Miq të dashur,
mos ma zini për të madhe pse unë të vërtetën e përkap ndryshe. Unë jam i lirë, i paparti, nuk kam asnjë interes, e asnjë fitim e përftimi, prandaj shprehem ashtu si arrij t’ i kuptoj dhe zbërthej intrigat politike dhe prapavijat.
Ndoshta nuk kam të drejtë, por koha do të dëshmojë, kush ka vepruar si duhet. Unë lutem të mos realizohen dyshimet e mija dhe të keni ju të drejtë, por një gjë e di: demokracia zhvillohet me ndryshimin e njerëzve, jo me despotizëm oriental!
Mendimi im vazhdon të mbetet tani për tani ky: në Kosovë kemi një përleshje, një luftë psikologjike mes të pasurve me shumë privilegje, pra shumë të lumturve dhe në mes të përjashtuarve nga pasuria, lumturia dhe barazia. Unë jam kundër kësaj oligarkie, mjaftë veta këtu mbrojnë ata politikanë që edhe fëmijët i kanë bërë milionerë.
Shumë herë kam pyetur veten, si është e mundur kjo, por përgjigjen nuk e kam gjetur. Dyshoja për favore, për shpresa për ndonjë pozitë, apo punësim, ndryshe nuk di si të shpjegojë pse jo i pasuri mbron politikanin milioner, që parat i ka vjedhur nga shteti i Kosovës.
Oligarkët janë në parti të ndryshme, por interesat dhe bizneset i kanë të përbashkëta, prandaj kur panë se shteti juridik e kishte seriozisht dhe mund t’i arrestonte, inskenuan dhe shembën Qeverinë.
A kishte Albin Kurti faj? Natyrisht se po. Një politikan i aftë nuk rrëzohet për taksat e Ramushit! Dhe, i forti, miku, duhet të lutet, si e bënte Rugova, jo të shpërfillet.
Kosova ka njerëz të aftë, por brezi i ri po pengohet.
Në kombin shqiptar gratë i kemi më të drejta se sa jemi ne burrat. Nëna i kemi pasur ose i kemi më të moralshme se etërit dhe kur të na qeverisin ato, do të kemi shumë më shumë drejtësi, barazi dhe lumturi.
Nëse kërkoni fakte, mjafton të pyesni për numrin e kriminelëve nëpër burgje: sa prej tyre janë burra, e sa gra.
Gjendja është e mjerë sepse kemi shumë burra nëpër vende udhëheqëse dhe shumë pak gra! Vjosa Osmani ishte shpresa e madhe, por oligarkët e LDK-së do të kujdesen për ta shkatërruar! Ata duhet ta shpëtojnë veten dhe pasurinë!
Tani për tani unë nuk shoh mundësi tjera reale, pos problemeve sociale dhe shpërnguljes!
Ju fituat dhe kthyet në pushtet ata që i shkatërruan imazhin Kosovës jashtë dhe ata që ndërtuan shtetin fisnor.
Urime,
tash duhet ta largoni disi edhe Vjosën dhe milionerët mund ta shkarravisin shtetin deri në vdekje! Juve në facebook ju mbetet rrahja supeve, apo ndoshta më shumë?
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66