Në një intervistë ekskluzive për “MekuliPress”, gazetari i sportit, Agim Kasapolli, argumenton për vështirësitë e mëdha që pamundësojnë që të lëvrohet një gazetari e mirëfilltë, e drejtë dhe etike.
Z. Kasapolli në këtë intervistë, dhimbshëm, sqaron për gjendjen e mjerueshme të gazetarisë në tërësi, e jo veç në fushën sportive.
Tutje, z. Kasapolli, argumenton për “MekuliPress”, se sikurse shteti, po ashtu edhe Federatat sportive janë të kapura nga, siç shprehet ai, “forcat e errëta politike”. Për MekuliPress, Kasapolli e thotë me modesti se është i vetmi gazetar shqiptar që ka përcjellë 8 olimpiada me mbi 1600 komentime nga ngjarjet më të mëdha sportive botërore. Ndërsa “në vitin 2005 më kanë larguar nga RTK, me arsyetimin se nuk jam gazetar i aftë për ta kryer punën!”, e thotë me zhgënjim, por me dinjitet, babai i gazetarisë sportive shqipe në Kosovë.
Poashtu, z. Kasapolli, këtu shprehet për gjendjen e mjerë edhe në politikën aktuale. Ai tha se ishte shumë e dhimbshme mocioni i mosbesimit i LDK-së ndaj qeverisë Kurti, veçanërisht në këtë situatë kur populli Kosovës dhe popujt anëkënd botës, po përballen me pandeminë.
Më poshtë lexoni intervistën e plotë me gazetarin e mirënjohur Agim Kasapolli:
MekuliPress: z.Kasapolli, jeni ndër gazetarët prej më të mirëve në lëminë e sportit. Kush është angazhimi juaj në këtë periudh kohore.
Kasapolli: Së pari ju falenderoj për mundësinë që më ofruar të shprehem lirshëm në gazetën tuaj.
Jam gazetari sportiv me përvojë më të gjatë, rreth 45 vjeçare. Kryesisht kam punuar në RTP dhe pas luftës kam qenë në Këshillin Koordinues për rihapjen e RTK-së, ku kam vazhduar punën si redaktor i programit sportive deri në vitin 2005. Kam qenë redaktor i gazetës kroate “Sportske Novosti” për pesë vite rresht. Poashtu kam bashkëpunuar me shumë gazeta vendore si Rilindja, Zëri, Bota sot, Koha e cila në fillim u botua si revistë javore e më vonë u bë gazetë ditore.
Jam i vetmi gazetar shqiptar që e kam përcjellë 8 olimpiada me mbi 1600 komentime nga ngjarjet më të mëdha sportive që u zhvilluan në botë. Në vitin 2005 më kanë larguar nga RTK, me arsyetimin se nuk jam gazetar i aftë për ta kryer punën.
Por cila ishte e vërteta e përjashtimit tim nga puna?
Pas largimit të stafit ndërkombëtar, RTK-ja, u katapultu nga ana e SHIK-ut. Këta të fundit, i përjashtuan të gjithë ata që nuk pajtoheshin me politikën redaksionale. Këta, që bën më të zezën për RTK-në, janë edhe sot duke manipuluar me opinionin publik.
Disa u nënshtruan e disa mbetën aty. Ndërsa unë tentova plot katër vite ta kërkoj të drejtën time nëpërmjet proceseve gjyqësore. Në dy instancat gjyqësore dola fitues: në atë komunal dhe në gjyqin e qarkut.
Por e dhimbshmja, ishte se, për t’u dëshmuar se si çdo institucion edhe gjykatat janë të kapura, ishte paraqitja në skenë e ish-kryeprokurorit dhe ish-bashkëpuntori i UDB-së, famkeqi Hilmi Zhitia.
Hilmi Zhitia i cili në Gjyqin Suprem të Kosovës kërkon mbrojtje të ligjshmërisë dhe revizion, që është sui generis në kontekstin për marrëdhënie pune, në kohën kur në RTK-së, hajnia, nepotizmi dhe animi i haptë për kapsit e shtetit lulëzoi.
Nga ana tjetër, Gjyqi Suprem i anulon dy vendimet gjyqësore dhe unë për pesë vite para pensionimit ngela në rrugë si “gazetar i pa aftë!?”
Për t’i dëshmuar ish-milicit dhe ish prokurorit Zhitia që unë di ta kryej punën me korrektësi, vendosa të punoj në “Tv-Rrokum”.
Në këtë medium për pesë vite punova në mënyr të pavarur. Por në momentin kur ky televizion, përkatësisht kur pronari i këtij mediumi u dekorua nga Hashim Thaçi, unë vendosa ta braktisi punën sepse unë nuk e pranoi Hashim Thaçin si president të vendit tim.
