Bota do të jetë radikalisht ndryshe, e ndryshe do të jetë edhe fuqitë e mëdha, përfshirë këtu edhe ShBA-në, sipas gazetarit Tim Judah.
Judah ka vënë në dyshim investimet amerikane në Ballkan pas pandemisë, të premtuara nga ambasadori Richard Grenell.
Ai thotë se do të jetë e vështirë që BE-ja sërish ta marrë përsipër dialogun, porse jo edhe e pamundur.
Sipas tij nuk duhet të vihet theksi te Lajçaku e te Borrelli në aspektin se vendet e tyre nuk e njohin Kosovën.
“Dhe nuk mendoj se duhet t’i vëmë tepër theks faktit se Lajçaku vjen nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën, sikur edhe Borrell. Mendoj se ata do të bëjnë atë që do BE-ja. Por, ajo që unë e mendoj, dhe po flas si të ishim në momentin e para dy muajve, është me rëndësi që kjo të kuptohet. E gjithë bota do të jetë ndryshe kur kjo të mbarojë. Ne nuk e dimë se çka do të ndodhë. Nuk e dimë se si do të duket bota, kur virusi korona të ketë marrë fund. Gjithçka mund të jetë ndryshe, radikalisht ndryshe”, ka thënë Judah.
Sipas tij kjo nuk është e lidhur drejtpërdrejt, por ka studiuar kohët e fundit, dhe ka shkruar gjatë vitit të fundit për depopullimin demografik.
“Dhe, në Kosovë, për shembull, dhjetëra-mijëra njerëz, në dy dekadat e fundit, por posaçërisht në disa nga vitet e fundit, janë larguar nga Kosova dhe kanë shkuar në Gjermani. Dhe Austri e vende tjera. Nëse ekonomitë e Gjermanisë dhe Austrisë po zmbrapsen për 5 % apo 10 % apo sado që do të jetë, këta njerëz do të kthehen. E gjithë bota, gjithçka do të jetë ndryshe, dhe potencialisht e gjithë bota do të jetë ndryshe”, ka thënë Judah.
E sipas tij tani vështirë se mund të realizohen edhe premtimet e Grenellit për investim ekonomik në Ballkanik, kjo pikërisht për shkak të krizës ekonomike që pritet ta kaplojë botën.
“Grenelli fliste për shumëçka, për paratë që do të vijnë në Ballkan, në Serbi dhe në Kosovë, në rast se ka marrëveshje. Po unë mendoja: ‘Je i sigurt ti për këtë?’ Kjo ndoshta ishte e mundur para dy muajsh, por tani këto të holla do të jenë aty, kur kjo të marrë fund? Unë vërtet nuk jam i sigurt. Nëse qeveritë në vendet më të pasura qysh tash duhet të subvencionojnë punëtorët që kanë mbetur pa punë, apo që janë në pushime të detyruara, vërtet nuk e di se sa para do të mbeten për ta ndihmuar Kosovën dhe për ta ndihmuar Serbinë”, ka thënë Tim Judah në Desku.
Sipas tij ky premtim ishte shumë i rëndësishëm për Vuçiqin e Thaçin.
“E dini, për aq sa di unë, e besoj premtimi i këtyre të hollave ishte shumë i rëndësishëm, për zotëri Vuçiqin posaçërisht, mbase edhe për zotëri Thaçin po ashtu. Por, them, me gjasë, nuk do të mbeten para. Ishte në rregull të flitet për linjë ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, por këto linja ajrore mund të mos ekzistojnë pas një muaji. Bota do të jetë ndryshe”, ka thënë ai.
E kjo sipas tij është paksa sikur të përpiqesh të parashikosh diku në vjeshtën e vitit 1914 dhe të flasësh se si do të jetë pas luftës, kur ata mendonin se lufta do të ketë përfunduar deri në Krishtlindje.
“Nuk e dimë. Të gjithë jemi në terr këtu. Dhe po e diskutojmë këtë këmbim tokash, marrëdhëniet me Serbinë, thua se gjithçka ashtu si para dy muajsh. Vetëm ju them, bota ndodh se do të jetë shumë ndryshe kur të dalim prej kësaj. Kush e di se si do të duket. Një nga pyetjet është edhe ajo se çfarë lloj Bashkimi Evropian do të mbetet pas kësaj pandemie. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me të hollat që supozohet se do të investoheshin në rajon, por ka të bëjë edhe me perspektivën e integrimit evropian, që është me rëndësi jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për vendet tjera të rajonit”, ka thënë Judah.
E sipas tij edhe pa epideminë, edhe pa të, vetëm imagjinojeni që s’ka epidemi, BE-ja tashmë po ndryshonte.
“Britania është larguar, apo është në procesin e tranzicionit, është në proces të largimit, dhe ende po flasim për integrime evropiane. Në fakt, çka ndodh në pjesë të BE-së është më shumë një lloj integrimi ballkanik. Kjo do të thotë që kemi më shumë qeveri autoritare në Hungari, jemi duke lëvizur drejt një forme të autoritarizmit apo joliberalizimit në Poloni, që do të thotë se ato po duken shumë më shumë si Ballkan, sesa që Ballkani duket ashtu si supozohet se duhet të jetë Evropa, ashtu si ne e imagjinojmë që Evropa duhet të jetë. E dini, nuk ka një lloj modeli të BE-së. Supozohet se ka një model, por nuk ekziston një BE në sensin e vërtetë më. Andaj ne nuk e dimë. Nuk e them se BE-ja do të kolapsojë, apo diç të ngjashme. Vetëm them se gjërat po ndryshojnë dhe ne nuk e dimë se si do të duken ato”, ka thënë Judah.
Ai shton se është për keqardhje që aq shumë kohë është humbur në Ballkan në 20 vjetët e fundit.
“Kemi mundur, vendet e Ballkanit kanë mundur të jenë shumë më përpara, të avancuara në integrimin e tyre evropian. Dhe ato nuk kanë agjentë të vet, nuk kanë aftësi për t’u dhënë formë gjërave. Nganjëherë mendoj që vendet e Ballkanit janë sikur – nuk dua të tingëlloj i pasjellshëm – por nganjëherë më duket sikur vendet e Ballkanit janë si fëmijë të vegjël që janë në ulëset e prapme të veturës, dhe veturën e ngasin gjermanët, francezët, nga vendet e mëdha, dhe nëse vetura rrëshqet nga rruga nuk ka gjë që fëmijët mund të bëjnë”, ka thënë Judah.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66