Maksim Dimitrievski i shkretë me javë kërkonte që Kumanova të izolohej totalisht, por nuk gjeti mirëkuptim. Doli se duke luftuar me ngulm për të mbrojtur komunën e tij, edhe vetë të infektohet… Të shpresojmë se “Boris Xhonsoni i Kumanovës” do ta fitojë betejën, sikundër që edhe ministrat të dalin negativë. Por ka dhe një dozë papërgjegjësie personale: ai nuk e ka pa të udhës t’i informojë përfaqësuesit e qeverisë se e ka bërë testin për Covid-15, dhe tash ata në izolim presin në ethe mos dalin të infektuar!
Nga Daut DAUTI
(Fletë nga ditari pandemik)
E diel, 12 prill
Sot përsëri numër i lartë infektimesh me Covid-19, por për fat, pa rast vdekje. Si duket ky piku arrihet çdo të diele, sepse përderisa gjatë javës numri i të infektuarve çdo ditë sillej prej 40 deri 50, të dielën e kaluar kishte 72. Më doli i saktë parashikimi për humbjen e kontrollit që para disa javësh kur qenë kthyer mijëra punëtorë nga shtetet evropiane. Sepse, ja, kohë pas kohe na shpërthejnë vatrat e infektimit, ndërkohë që Shqipëria, ku një kohë printe me të infektuar, ka vetëm 1 rast të ri. Atje sot lajmëruan se ka më shumë të shëruar se të sëmurë. Edhe numri në total është pothuajse përgjysmë më pak se te ne. Kosovën dje e gjeti në befasi me afro 30 raste të reja, shifër kjo që paralajmëron shpërthime të reja vatrash.
U lajmërua se nga qendrat alternative të karantinës(hotelet e Strugës dhe Kodrës së Diellit) janë lëshuar qindra të izoluar të deritashëm. Nuk e kuptoj pse pas lëshimit u kërkohet që dy javët e ardhshme të jenë në izolim shtëpiak. Ata që ishin në izolim shtëpiak, pas dy javës, rëndom e fitonin “lirinë”. Hë, se do të harroja. Sot do të duhej të ishte ditë e zgjedhjeve parlamentare, por ato ishin ndër viktimat e para të korona-virusit.
E martë, 14 prill
Mbrëmë, në orët e vona, ministri i shëndetësisë i Kosovës lajmëroi për masat më të reja, shumë më rigoroze se ato për të cilat Gjykata Kushtetuese para do kohe tha se janë shkelje lirish dhe të drejtash të njeriut. Mu për këtë, oponentët menjëherë u kapën te aspekti formal-juridik, e jo se a janë në të mirë të shëndetit publik, apo jo. Në të vërtetë, për këtë nyjë krejt kanë ngapak faj. Sepse, nëse e vërtetë është se këto masa kufizuese (shumë më të komplikuara se ato në Shqipëri ose në Maqedoni me gjendje të jashtëzakonshme), mund të merren vetëm nga ana e parlamentit. Kryeministri në detyrë u përgjigj se qeveria merr masa sipas nevojës, e se a janë kushtetuese ose jo, ka kush e vlerëson.
Në të vërtetë, ajo që po i ndodh Albin Kurtit, është tashmë e parë, por veçse me role të ndërruara.
Në mbrëmje më bëri përshtypje intervista e gazetarit Milaim Zeka, i cili shprehu dëshpërim se si disa ekspertë krijojnë huti duke e marrë si shembull Enver Hasanin, ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai sikur deshi të thotë se në këtë situatë pandemie nuk duhet të merren me atë se a janë apo nuk janë kushtetuese, por a do të jenë efikase dhe në dobi të qytetarëve.