Për interesat e sportit kosovar vendosa të vazhdoj karieren në T7 dhe besoj se senzibilizimin e sportit kosovar dhe pisllëqet që ndodhnin në KOK-së dhe Federata i pasqyrova në mënyrë reale.
Për shkak të politikës programore që në kohë të fundit zbaton ky televizion, vendosa që ta braktisi edhe këtë vend pune. Megjithatë, jam krenar që gjatë periudhës 45 vjeçare, kurrë nuk kam pranuar të punoj me direktiva të dikujt, e aq më pak me direktiva të territ.
MekuliPress: Nëse nuk je aktiv, është problemi të mediat apo ka ndonjë problem të natyres tjetër?
Kasapolli: Në Kosovë, çdo gjë e ka humbur arsyen. Analfabetizëm i madh po shprehet në mediat e mercenarëve të cilët janë dhe po paguhen nga taksapaguesit në mënyrë indirekte.
Ja për shembull shiko cilat media kanë përfituar para të shumëta nga Vala. Pse Gazeta ku ti punon nuk merr para nga Vala? Këtë krizë të madhe morale po e shohim gjithkund e kudo. Madje, së fundmi, po e shohim edhe në debatet televizivie ku shfaqet hapur animi i paskrupullt i (b)analistëve me tituj të “aksham pazarit”. Këta, po po këta, na e kanë gërdit profesionin e shenjtë të gazetarisë. Kësaj flliqtie, po i prinë RTK-ja.
MekuliPress: Sidoqoftë, sipas jush, a janë duke e bërë punën mirë gazetarët sportiv?
Kasapolli: Gazetaria Sportive, dhe për fat të keq jo vetëm sportivja por gazetaria në tërësi, në Kosovë ka vdekur. Shumica prej gazetarëve, mjerisht, janë bërë rekrutë të politikës. Të kujtojmë punësimet lidhje e palidhje në RTK, nga njerëzit që janë në strukturat e larta të PDK-së.
Ndërkaq gazetarët tjerë, ndoshta edhe pa dëshirën e tyne, janë në shërbim të disa oligarkëve. Këta të fundit që marrin direktiva nga Klani Pronto.
Më tej, shoqata e gazetarëve sportive të Kosovës, janë tërësisht në shërbim të KOK-së dhe disa Federatave, tashmë, fundamentalisht të korruptuara. Për fat të keq, sot, edhe në gazetarinë sportive është me rëndësi të jesh në shërbim të atyre që janë në krye të shoqatës. Persona të cilët, janë në shërbim të atyre që e shkelën shtetin në të gjitha mënyrat që dy dekada rresht.
Nisur nga kjo situatë, pra, meqë që dy dekada nuk ka ndryshim në KOK, dëshmon se një armatë e tërë e rinisë sonë është në mbikqyrjen e rreptë të atyre që, siç e thashë, e kanë shkel shtetin.
MekuliPress: Keni qenë gjatë në RTP, pastaj në RTK, e përmendët përjashtimin tuaj nga RTK që në fakt pak kush ka qenë në dijeni për këtë. Më thuani: cila është situate aktuale në RTK nga ajo çfarë sheh dhe dini ju.
Kasapolli: Përdoruesit e shpikjes së Johanes Gutenbergut duhet t’i kenë patur disa qëllime fisnike kur shtypën se pari pamfletët politike. Shpërndarja e ideve reformiste përmes metodave, aso kohe modern, ishte presioni mbi ndryshimin apo përmirësimin e sistemit politik. Kështu pra, media, në gjenezë, lindi si nevojë për korigjimin e pushtetit.
Këtu në Kosovë, për fat të keq, kemi një paradoks të fuqishëm. Kronologjikisht lindi e para media, e më pas pushteti. Më kujtohet mirë në vitin 2000, po sa u hap RTK-ja, Komisionari i atëhershëm për Media Bob Zhilet, vinte gjobat e para për ato media që shkelnin etikën gazetareske. Dy vite më vonë u konstituuan Institucjonet e Përkohshme Vet-qeverisëse të Kosovës të njohura si IPVQ.
Ndërkohë që, pushteti i atëhershëm, nxitoj që RTK-së, në udhëheqësi, t’i sjellë njerëz me të kaluarë të dyshimtë e më vonë të dëshmuar se kishin një të kaluar të zymtë. Këta bënë diferencime të mëdha që, ata që e kapën shtetin, të kishin mundësi t’i shantazhojnë.
Kësisoj, që nga vitet e pasluftës, RTK-ja, e ka kontrollin e rreptë nga nomenklatura e PDK-së.
RTK-ja, është opozita më e egër e Qeverisë Kurti. Mjafton të shohësh si nuk ka gjë që qeveria Kurti të bëj, e të mos paraqitet nën dritën sa më të errët të mundshme.
