Ekspozita Kolektive “Unë dhe 1000 fjalë “
Nocionet që merren me artistiken, shekullin e fundit u begatuan me një medium të fuqishëm i cili ofron një larmí të pafundme perceptimesh, interpretimesh, ekzekutimesh dhe pse jo edhe dokumentimesh. Ky medium është fotografia, e cila regjistron shumëçka deri në detajet e (pa)dukshme. Duke u udhëhequr nga këto premisa, Galeria e Arteve Pamore në Tetovë, përmes konkursit me fotografi artistike me titull “Unë dhe 1000 fjalë” nxiti një grup fotografësh profesionist e amator që të demonstrojnë kreativitetin e tyre artistik. Pjesëmarrësit e këtij konkursi do të bëhen njëherësh edhe pjesë e aktiviteteve kulturore artistike të qytetit të Tetovës.
Fotografët pjesëmarrës ia arritën qëllimit të prodhojnë një “hapësirë artistike” duke bartur vlera autentike dhe unike të shtjelluara me zhdërvjelltësi teknike. Me këtë dëshmuan aftësitë e tyre në përdorimin e fotoaparatit si dhe mjeshtërinë në ndërtimin e fotografisë artistike, si medium vizual. Përshkrimi i mirfilltë i realitetit në një “ndjenjë” apo vizion brenda një kornize të vetme, duke përdorur kombinime të ndryshme të saktësisë teknike, bëri që fotografët të realizojnë një numër të madh pamjesh të ndryshme.
Edhe pse kah fundi i shekullit XX qyteti apo fotografia e rrugës u pa si një mundësi e qartë për efektet e fotografisë, në këtë rast kemi të bëjmë edhe me imazhe të ushqyera nga sfondi social, kulturor e fetar. Shumica e autorëve, temat tradicionale i shëndërojnë në një përshkrim të mrekullueshëm hapësirash të ndryshme fotografike, ku mbizotërojnë linjat gjeometrike të peizazheve. Gjithashtu kemi shkrepje që janë spontane të cilat funksionojnë në mënyrë të ngjashme me përvojën emocionale të vetë fotografit i cili me efektet dramatike të dritës bënë që disa sipërfaqe të shihen, e në disa të tjera edhe ne të përfshihemi në problemin analitik të saj. Pra, duke kapur madhështinë e kohës dhe hapësirës në një pikë të vetme optike, fotografët arrijnë të bashkojnë në një tërësi transcendentale përmbajtjen, formën dhe strukturën duke na bërë edhe neve dëshmitarë të tyre.
Kuptohet se nuk ka qenë punë e lehtë që nga tërë ai prodhim fotografik të përzgjidhet se cilat fotografi do të mund të ekspozoheshin. Por, pavarësisht nga kjo, Juria e cila përfaqëson vetëm njërin aspekt të shijes dhe vlerësimit, meqenëse jodomosdoshmërisht ajo e përcakton gjykimin final lidhur me një vepër artistike, kësaj rradhe duket se përzgjodhi veprat të cilat janë më unike dhe më specifike, ndërkohë që secila fotografi ka rrëfimin e saj!
Jëlldëz Asani
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66