NAMAZI BORXH, HAJNIA ZANAT
Një hajn e kishin pas zënë duke e vjedhur një lopë, e kur e zunë, e çuan n’burg.
Kur erdhi vakti i akshamit, u çua hajni e po e fal akshamin.
Po e pyesin ata të burgosnit e tjerë:
– Çka po bën, more?!
– Po e fali akshamin, – u përgjigjet ky.
– Po, për çka të kanë shti n’burg?
– E kam vjedhur një lopë, – u tha ky!
– Po qysh bahet edhe vjedh, edhe falesh?
– Po, bëhet qysh s’bëhet, namazin e kam borxh e hajninë zanat, – u përgjigjet ky.
ASHT VAKTI ME E MJELË LOPËN
I kish pas zanë dy veta në hajni. Njëri kish pas vjedhur lopë, e ai tjetri sahata. I kishin pas çuar të dytë në burg, në një dhomë. Ai hajni i lopëve kishte qenë ngucakeq. Shpeshherë e ngucte, me fjalë, atë shokun e vet, e i thoshte:
– A thue sa asht sahati? Demek që ka vjedhu sahata.
Njëherë ai nuk i kthente përgjigje, po kur ia teproi, edhe ky ia nisi t’ia kthente përgjigjen.
Kur e pyeti ai, – a thue sa asht sahati?, – ky ia ktheu:
– Nuk e di se sa asht sahati, po asht taman vakti m’e mjelë lopën.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66