Të nderuar miq dhe bashkëfshatarë të fshatit Çiflik, lajmi pikëllues për ndarjen nga kjo botë e Mehmetriza Zeqirit- puçës Xah, më ka tronditur aq shumë, sa e kam vështirë të gjej fjalë ngushëlluese; sepse fshati ynë sot ka humbur një njeri shumë të çmueshëm, një njeri me plotë virtyte, një bëmirës dhe altruist të pashoq. Ishte një person i dashur, i përafërt, zemërgjerë, korrekt, por mbi të gjitha, guximtar dhe intelektual.
Largimi i tij ka krijuar një boshllëk të madh në shoqërinë tonë e më gjerë.
Ajo që më së shumti më ka bërë ta çmoj ka qenë padyshim thyerja e një akulli që me shekuj kishte mbuluar fshatin tonë. Ishte i pari që vajzës së tij ia dha mundësinë që ta vazhdojë shkollimin e lartë. Me këtë gjest fisnik, ai njëherit i fali një rreze drite errësirës sonë, duke shkatërruar disa tabu-tema dhe zhdavaritur njëkohësisht paragjykimet e pakuptimta që buronin nga injoranca dhe fanatizmi.
Kam shumë kujtime të mira me puçën Xah. Veçanërisht, nuk i harroj asnjëherë takimet e rastësishme kur debatonim për donjë temë të rëndësishme. Kuptohet, jo gjithmonë jam pajtuar me opinionet e tij, por prapëseprapë nuk më mungonte dëshira për të biseduar. Mrekullia qëndronte në faktin se ai nuk ishte prej atyre që kishin studiuar (rrethanat kanë qenë të tilla), por nuk bënte dallim, mbase për disa çështje kishte një qasje më të avancuar. Të gjitha këto e më shumë, ishin fryt i asaj që kishte lexuar vazhdimisht shtypin dhe të ngjashme.
Thjesht, ishte një personalitet i formuar dhe intelektual i regjur, e që fshatit tonë do t’i mungojë shumë.
Të nderuar miq, duke u mbështetur në thënien e Profetit: “Zoti me Mallin e tij bën atë që Ai vetë më së miri e di”…nuk na mbetet tjeter pos, të pajtohemi me këtë caktim.
Të mbledhim pra forcë, kurajo dhe fjalë ngushëlluese që ta ndajmë dhimbjen bashkë me të afërmit e tij.
Të ndjerin Zoti e shpërbleftë me Begatitë e Tij.
Familjarëve ua shtoftë durimin..!
Me nderime të përzemërta!
Lirim Alija, Rieti, Itali
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66