeve dhe të barnave. Në qoftë se doktori nuk tregon interes për këto shqetësime lidhur me seksin, por të thotë: “Hiq dorë nga seksi dhe shiko shëndetin”, unë të këshilloj ta lësh atë doktor dhe të shkosh tek një tjetër më i mirë.
Dr.Adem Harxhi
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66