Me 23 korrik të vitit 2000, ishte vrarë Shaban Manaj, në prag të zgjedhjeve të para lokale, vetëm një ditë pasi që janë shpall kandidaturat e Degës së LDK-së në Istog, ku ai ka qenë njëri nga kandidatët për zgjedhjet e para lokale në vitin 2000. Ai ishte themelues i Degës së LDK-së në Istog, kryetar shumëvjeçar i saj dhe anëtarë i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Është konsideruar si njëri nga bashkëpunëtorët e afërt të Presidentit dr. Ibrahim Rugova.
Po bëhen rreth dy dekada që ky rast sikur edhe shumë vrasje tjera politike të pasluftës nuk janë zbardhur.
Derisa flitet se mund të ketë edhe amnisti për këtë vrasje dhe të tjerat me motive politike, gjë e cila po kundërshtohet fuqishëm.
Deputeti i LDK-së Shkëmb Manaj, njëherësh edhe djali i politikanit të vrarë, tha për “Syri.net”, se nuk beson se në marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi dhe në asnjë marrëveshje tjetër mund të ketë amnisti për vrasjet politike.
“As unë dhe asnjë deputet i LDK-së nuk voton për një marrëveshje të tillë. Ne mbetemi të përkushtuar që drejtësia t’i zbardh plotësisht vrasjet me motive politike”, tha deputeti Shkëmb Manaj.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ka thënë se secili prej nesh duhet të mendojë për atë që po flitet hapur në qarqet diplomatike, që një marrëveshje e tillë mund të përfshijë edhe amnisti të krimeve të pasluftës dhe ku hyjnë vrasjet politike. Krimet e pasluftës që gati që të gjithë kanë qenë anëtarë të LDK-së.
“Ajo që mund ta them me përgjegjësi të plotë që diplomatë të rangut të lartë kanë thënë se një gjë e tillë është përmendur dhe ka mbi dy vite që kjo është përmendur, qoftë në negociata të fshehta nga në për një kohë, e qoftë kur është përmendur në konferenca të ndryshme, por jopublikisht”, ka thënë Osmani.
Kryekuvendarja megjithatë ka shtuar se një gjë e tillë megjithatë nuk do të ishte e papritur.
“Shpresoj që marrëveshja mos ta ketë një dispozitë të tillë për vrasjet e pasluftës, por nuk është e papritur prej një personi që është shndërruar në tregtar kufijsh”, ka thënë ajo.
“Syri.net”, ka kërkuar sqarime nga Zyra e kryeparlamentares, por që nuk ka marr ndonjë përgjigje.
Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi, tha për “Syri.net”, se legjislacioni jonë penal nuk njeh kurrfarë marrëveshje për amnisti.
Sipas tij amnistia mund të jepet vetëm me ligj përkatës, i cili miratohet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Edhe pse me amnisti ndryshohet vendimi i gjykatës, nuk ndryshon fakti se personi i caktuar e ka kryer veprën penale. Është e paarsyeshme amnistia për veprën penale të vrasjes dhe mund të ndikojë në mënyrë negative në opinionin publik, por e dëmton edhe parimin e barazisë para ligjit, duke amnistuar kryesit e veprave të rënda penale për të cilat nuk parashihet parashkrimi i veprave penale e as ekzekutimi i dënimit”, tha kryeprokurori Lumezi.
Ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, tha për “Syri.net”, se me të vërtet nuk është në dijeni për ndonjë iniciativë për amnisti për vrasjet politike të pasluftës.
“Këtë po e dëgjoj për herë të parë dhe si jurist pikë së pari e pastaj si gjyqtar, konsideroj se nuk ka mundësi ligjore të ketë ndonjë marrëveshje të tillë, pasi që këto janë vepra shumë të rënda penale dhe nuk ka të drejt të përfshihen me ndonjë ligj për amnisti”, the kryetari i Gjykatës Supreme Peci.
Edhe kryeprokurori special Blerim Isufaj nuk ka dashur të flas rreth kësaj çështje për “Syri.net”, sepse nuk ka asnjë informacion rreth kësaj.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor Skender Qoqaj, tha për “Syri.net”, se nuk mund të japi komente për opinionet e të tjerëve, sepse është në kundërshtim me Kodin e Etikës.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial Bahri Hyseni, tha për “Syri.net” se nuk është në kompetencën e tij që të flas.
Ndërsa këshilltari i presidentit, Adil Behramaj, tha për “Syri.net” se nuk merren me ato pallavra.
As nga Qeveria e Kosovës nuk kanë folur për këtë çështje.
Ashtu sikur zëvendës kryeministri në detyrë Haki Abazi, nuk është përgjigjur për “Syri.net” as ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66