Intervista e Milaim Zekës te Fidani i T7-shit më bëri përshtypje edhe për një çështje që njerëzit e partive nuk e kuptojnë. Përderisa anëtarësia u beson verbërisht liderëve të vet, pozicioni intelektual duhet të jetë me një farë distance. Për të dëshmuar këtë, vetë Zeka u përkujdes që të jetë njëkohësisht kritik ndaj PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës por dhe ndaj LVV-së, sikundër që pozitivisht foli edhe për ndonjë kontribut të tyre. Me fjalë të tjera, qëndrimi duhet të jetë sipas punës, e jo sipas gunës…Kështu, ai tha se qeverinë e Kurtit e përkrah në shumë çështje që i ndërmori, që nga ndërrimi i bordeve e gjer te masat për pandeminë, por nuk la pa thënë se nuk pajtohet se anëtarët e dikurshëm partiakë të ndërrohen me aktivistë të tashëm partiakë, nuk është premtuar kështu. As u pajtua me politikën e jashtme. Sot them diçka kundër PDK-së, ose LDK-së, më vërsulen simpatizantët e tyre, nesër kritikoj ata LVV-së, më vërsulen këta tjerët, tha nikoqiri i tij…
E mërkurë, 15 prill
Hasha dhe Albini, që kanë disa qindra metra afër zyrat, komunikojnë me letra. Sot i pari ia paska përkujtuar të dytit se po e pret kandidatin për kryeministër, duke ia bërë me dije se do të bëjë çmos që Kosova sa më parë të fitojë qeverinë. Nga një zyrtare e LVV-së iu çua haberi presidentit se LVV-ja do t’i përgjigjet sa po të krijohen kushtet për këtë. Me fjalë tjera, prit gomar se del bar.
Nga ajo që mund të dëgjohet nga ekspertë juridikë, asgjë nuk është e qartë. Disa thonë se kushtetuta nuk i jep afat partisë që t’i përgjigjet presidentit dhe gjersa të mos ketë përgjigje, presidenti i ka duart e lidhura. Të tjerët kapen te një formulim kushtetues te fjala “mundet”, dhe gjersa nuk është “duhet” (kategorikisht), atëherë presidenti “mund” t’ia japë mandatin dikujt tjetër.
Më në fund, në një televizion kosovar, e pamë edhe personin “më të urryer“ nga BE-ja, atë që gatise Hashim Thaçi e ka shpallur “persona non grata”, pra, ndërmjetësuesin e ri të BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Llajçakun. Në intervistën me Adriatik Kelmendin, lidhur me rezervat që kanë kosovarët sepse vjen nga Sllovakia, vend që nuk e ka pranuar Kosovën, ai sqaroi se në misionin e tij nuk e përfaqëson vendin prej nga vjen, por 27 vendet e BE-së dhe se do të angazhohet bashkë me SHBA-të që ndërmjetësimi i tij të ketë sukses… Në të vërtetë duhet thënë se qëndrimet ndaj Llajçakut nuk kanë qenë aq diplomatike, pavarësisht rezervave, as nga Hashim Thaçi, e as i shumë të tjerëve. Rezerva ka shfaqur edhe ministri aktual në detyrë i punëve të jashtme, Glauk Konjufca. Fjalori acarues ndaj tij dhe BE-së, nuk janë shembulli më i mirë i komunikimit, pavarësisht se BE-ja po ia bën me hile sa u përket vizave.
E enjte,16 prill
Një ditë para se të hyjmë në karantinën shtëpiake pesë ditore, na vjen paralajmërimi serioz se assesi nuk duhet t’i mbyllim sytë para rrezikut, e as se në frymën e disa paralajmërimeve nga Evropa, duhet të lirohen masat: 107 raste të reja! Rekord deri tash, kërcim galopues nga një ditë më parë. Kjo e zbeh efektin pozitiv që sot janë shëruar 23 veta.
