Të qenit dikur popull i njëjtë, nuk do të thotë se tash bullgarët dhe maqedonasit janë një. Zhvillimet historike kanë krijuar identitete të reja dhe ajo që e thotë prof.Maleski sigurisht nuk nënkupton kthimin te i njëjti popull dikur, por vetëm se konstaton një fazë të mëhershme zhvillimi
Nga Daut DAUTI
(Fletë ditari pandemik)
E diel, 26 prill
Duhej të kisha xhiruar këtë skenë që më panë sytë sot pasdite te parku midis ndërtesave këtu në lagjen e Fushëtophanës. Ajo ishte një skenë për kamerë të fshehur. Gjithë ditën kanë dalë do të rinj e ndonjë më i rritur në ulëset e parkut, por me të parë një veturë policie që u parkua afër, ia mbathen “me të katra”! Dikush thotë se në perëndim janë të disiplinuar. Por kemi dëgjuar shpesh të kundërshtojnë këtë tezë. Po të mos ishin gjobat e larta, njësoj edhe ata do të ishin si ne, që edhe kur diçka ndërmerret për të mirën tonë, si në rastin e pandemisë, disa vetëm kur e shohin zorin bëhen të disiplinuar. Policia që erdhi për të vëzhguar nëse e shkel dikush orën policore, me sa pamë nuk zuri dikë, por këta që ikën sot, nga frika e ndonjë dënimi, sigurisht tjetër here do të mendohen para se ta shkelin orën policore.
Por se gjërat nuk janë shaka, fliste sot gazetari i Nova Makedonija-s së dikurshme, Mirçe Adamçevski. Pikërisht porosia e tij u drejtohej atyre që iu vijnë të rënda masat. Le të vijnë një ditë të shohin në Klinikën Infektive se si ofkëllojnë, kolliten e thërrasin pacientët për ndihmë, pa të shohim pastaj nëse do t’u përmbahemi rekomandimeve ose jo, thoshte ai.
E hënë, 27 prill
Një ditë e “shënuar” e demokracisë parlamentare në Maqedoni. Ditë kur para tre vjetësh, në Parlament, hyri “rruga” dhe u bë rrëmujë. Ishte një rast i paprecedent, madje më radikal se ajo përpjekja e vitit 2001, kur qe djegur vetura zyrtare e Lube Boshkovskit. Atëherë të paktën nuk u lënduan kaq shumë deputetë, e njëri prej tyre ishte lënë pa frymë (Zijadin Sela). Kur kujtojmë këtë datë, kujtojmë “skenaristët” dhe “regjisorët” dhe realizatorët e “marrjes së drejtësisë nga populli”, por dhe ajo që pasoi më vonë, i ashtuquajturi pajtim, i cili rezultoi me drejtësi selektive. Disa nga ata që vepruan në koordinim me ideatorët e ndërhyrjes për të penguar punën e parlamentit, disa deputetëve të VMRO-së, ligji ua mundësoi të shpëtojnë nga ndjekja penale, kurse njëri nga rojet e parlamentit, i cili ua kishte dhënë çelësat derëhapësve të amnistuar, sot vuan dënimin prej 7 vjetësh. Bile kryeprokurorja apo gjykatësja kishte deklaruar ka shpëtuar mire me aq!
