Mbreme ne New York, ndahet nga jeta ILIR ALI HASHORVA, prej semundjes Covid-19, nje Intelektual antikonformist, patriot, shkrimtar, nje person fisnik qe gezonte respektin ne gjithe rrethin shoqeror e me gjere. Duke lene pas te shoqen, Linden dhe dy femijet Dritanin dhe Enin,si edhe motren e tij Dr. Hysnije Shtylla.
Desha te ndaj me ju miq, nje material te shkurter te jetes (pergatitur nga familja e tij) dhe veprimtarise se ketij Intelektuali Patriot, qe edhe larg atdheut, nuk u nda prej tij, me shume artikuj qe ai ka botuar prej vitesh ne publicistiken kombetare.
Ndahet nga jeta Ilir Hashorva
Këto ditë u nda nga kjo jetë në moshën 79-vjeçare Prof.Dr. Ilir Hashorva, në New York të SHBA-ve, ku ai me familjen kishte emigruar në fillim të viteve 2000. Iliri rridhte nga një familje Gjirokastrite – intelektuale dhe patriote. Kjo familje ka nxjerrë personalitete, që me aksione dhe me penë patën shumë merita, por që për arsye të ndryshme, herë politike e herë të lidhura me interesa të ngushta, nuk u vlerësuan ashtu siç iu takonte. Xhaxhai i Ilirit, Veliu, do të mbahet mend si një nga pasrilindasit e fillimit të shek. XX në qytetin e Gjirokastrës. Në vitet 1920-24 Veliu botoi në Gjirokastër gazetën “Drita”, e cila njihet si një nga gazetat e para të shtypit të shkruar shqiptar. Në vitin 1920 Veliu mori pjesë në Luftën e Vlorës. Deri sa u largua për në Turqi, ai ishte një figurë e rëndësishme në ngjarjet historike dhe politike të viteve ’20 në vend. Babai i Ilirit, Aliu ka qenë një figurë e spikatur e arsimit shqiptar nga vitet 30 deri në ato 50 të shekullit të kaluar. Ai ka drejtuar Normalen e Elbasanit dhe Tekniken e Tiranës, dhe pas 1944-ës ishte profesor në Gjimnazin e Tiranës, ku u akuzua për formimin e grupit social-demokrat. I vlerësuar profesionalisht si Inspektor i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Aliu gjatë vitit 1941 u caktua si Kreu i Misionit të Çeljes së Shkollave Shqipe në Kosovë. Gjatë këtij misioni Aliu spikati për formimin e tij intelektual dhe patriotik,duke kryer nje pune te jashtezakonshme, per hapjen e shkollave ne gjuhen Shqipe, te cilat ishin nje baze mjaft e rendesishme per arsimin e Shqiptareve te atyre trevave amtare. Për bindjet e tij anti-moniste dhe për qëndrimin e tij gjithmonë të drejtë dhe të pakompromis, pas viteve 50, profesor Aliu u diskriminua politikisht dhe e mbylli jetën duke punuar si punëtor krahu.
Iliri ka lindur më 1 Tetor 1941 në Tiranë. Pas përfundimit të Fakultetit të Inxhinierisë ai punoi në Pashaliman, në Tropojë dhe më pas në Institutin e Hidrometeorologjisë në Tiranë si Shef i Laboratorit të këtij instituti. Duke qene mjaft i rregullt ne jete, vështirë të mendohej se jeta e Lilit, siç e quajnë në familje, do të ndërpritej kaq shpejt dhe në mënyrë të befasishme pas përballjes me Covid-19. Iliri ishte njeri shumë familjar,studioz, mjaft kerkues, njeri fisnik dhe I dashur. Gjate viteve te fundit, me nje passion te pashoq ai arriti te shkruaje disa libra, per jeten dhe veprat e disa personaliteteve boterore si Gandhi, Mandela, Martin Luter King etj. Sa më shumë lexonte dhe shkruante, i frymëzuar edhe prej personazheve dhe karaktereve rreth të cilëve sillej puna e tij, aq më modest dhe i tërhequr bëhej, aq më me pasion fliste për veprat, vlerat dhe virtytet e njerëzve të mëdhenj si Ghandi apo Martin Luther Kingu – vlera, të cilat, sipas tij, duhej t’i kishin të gjithë njerëzit. E nëse nuk i kishin, duhej t’i mësonin.
Gjatë viteve të fundit ai pati një interes të jashtëzakonshëm për zgjerimin e formimit të tij kulturor, duke shkruar dhe botuar mjaft libra për figura të njohura botërore. Formimi i tij intelektual, pa dyshim i tejkalonte njohuritë teknike, për të cilat ishte shkolluar. Përveç botimeve monografike, Iliri u shqua si një penë e fuqishme edhe në fushën e gazetarisë, duke botuar mjaft shkrime me natyrë sociale dhe politike. Pas viteve ’90 ai përshëndeti me realizëm dhe përkushtim fillimet e Demokracisë në Shqipëri, duke pasur si çdo intelektual objeksionet dhe zhgënjimet e tij. Duke pasur një trashëgimi familjare demokratike dhe antikomuniste, në artikujt dhe mendimet e tij ai reflektonte gjithmonë qëndrimet e tij të djathta, kundër monizmit dhe diktaturës.
Në aspektin personal, Iliri ishte një burrë korrekt dhe i përgjegjshëm, një baba i respektuar. Ai ishte një njeri pa vese dhe gjithmonë besnik i të drejtës dhe i të vërtetës. Në rrethin farefisnor, për karakterin dhe edukatën, si edhe për formimin intelektual, Iliri ka qenë dhe do të mbetet një pikë referimi. Me shuarjen e Ilirit, familja dhe shoqëria kanë humbur modelin e një personi të cilësive të larta dhe të një intelektuali të gjithëformuar, për të cilët ka aq shumë nevojë shoqëria e sotme shqiptare.
Qofsh i nderuar kurdoherë me emrin tënd! U prefsh në paqe Lili ynë i dashur!
Familja
Mehmet Shtylla
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66