Presidenti Trump ka habitur gazetarët sot kur deklaroi se është duke marrë paraprakisht hidroksiklorokinën për të parandaluar infektimin nga virusi Korona.
“Unë jam duke e marrë – hidroksiklorokinën”, tha Presidenti, gjatë një shkëmbimi me gazetarët, në një tryeze të rrumbullakët ku kishte thirrur udhëheqës të industrisë së restoranteve në Dhomën e Darkave Shtetërore të Shtëpisë së Bardhë.
Ai tha se po merr nga një hapje në ditë, që prej një javë e gjysëm tashmë.
“Mendoj se është mirë. Kam dëgjuar shumë historira. Dhe nëse nuk është mirë, po jua them, nuk do të pësoj gjë prej saj”.
Mjekët që përballen me ortekun e të sëmurëve nga COVID-19 kanë përdorur një seri barnash e metodash në përpjekje të dëshpëruar për të shëruar pacientët në gjendje të rëndë. Ndonëse disa barna kanë dalë në pah si më të suksesshme, asnjëra prej tyre nuk ka rezultate bindëse. Çfarë ka funksionuar për disa pacientë nuk ka dhënë fryte për të tjerë. FDA, administrate federale që merret me ligjërimin e miratimin e barnave në SHBA, ka dhënë një leje të kujdesshme për remdesivirin por ende jo për hidroksiklorokinën.
Kjo e fundit, një version i kininës klasike që është përdorur historikisht kundër malaries ka pasur disa mbështetës të bujshëm. Kur Presidenti Trump u bë një prej tyre, ai u akuzua se ka interesa biznesi te firmat që e prodhojnë.
“Nuk kam asnjë interes biznesi te kjo”, u tha ai gazetarëve sot. “Po kam dëgjuar se shumë mjekë e infermierë po e marrin”. Ai tregoi për një mjek nga Ëestchester-it, që i ka shkuar se po ua jep pacientëve të tij dhe se deri tani nuk ka pasur asnjë të vdekur.
Presidenti Trump nuk e përmendi emrin e mjekut. Ilaçi përdoret sot sidomos për të luftuar “lupusin” një çrregullim kundërimunitetit dhe pacientët jeta e të cilëve varet prej tij janë ankuar se nuk e gjejnë dot më në treg për shkak se disa kanë vrapuar dhe e kanë blerë në sasi të jashtëzakonshme pas deklaratave të Presidentit.
Dy studime masive në New York, secili me nga 1,400 pacientë, provuan hidroksiklorokinën, por arritën në përfundimin se nuk jep ndonjë epërsi në luftën kundër COVID-19.
Javën e kaluar, instituti i njohur i studimeve mjekësore e farmaceutike, NIH, ka njoftuar se ka filluar një studim të ri, që do të gërshetojë hidroksiklorokinën me azitromicinën për të parë nëse kjo do të ndalojë përkeqësimin për dërgim në spital apo vdekjen e pacientëe që kanë simptoma të lehta ose të mesme të sëmundjes. Rreth 2,000 pacientë në SHBA do të përfshihen në studim.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66