Në Kosovë nuk pushojnë reagimet për deklaratën e këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, që ka thënë se ka pasur individë nga UÇK-ja që kanë kryer krime ndaj civilëve serbë. Kryeministri në detyrë e ka “falënderuar” (e ka shkarkuar) këshilltarin e tij Shkëlzen Gashi, ndoshta prapë me një hap të ngutshëm siç e bëri me ministrin Veliu dhe e futi qeverinë e tij në qorrsokak. Sepse, një analist kosovar, i cili e kishte sjellë deklaratën e tij të plotë, thotë se Shkëlzen Gashi nuk ka thënë më shumë se sa që ka thënë edhe Hashim Thaçi në OKB, ose Ramush Haradinaj, se UÇK-ja nuk ka bërë krime, me përjashtim të ndonjë pjesëtari në shenjë hakmarrjeje duke njollosur kështu idealet e UÇK-së. Në të vërtetë, në deklaratën e tij që e analizon ish-aktivisti i LVV-së, Rron Gjinovci (të cilit një natë Agim Veliu i tha se e mban mend kur gjuante gurë) mendon se poenta e këshilltarit të Kurtit ka qenë që të bëjë një paralelizëm midis krimeve që i ka bërë shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve kundrejt ndonjë krimi të veçuar (edhe Dik Marti ka përmendur një grusht njerëzish) nga ndonjë pjesëtar i UÇK-së…
Sa u përket këshilltarëve, mendoj se Albin Kurti ka problem serioz, sepse e kaluara ose bekgraundi i tyre është problem karshi diskursit patriotik që ka ndërtuar ai. Media kosovare përveç Shkëlzen Gashit, për të cilin thonë se ai me këto qëndrime ka qenë i njohur prej vitesh, kishin nxjerrë një deklaratë të një këshilltari tjetër, i cili hiq më pak paska thënë dikur se Skënderbeu ka bërë krime, kurse Perandoria Osmane jo! Trimi i mirë me shokë shumë, kanë thënë, por në rastin e Kurtit kjo mund të përkthehet ndryshe: çfarë trimi është ai që zgjedh këso këshilltarësh me qëndrime të pa akceptueshme për kauzat e tij?! Dhe vërtet u jep të drejtë kritikuesve të tij kur hedhin dyshime.
Reagime kanë shkaktuar edhe qëndrimet e gazetarit, tash “të pasivizuar”, Baton Haxhiu, i cili para dy ditësh “shpaloi” strategjinë (më të re) të dialogut, ku përfshiu gjykatën speciale(heqjen) dhe gatishmërinë për të hequr dorë nga ndjekja e krimeve të luftës. Ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe të tjerë i thanë atij se krimet e luftës asnjëherë nuk vjetrohen dhe nuk mund të falen. Fill pas kësaj ai kërkoi falje për keqkuptimin dhe dha sqarime se ç’ka dashur të thotë.
E martë, 28 prill
Si bombë jehoi një shkrim i prof.Denko Maleskit se maqedonasit dikur ishin një popull me bullgarët! Është vërtet e papritur, sepse prof.Maleski nuk njihet i afërt me VMRO-në ku që nga fillimi ka pasur një vijë probullgare, kurse ky ka qenë ministër në një nga qeveritë e para dhe nëse për nga provenienca mund të lidhet me ndonjë subjekt, atëherë do të duhej të ishte më afër me LSDM-në. Dorën në zemër, pas postit të ministrit të punëve të jashtme në qeverinë e parë pluraliste, ai qe larguar nga politika dhe gjithë ajo që mund të lidhet për emrin e tij, është një qasje fleksibile ndaj problemeve që i shtronin shqiptarët, duke pasur gjithnjë mirëkuptim për ta. Kjo, ndoshta edhe nga shkaku se familja e tij kishte relacione me shqiptarët (kanë jetuar në Shkodër para lufte) dhe se spikerja e parë e Radio Shkupit, është poashtu nga familja Maleski.
Pra, as me VMRO-në, as në diskursin nacionalist, por një intelektual mendjehapur dhe eksponent i maqedonizmës. Prandaj, kur të analizosh kontekstin kohor(marrëveshja me Bullgarinë për fqinjësi të mirë, paralajmërimet për disa kushte të reja nga Sofja që cenojnë identitetin kombëtar maqedonas), shumëkënd ka lënë gojëhapur teza e tij që sigurisht do të komentohet edhe ditëve në vijim. Ajo që mund të thuhet lidhur me këtë, është se ai vetëm ka shprehur një dozë realizmi lidhur me të kaluarën, sepse popujt në Ballkan, sidomos sllavofolësit, vërtet në ndonjë periudhë të mëhershme kanë qenë të gjithë sllavë (gjuha e tyre e afërt flet për këtë). Të qenit dikur popull i njëjtë dikur, nuk do të thotë se maqedonasit dhe bullgarët janë një. Zhvillimet historike kanë krijuar identitete të reja dhe ajo që e thotë prof.Maleski sigurisht nuk nënkupton kthimin te i njëjti popull dikur, por vetëm se konstaton një fazë të mëhershme zhvillimi. Ky fakt, ta marrin paksa edhe me dozë përmbajtjeje, ka qenë shkaku kryesor i rrugëtimeve gjer në paudhësi të elitës politike e shkencore maqedonase, brenda vetëm 70-80 vitesh prej se është krijuar shteti maqedonas, me gjitha nishanet(gjuha, gramatika, kultura… Janë tezat shkencore që janë zyrtarizuar, si popull sllav dhe janë tezat më të reja që i forcuan qarqet politike të VMRO-së me në krye Nikolla Gruevskin. Gruevski, duke marrë timonin e partisë nga ish-lideri i parë, Lubço Georgievski (i cili nuk se e ka fshehur ndonjëherë sentimentin bullgarofil), bëri një kthesë të çuditshme: në vend se të ballafaqohet me afërsinë objektive midis maqedonasve dhe bullgarëve, nxiti një numër intelektualësh që t’i mëshojnë telit antik, edhe pse në gjirin e po kësaj partie ende rreh zemra e sentimentit bullgarofil te një numër jo i vogël anëtarësh.
