Në një seancë të Kuvendit të Kosovës pati përplasje mes deputetes së Vetëvendosjes, Drita Millaku dhe kreut të Kuvendit, Kadri Veseli. E gjitha nisi kur deputetja akuzoi kryeparlamentarin dhe presidentin Hashim Thaçi se kishin urdhëruar vrasjen e komandant “Drinit”.
Deputetja Millaku ka thënë se me urdhër dhe dijen e Veselit dhe Thaçit është vrarë komandanti i UÇK-së Ekrem Rexha, me pseudonimin Drini.
Pas kësaj, ka marrë fjalën edhe Veseli, i cili i ka kërkuar që në Kuvend të flitet për temën për çka është thirrur seanca, ndërsa për akuzat tjera flitet në janar.
Siç duket, Veseli pati fjalë për Gjykatën Speciale, që edhe më tej nuk dihet se kur do të dalë me aktakuzat e para, edhe pse Veseli sot përmendi muajin janar, si kohën kur do të nisin për të dalië në dritë të gjitha.
“Po kena me folë edhe për këto sene. Mos u ngutni. Veç ka marrë fund koha e ish Serbisë. Kena m’u ballafaqu për tana senet te zoti e te njeri. Me pasë dikush shqetësim shkon edhe te Prokuroria. E ka rrejtë kush i ka thanë diçka, me shiku brenda vetes e gjanë ma lehtë”, ka thënë kreu i Kuvendit.
Komandant Drini është vrarë pas përfundimit të luftës e vrasja e tij nuk është zbardhur asnjëherë, ndërsa deputetja e VV’së hapi temën e vrasjes së tij, duke thënë se në këtë ka gisht presidenti dhe kryeparlmentari.
Kjo, sipas saj, ka ndikuar që komandanti i vrarë as mos të dekorohet nga Presidenca.
“Kërkesa për dekorimin e Drinit është në sirtar qe katër vjet dhe asnjëherë nuk u mor parasysh”, tha Millaku.
Deputeti Dardan Molliqaj e ka kritikuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për fjalorin e përdorur ndaj deputetes së VV-së, Drita Millaku.
Veseli reagoi ndaj Millakut, pas akuzave të saj se Kadri Veseli e Hashim Thaçi janë urdhërdhënësit e vrasjes së komandant Drinit.
Veseli iu drejtua Millakut duke thënë se “nuk bën të lëshohet fjala si… p’e din ti”, duke thënë se do të zbulohet akuza e drejtuar ndaj tij nga deputetja. Millaku reagoi, pasi që një prej deputetëve të PDK-së tha se vjehrri i saj ka punuar me UDB-në.
E kur Molliqaj deshi ta pyes Veselin për këto fjalë të tij, ai kishte dalë nga salla paraprakisht, duke thënë se “nuk e di pse ky njeri ikë në këso raste”.
“A po mendon që duhet me bo qashtu, që guxon me bo qashtu, apo thjesht është njeri i papërgjegjshëm. Po pres kur të jetë këtu dhe të përgjigjet për ato fjalë që i tha ndaj deputetes tonë, Drita Millakut”, tha Molliqaj.
Akuzave të deputetes Millaku, iu ka përgjigjur edhe kryetari i PDK-së dhe i Kuvendit Kadri Veseli, i cili tha se do të përgjigjet secili për të bëmat dhe deklaratat e veta.
Veseli: S’do të ikë askush nga përgjegjësia për atë çka flet e çka ka bërë
“Është mirë kjo foltore të përdoret për gjëra të mirëqena dhe dinjitet. Po e vërej se është duke u përdor për gjëra që nuk i takojnë, megjithatë mos e ndalni, veq nuk është ta lëshoni fjalën sikurse po e dini, por është mirë të keni dinjitet, është mirë të merrni përgjegjësi për atë çka folni. Është mirë të merrni përgjegjësi edhe jashtë këtij Parlamenti të shkoni diku tjetër, por do të vijmë edhe tek ato gjëra ngadalë- ngadalë. Pritne prej janari do të vijmë me të mira shumë, nuk do t’i ikë askush në këtë dynja çka ka bërë e çka flet, veç ka marrë fund koha e ish Serbisë, ka marrë fund përgjithmonë dhe këtë futne në kokë dhe do të ballafaqohemi për të gjitha gjërat të zoti e të njeriu, a Kuvendi është për të folur për gjëra që kanë të bëjnë me qytetarët e Kosovës”, tha Veseli.
Deputetja Millaku gjatë seancës së paradites ka akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli se kanë dhënë urdhër për vrasjen e komandant Drinit.
Millaku: Komandant Drini u vra me urdhër e dijeni të Thaçit e Veselit
“Buxheti për presidentin veç kemi një rritje prej 20 përqind, pra gjysmë milioni kemi me shumë. Çka po i duhet kjo rritje buxhetit të presidentit, ku nuk i ka mbetur asgjë tjetër veç të takohet me Vuçiqin dhe të bëjë shpërndarje të dekoratave dhe atë pa kriter. E në anën tjetër kërkesa për dekorimin e komandant Drinit rrinë në sirtarë që katër vite, pra nuk e dekoron sepse me urdhër të tij dhe me dijeni të tij e të Kadri Veselit ai është vrarë”, tha Millaku.
Ndaj fjalës së deputetes Millaku ka reaguar deputeti i PDK-së Nezir Çoçaj, i cili ia ka përmendur se nëse dëshiron fakte për këtë t’i ndihmojë vjehrri i saj për të cilin tha se ka punuar në UDB(shërbimi sekret i Serbisë).
Çoçaj: Si reja e Sylë Millakut që ka punuar në UDB është mirë të keni fakte
“Drita Millaku si reja e Sylë Millakut, unë e di që Sylë Millaku ka fakte sepse ka punuar në organet e UDB-së dhe të Jugosllavisë, duhet të jetë më profesionale, është mirë me pas fakte kur thotë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin që kanë dorë në vrasjen e komandant Drinit, një ushtarak i respektuar edhe nga Thaçi, edhe Veseli dhe gjithë ushtarët e UÇK-së që kanë qenë në Zonën e Pashtrikut ku ka qenë komandant, komandant Drini. Prandaj që nëse ka fakte, është mirë që edhe Syla t’i ndihmoj kapak, sepse Syla është vjehrri i deputetes Millaku dhe ka pasur mundësi, nëse s’iu beson organeve të Kosovës t’i besoj organeve të Serbisë dhe përmes organeve të Serbisë t’i ndjek ata persona. Sa i përket gradave për polic, unë e di që burri i deputetes me gradë është i vogël por janë procedura që i bënë Ministria dhe nuk i bënë as Hashim Thaçi, askush tjetër”, tha Çoçaj.
Debati mes Millakut dhe Çoçajt ka vazhduar edhe më tutje ku deputetja e VV-së ka folur edhe për komunën e Prizrenit, ku kandidati i VV-së Mytaher Haskuka ka fituar zgjedhjet për kryetar të komunës.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66