Enver Robelli
Në fund të gushtit 2019 Isa Mustafa njoftoi opinioni si vijon: “Vjosa (Osmani) është kandidatja e parë grua që nominohet për pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë. E arsimuar dhe e përgatitur në Kosovë dhe SHBA. E re. Por, me përvojë shtetërore e parlamentare për t’u përballur me sfida të mëdha dhe shumë serioze. (…) Një grua; një nënë e re, e përkushtuar për familjen dhe vendin e vet, që ka guxim dhe kurajë të përballet me valët e trazuara të qeverisjes së keqe e të kapjes së shtetit, meriton mbështetje të gjerë e të parezervë qytetare”.
Më 20 prill 2020 Isa Mustafa mban mbledhje “me kryesinë e ngushtë” dhe e përjashton me qasje autokratike Vjosa Osmanin nga kryesia e LDK-së. Tash Vjosa Osmani, pasi i ka sjellë votat, nuk i duhet Isa Mustafës dhe “kryesisë së ngushtë” dhe kryesisht pa vota. “Kryesia e ngushtë” është sinonim për politbyronë e LDK-së. Kjo “kryesi e ngushtë” do të përpiqet që në aleancë me shefin e tyre që e kanë zgjedhur president të tentojnë të qëndrojë në pushtet sa më gjatë që të jetë e mundur, duke i ikur ballafaqimit me verdiktin e qytetarëve. Tash LDK-ja e nëntokës politike nuk ka nevojë për përvojën e Vjosa Osmanit, sepse po i kthehet përvojës së vjetër: patericë e krimit të organizuar dhe sistemit të korruptuar. Por zgjedhjet vijnë më shpejt se ç’mendon “kryesia e ngushtë” dhe mashtrimet e “kryesisë së ngushtë” do të jenë, më së shumti, shembuj të neverisë politike ballkanike. Me këtë “kryesi të ngushtë” LDK përfundimisht shkëputet nga LDK e themeluar më 23 dhjetor 1989.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66