E keqja kurrë nuk vjen vetëm: me daljen pozitiv të kryetarit të komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievskit, edhe kryeministri teknik Oliver Spasovski, zv.kryeministri Bujar Osmani, ministrat Venko Filipçe, Arbër Ademi janë vënë në vetizolim shtëpiak, sepse dy ditë më parë ishin bashkë me të për të menaxhuar masat në Kumanovë. Dimitrievski i shkretë me javë kërkonte që qyteti të izolohej totalisht, por nuk gjeti mirëkuptim. Kryeministri Oliver Spasvoski kishte sqaruar disa herë se nuk mund të veprohet njësoj si në Dibër…
Doli se duke luftuar me ngulm për të mbrojtur komunën e tij, edhe vetë të infektohet, kurse duke qëndruar pranë tij, edhe shumë të tjerë do të jenë në rrezik. Në rastin e tij shihen edhe dobësitë e menaxhimit të pandemisë: ai testin e kishte bërë që para pesë ditësh, por tek sot i ka dalë rezultati. Në fillim të pandemisë, rezultatet bëheshin për disa orë, ose më së voni gjer një ditë. Por ka dhe një dozë papërgjegjësie personale: nuk e ka parë të udhës t’i informojë përfaqësuesit e qeverisë se e ka bërë testin për Covid-15! Të shpresojmë se “Boris Xhonsoni i Kumanovës” do ta fitojë betejën, sikundër që edhe ministrat të dalin negativë, siç me gjasë dhe për fat, do të jenë edhe dy liderët partiakë, Zaev e Mickovski, të cilëve izolimi iu kalon pas festës së pashkëve. Vetëm sot në Kumanovë janë 44 raste dhe brengosës është fakti se ka shumë punëtorë shëndetësorë.
Këto përgatitjet për pashkët, vërtet janë me shumë rrezik. Rastisa në një market para dy ditësh në Karposh, ku ishte rrëmujë e madhe. Në një afërsi trup për trup, ku me maska e ku pa maska, për t’u përgatitur për festë, sepse pesë ditë s’do të punojë asgjë. Nuk e di nëse këto rrëmuja e kanë bërë këtë numër infektimesh, duke kaluar 1000, por kam frikë se haraçin e pashkëve do ta shohim pas nja një jave me numër të lartë të infektuarish.
Pri 21, 2020
Nga ana e tij, kryetari Stevo Pendarovski e vazhdon gjendjen e jashtëzakonshme edhe për një muaj. Ai mendon se për këtë duhej të mblidhej Parlamenti, por me këtë nuk është pajtuar kryetari Talat Xhaferi, i cili që më herë ka thënë se kjo nuk është kushtetuese. Në të vërtetë ka një kontradiktë juridike, sepse deputetët marrin rrogë gjer në konstituimin e kuvendit të ri, që dikush logjikisht nxjerr përfundimit se në gjendje të jashtëzakonshme, mund të paraqitet nevoja për rikthim.
E premte, 17 prill
“Oj dele, mos ma turbullo ujin!”. Kështu ujku i kishte thënë deles, tek ajo qëndronte më poshtë rrjedhës së prockës. Por ujku, i forti i përrallës, ia lejon vetes ta akuzojë delen që të ketë pretekst që ta hajë! Kështu është në përrallë, por dhe në jetë. Nuk është përherë drejtësia ajo që vendos “raportet”, por kjo është botë ku të fortit u diktojnë të dobëtëve.
Kjo fabul m’u kujtua posa lexova sot në një portal për kushtet e reja që Bullgaria do t’ia vë Maqedonisë, por dhe Shqipërisë, në rrugën e tyre evropiane. Vendimi i Këshillit Evropian për fillim negociatash, mund të shndërrohet në një ankth të ri shumëvjeçar, sepse kushtet që Bullgaria ia ka vënë Maqedonisë (në një dokument në të cilin portali thotë se e ka siguruar), fqinji ynë lindor ka gjasë të shndërrohet në një Greqi të dytë. Sofja zyrtare do t’i vë kusht Maqedonisë që në dokumentet zyrtare të BE-së të mos përmendet fare gjuha maqedonase si zyrtare por një kategorizim tjetër (“gjuha oficiale a RMV”), kurse do të insistojë edhe në përfundimin e punës së komisionit të përbashkët për rishikim të historisë, ku siç dihet, çështja shkoi gjer aty sa të kontestohet përkatësia e pretenduar etnike(maqedonase) e disa figurave historike, siç është shtylla e maqedonizmës, Goce Dellçevi. Kësisoj, marrëveshja për fqinjësi të mirë që në mënyrë pompoze qe afirmuar në të dy vendetm, është duke u shndërruar në mekanizëm të paskrupull për të mohuar gjithçka që nënkupton identitet maqedonas. Në dokumentin në fjalë Bullgaria, e cila paraqitet nga pozicioni i të fortit, i atij faktori që është në BE dhe vendos për fqinjët e vet nëse do të vazhdojnë rrugëtimin ose jo (sepse ka të drejtë vetoje), e kushtëzon edhe Shqipërinë që të bëjë regjistrim ku do të parashihet “grafë” për bullgarë, duke supozuar se maqedonasit e Prespës së vogël dhe maqedonofolësit e Gollobërdës janë të përkatësisë bullgare. Kurse njëkohësisht, Maqedonisë së Veriut do t’i vë kusht edhe të mos trajtojë pakicën maqedonase në Bullgari.