Pri 30, 2020
Në planin personal mund të kujtoj shumë polemika me redaktorin e Enciklopedisë (së tërhequr) të AMSHA-s, dhe disa autorë të tjerë, të cilët haptas bënë kauzë “shkencore” mohimin e historisë së shqiptarëve dhe teza ime kryesore drejtuar atyre ka qenë kjo: ju s’keni çka të merreni me historinë e popullit shqiptar, atë ka kush e shkruan, ju keni shumë çështje të historisë suaj për të pastruar! Një nga ato çështje që është dashur ta sqarojnë para popullit të tyre është pikërisht kjo që e përmend prof. Denko Maleski. Çfarë është ky kompleks që të mos ballafaqohesh me të kaluarën tënde? Kjo nuk do të thotë që të mohosh të tashmen dhe të ardhmen. Procese të kthyeshme historike nuk ka, por dielli me shoshë nuk mbulohet, kanë thënë. Sepse, nëse shkenca maqedonase mund të lëshohet në “retushim” të së kaluarës, siç janë zëvendësimet e termit “bullgar” me “maqedonas” te shumë dokumente arkivore (këtë në një shkrim para disa vitesh e kishte vënë në dukje prof.Maleski), këtë gjë nuk mund ta kërkojnë nga të tjerët, të cilët sigurisht se do të thirren në dokumentet origjinale, ku natyrisht, del një tjetër realitet.
E mërkurë, 29 prill
Vazhdoj aty ku e lashë dje. Pas tekstit të prof.Denko Maleskit, një reagim erdhi nga gazetari Zoran Ivanov, me një varg pyetjesh drejtuar atij…E pyet profesorin se ku ishte me këso qëndrimesh para 40 vjetësh, prej nga e nxjerr karakterin bullgar të Kryengritjes së Ilindenit ose identitetit bullgar të Goce Dellçevit, konstaton se vërtet ka qenë selektiv përdorimi i fakteve historike te maqedonasit, por njësoj kanë vepruar edhe të tjerët, pra edhe bullgarët, si dhe se është tepër i dyshimtë pohimi se Krste Petkov-Misirkovi për “separatizëm nacional”…
Tema është e koklavitur, dihet.
Edhe nga kjo fqinjësi e pasinqerte dalin dardha te shtrembëta…
Sihariq nga rasti i Kumanovës. Kryetari i komunës, Maksim Dimitrievski, i cili kishte dalë pozitiva javën e kaluar, njoftoi opinionin se në testin e dytë ka dalë negativ. Të njëjtën gjë e njoftuan nga karantini shtëpiak, ministrat Bujar Osmani dhe Arbër Ademi, të cilët kanë qenë në atë takimin e mbajtur në Kumanovë.
