Një i ri është arrestuar nga policia, pasi akuzohet si një nga autorët e dyshuar të atentatit që tronditi Durrësin në muajin nëntor të vitit të kaluar, ku mbetën të plagosur prokurori Arjan Ndoja, miku i tij, Landi Muharremi dhe shoferi Andi Maloku. Ky i fundit ndërroi jetë në spital disa ditë më pas, për shkak të plagëve të marra.
Burime nga policia bëjnë me dije se në pranga ka rënë 29-vjeçari, Ariol Halilaj, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës, në kuadër të operacionit “Shkozeti”.
29-vjeçari akuzohet për veprën penale “përkrahja e autorit të krimit e kryer në rrethana cilësuese”, ndërsa ndaj tij është vendosur masa “arrest me burg”.
Sipas veprimeve hetimore, rezulton se Halilaj ka larguar me mjetin e tij autorët e krimit pas ngjarjes, nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen krimin.
Ngjarja e rëndë ndodhi në autostradën Tiranë-Durrës, pranë mbikalimit të Shkozetit. Pak ditë pas atentatit u vu në pranga i dyshuari kryesor i ngjarjes, Redjan Rraja.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës intensive që po kryen grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistë të Departamentit të Policisë Kriminale, Sektorit të Krimeve të Rënda në DVP Durrës, nën drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si rezultat i provave të siguara u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. H., 29 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës.
Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit e kryer në rrethana cilësuese”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se ky shtetas është bashkëpunëtori kryesor i autorëve të ngjarjes, pasi pas braktisjes së mjetit nga autorët, ky shtetas ka larguar me mjetin e tij autorët e krimit nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen krimin.
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve kryesorë të dyshuar të ngjarjes, konkretisht shtetasi R. Rr., 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë.
Gjithashtu, po si rezultat i kontrolleve të shpejta në territorin e Drejtorisë Vendore Durrës, brenda një kohe të shkurtër, në fshatin Shkafane, Durrës, është gjetur i braktisur mjeti tip “Benz”, me targë AA342LM, që dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes. Gjatë këqyrjes së këtij mjeti janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova të tjera materiale, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autorët, konkretisht: dy armë zjarri AK 47, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.
Policia e Shtetit, nën drejtimin e SPAK-ut, vijon punën për zbardhjen e plotë të kasaj ngjarjeje, kapjen dhe arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në të. Policia e Shtetit fton qytetarët që të telefonojnë në 112 apo Komisariatin Dixhital për çdo informacion të mundshëm për këtë ngjarje dhe për çdo paligjshmëri tjetër, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66