Oj dele, mos ma turbullo ujin…
…
Pas të dhënave të djeshme shokuese me 107 të infektuar, sot një rënie e madhe, vetëm 36. Por kjo vetëm është dëshmi e relativitetit të gjendjes, sepse dita ditës nuk i ngjan.
E shtunë, 19 prill
Portalet e Kosovës janë përplot reagime për shkak të një ndihme humanitare të Serbisë (nja 1000 teste për virusin covid-19) dhënë Kosovës. Veton Surroi është njëri nga ata që e ka përshëndetur këtë gjest për të mos e politizuar, por ka dhe të tillë që thonë se Kurti ia mundësoi Vuçiqit që të jetë lajm në mediat botërore, e ndonjë tjetër e porosit Kurtin se “kurrë gjaku i dëshmorëve nuk do ta harrojë këtë”.
Në kohë pandemie nuk duhet të ketë vend për politikë. Krejt bota është e detyruar të bashkëpunojë, e nuk ka më mirë se sa kur fqinjët ndihmojnë njëri tjetrin. Dikush do të thotë: me kusht që ai fqinj të mos jetë Serbia. Por, gjestet e vogla ose të mëdha, mund të ndikojnë në përafrim edhe midis fqinjësh siç janë Kosova e Serbia, që ndërmjet kanë një hendek dhe një çështje të pazgjidhur. Mirë është kur këso gjestesh bëhen kur në krye të dy vendeve janë një Vuçiq nacionalist në Beograd, dhe një Albin Kurti, poashtu nacionalist, në Prishtinë, që për opinionet publike kanë shumëçka të papajtueshme. Por, po të mos ishte kjo kriza politike që u nxit nga një shkarkim i ngutshëm i një ministri dhe një mocion poashtu të pakohë, sprovën e bisedimeve me Serbinë duhej ta përjetonte Albini.
Albini dje më shumë se dy orë u përball me shumë pyetje të pakëndshme nga analistë “të kurdisur” siç komentuan disa në facebook. Por, njerëzit duhet të dinë se politikanët që marrin përgjegjësitë e mëdha, duhet dhe të jenë të gatshëm që t’u përgjigjen jo pyetjeve që u shkojnë përshtati, siç bënte Nikolla Gruevski kur shkonte te mediat që i ushqente qeveria e tij, duke krijuar një iluzion jashtë realitetit, por i atyre temave të rënda, për të cilat opinioni publik duhet t’i marrë përgjigjet. Zhdërvjelltësia dhe elokuenca për t’u dhënë përgjigje edhe pyetjeve më të papërshtatshme, u tregua në anketën që i dhanë përkrahje Albinit mbi 90 për qind e shikuesve që kanë votuar në TV Dukagjini.
Ky votim ngapak i ka frikësuar oponentët. Ndoshta edhe në LDK janë bërë pishman që e rrëzuan qeverinë e përbashkët, sepse çkado që bëjnë oponentët, rritet përkrahja LVV-së, ndaj dhe Albini duket shumë i relaksuar dhe insiston në zgjedhje të parakohshme. Qeverisë së ardhshme të LDK-së i vetmi shpëtim është mbyllja e kontestit politik me Serbinë pa prekje të territorit.