Në Kosovë kaos i vërtetë. Bëhet, s’bëhet qeveria Ka s’ka shumicë për qeveri të re. Intensifikohet dinamika e interpretimeve kushtetuese-juridike. Dramë me triller hiçkokian luhej me ardhjen nga Zvicra të deputetit dhe liderit të AKR-së, Bexhet Pacolit, aq shumë i nevojshëm për të siguruar shumicën pasi ndërkohë një deputet i pakicave doli “aut” për shkak të një dënimi. Situata është brengosëse, sepse nuk dihet si do të rrjedhin punët. Një mundësi radikalizmi është ajo që e parashikon Veton Surroi, që Kosova të ketë dy qeveri paralelisht! Të tjerët i tmerron fakti se Albin Kurti i ka hequr rrethojat rreth ndërtesës së Qeverisë, që “e lexojnë” si një parapërgatitje që kur të dalë prej aty, të mos ketë pengesa për të demonstruar aktivistët dhe përkrahësit e LVV-së
Situatën atje më së miri e përshkruajnë fjalët e analistit Faton Abdullahu: ”Qeveria në dorëheqje, po vepron thua se do të qeverisë edhe për një kohë të gjatë. E bindur se për këtë ka vullnetin e qytetarëve dhe mbështetjen kushtetuese dhe duhet të vazhdojë deri në zgjedhjet e ardhshme. Kurse qeveria në ardhje Hoti, jep shenja se konstituimi i saj është çështje ditësh dhe punë e kryer për katër vitet e ardhshme. Qeveria Kurti, duke hequr rrethojat tek ndërtesa e qeverise, duke mos dashur të lejojë hyrjen e z.Pacoli për të penguar kështu një votë në rast se prej saj varet konstituimi i qeverisë Hoti, duke përgatitur koreografi reagimesh politike edhe nga ballkoni, lë përshtypjen se jo vetëm se nuk e ka ndërmend të largohet pa u shpërbë Kuvendi ekzistues, por nuk do ta bëjë paqësisht. Qeveria në ardhje Hoti gjithashtu është e bindur se e ka përkrahjen e qytetarëve, shumicën e nevojshme dhe mbështetjen e kushtetutës gjithashtu. Pavarësisht të gjithave, kur gjithë kësaj t,i shtohet situata me pandemi, krejt kjo mund të quhet papërgjegjësi morale e politike dhe injorim deri në anashkalim të dëmshëm të interesave të familjeve tona, qytetarëve tanë por dhe krejt Kosovës. Kjo situatë mund të stërkeqet gjer ne përleshje jo vetëm politike dhe të bëhemi gaz i botës”.
Kjo situatë kur gjithkush i rreh telit të së vërtetës së vet, ose kur për një situatë jep versionin e vet, e ka marrë emrin sipas filmit të Akiro Kurosavës, “Rashomon”.
E premte, 1 maj
Na ishte dikur një festë punëtorësh, e prisnim me gjithë shpirt! Por sivjet, asgjë prej festës së 1 majit, ora policore që fillon prej orës 14, sigurisht i ka penguar të gjithë ata që kanë dashur te dalin në piknik siç kanë vepruar më parë. Të mos flasim më për 2 majin, ditën që nga kalendari i festave na e hoqën “djathtistët” tanë para do vitesh… Por 1 majit i dha njëfarë kuptimi koncerti i pasdites i këngëtarit të njohur Mustafa Imeri-Tafa, pikërisht në parkun tonë në Fushëtophanë, si një formë për të na e kaluar mërzinë a monotoninë e izolimit me disa serenata korçare, balada të njohura e këngë të vjetra qytetare. Një kontribut i Qytetit të Shkupit dhe Qendrës Informative Kulturore në kohë pandemie.
Një sihariq vjen nga Kosova. Po them sihariq në kuptimin se për një kohë do të ulen gjakrat rreth krijimit të qeverisë, sepse atje këtë çështje sikush e komenton si i përgjigjet, prandaj vendimi për pezullimin e dekretit te Hashim Thaqit per krijimin e qeverisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, deri në vendimin përfundimtar (brenda një muaji), i jep mundësi zgjidhjes institucionale të ngërçit politik.
E shtunë, 2 maj
Një porosi domethënëse nga Parisi e dha Elena Kadare për gjithë ata që nuk e zënë asgjë rrezikun nga corona-virusi. Ajo tha se edhe nëse mendojmë se nuk ka rrezik, duhet të jenë të ndërgjegjshëm, sepse nuk kanë përgjegjësi ndaj vetes, por dhe ndaj të tjerëve…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66