E diel, 19 prill
Sot lexova një reagim të një eurodeputeti bullgar pse qenka emetuar pikërisht për pashkët filmi “Pjesëloja e tretë”, ku flitet për deportimin e hebrenjve nga ana e pushtetit bullgar gjatë luftës së dytë botërore. Ky nuk është reagimi i parë bullgar, edhe kur qe shfaqur për herë të parë, pati reagime nga Sofja. Nuk e kam të qartë përse? Prej fakteve historike nuk mund të iket, por vetëm si akt civilizues, mund të distancohesh. Është fakt se Mbretëria bullgare ishte aleate e Rajhut të Tretë dhe se është i njohur edhe rasti i deportimit të hebrenjve në kohën e pushtetit bullgar. Por ajo që është edhe më habitëse dhe prej së cilës nuk mund të iket, mund ta gjeni te një botim i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të shqiptarëve, promovuar m 10 mars të këtij viti, “Legjislacioni bazik antisemitik i Mbretërisë Bullgare” nga autorët Vllado Popovski, Skender Asani dhe Nora Maliqi-Zylali, për të kuptuar se ky episod i makabër historik nuk ka qenë i rastit, sepse për këtë ka pasur dhe legjislaturë oficiale, por që, duhet thënë, se që atë kohë, qarqe progressive intelektuale e kanë ngritur zërin. Në saje të kësaj legjislature, mijëra hebrenj nga Maqedonia dhe Bullgaria janë dërguar në kampin famëkeq Treblinka. Ka pjesë nga historia e çdo kombi që nuk u bën nder, por prandaj dhe është në ndërgjegjen e gjeneratave që kanë ardhur pas të bëjnë distancimin e duhur, e jo si në rastin konkret të akuzohet dikush pse e ka emetuar një film që flet për një të vërtetë historike.
…
Ndihma humanitare e Serbisë, duket sikur nuk ishte një episod i përshtatshëm për imazhin e qeverisë kosovare në detyra. Për këdo tjetër s’do të paraqiste ndonjë problem, por jo dhe për vetë Albin Kurtin. Jo pse ajo ndihmë humanitare nuk ka ndonjë vlerë të madhe (si e tillë nuk duhet të kontestohet si një gjest i mirë nga fqinji), por kthimi në të kaluarën e Albinit, gjërat i bën ndryshe. Më bëri përshtypje një komenti i Mero Baze, analist nga Tirana, i cili e ktheu liderin e vetëvendosjes vetëm disa muaj prapa:”…në dhjetor të vitit të kaluar, kur Vuçiq premtoi ndërtimin e 100 shtëpive të shembura nga tërmeti gjatë vizitës në Tiranë në kuadrin e takimeve ballkanike, “Vetëvendosja” në Tiranë nuk la gjë pa thënë për qeverinë e Tiranës. Bile shkoi deri atje, sa të thoshte që Edi Rama po i pranon këto ndihma nga Serbia, që të lerë në hije krimet serbe në Kosovë dhe që Kosova të mos i kërkojë Serbisë dëmet e luftës për 100 mijë shtëpi të djegura nga lufta”.
E di, nuk e ka lehtë kryeministri në detyrë, sprova e ushtrimit të pushtetit janë ndryshe nga ajo e të qenit opozitar kur mund t’u mëshosh të tjerëve pa ndalë. Kur je në pushtet, duhet dhe të durosh goditjet e të tjerëve, me arsye e pa arsye…
…
Një ditë e qetë por e mërzitshme në izolim. Por, mërzinë disa fqinj të ndërtesave përreth e shfrytëzuan që t’i nxjerrin fëmijët e tyre te “luhajat”, ashtu si me të “vjedhur” por dhe pa kokëçarje. Nuk çanin kokën për orën policore as disa të rinj që luanin basketboll…Për këtë sfidim të masave, për hir të fëmijëve, ndonjë prind mund të paguajë gjobë të lartë.
Është një fqi i ndërtesës përballë, i cili mërzinë e tij e vret duke lëshuar muzikë me zërin në kupë të qiellit, sidomos në mbrëmje. Hajt se mund të jetë qefli dhe ia ulë stresin, por a e pyet veten nëse njësoj ndikon edhe te fqinjët!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66