A mos po e merr RTK-ja përsipër të realizoj agjendën e errët të ish-pushtetarëve?
Këtë monstrum të madh, pra RTK, i cili harxhon mjetet marramendëse të taksapaguesve, ku i ka të punësuar më tepër se një mijë veta, i cili shërbeu pushtetit të errët, duhet që të mbyllet për një periudhë të caktuar kohore. Në mënyrë që të filtrohet, thënë më së buti. Kështu ka ndodh edhe në TV5 franceze kur gjërat u banalizuan skajshmërisht. Edhe në RTK, është domosdoshmëri të ndodh spastrimi. Gjithnjë nëse dëshirojmë që të kemi televizion në shërbim të popullit, e jo populli të jetë në shërbim të halabakëve që i shërbejnë kastët politike të korruptuar.
MekuliPress: Çfarë mendimi keni për gazetarinë në tërësi dhe cila do t’ishte porosia juaj për ta?
Kasapolli: Kodi i Etikës në Gazetari është të respektoj moralin e shoqërisë, doket, zakonet, traditat apo mënyrat e sjelljes të vendosura nëpër etapa të zhvillimit. Ku e mira ndahet nga a keqja dhe e bukura nga e shëmtuara. Moralin e shoqërisë e mbron vetë shoqëria, duke u nisur prej qelizës së saj, familjes. Por e mbron edhe shteti ligjor i cili ushtron sanksione nga çdo shkelësi.
Në Kosovë, mjerisht, nuk ka shtet ligjor. Prandaj edhe ka mbizotëruar kaosi edhe në gazetari.
Në gazetarinë që po zhvillohet sot, nuk njihet kodi i etikës. Ai është zëvendësuar me kodin e paftyrësisë duke e shoqëruar me shpifje, zhurmë dhe propagandë.
Numri më i madh i gazetarëve në Kosovë vijnë nga shkollat e “artistëve” dhe nga shkollat e profesorëve të aksham pazarit që janë analfabet funksional (me disa përjashtime). Prandaj e kemi këtë gazetari, sepse i padituri lehtë nënshtrohet dhe bëhet roktar i dreqit. Balzaku thotë: Nënshtrimi është vetëvrasja e përditshme.
MekuliPress: Ku është sporti kosovar sot e kësaj dite?
Kasapolli: Sporti është pjesë përbërëse e shoqërisë. Ne jemi populli me moshë mesatare më të re në Kontinentin e Evropës. Por, fatkeqësisht, edhe këtu, pra edhe në sport, ka depërtuar politika përgjithësisht e zymtë, e errët e pistë. Kjo ka në kontroll KOK dhe Federatat.
Ka shumë keqpërdorime me paranë publike. Për plot dy dekada rresht bëhen raporte financiare të improvizuara. Udhëtime të kota të delegacioneve. Gjitha këto me paranë publike. Me paratë që nuk janë të vetat. Kjo është e tmerrshme. Kjo të çnderon. Të çmend e të huton. Në Rio të Brazilit, Kosova e pati delegacionin më të madh në botë përballë numrit të sportistëve. Kemi kryetar të Federatave që janë të dënuar me burg efektiv dhe mbajnë funksione. Ku dreqin në botë të qytetëruar ndodh kjo? Kryetari i KOK, ishte i dënuar me 4.5 vite burg për keqpërdorime financiare dhe ai krokosh është që në 20 vite në krye të Institucionit.
Sidoqoftë, ata që janë mburrja e vendit tonë janë sportistat. Xhudoja i prinë sukseseve marramendëse. Kemi kampion olimpik, botëror dhe evropian.
Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distrije Krasniqi dhe Akil Gjakova etj. Suksesi i tyre është rrjedhë e punës profesionale të trajnerit Toni Kuka dhe të tjerëve.
Sekreti i sukseseve i tyre është puna në kontunitet disa vjeçare. Punë dhe ndershmëri në punë. E jo punë shkel e shko. Prandaj, duke punuar strikt dhe me nder, s’ka si të mos ndodh suksesi.
Nga ana tjetër, diaspora shqiptare na solli djemt tanë që futbolli ynë të bëhet ngjarje botërore. Ndërsa klanet e organizuara kriminale duke u fshehur prapa sukseseve të atyre që i ceka veprojnë me zell si bartës të zhbërjes së pa riparueshme mbi sportin tonë.
MekuliPress: I nderuar Kasapolli, si do ta vlerësonit situatën aktuale politike në vend?
Kasapolli: Sipas mendimit tim, situate politikë në vend, kurrë nuk ka qenë më e tensionuar por njëkohësisht kurrë nuk ka qenë më shpresdhënëse. Me ardhen e koalicionit LDK-VV në qeveri, populli ishte ai që e bëri të qartë vendosmërinë për ndryshim rrënjësor. E pamë kur edhe Kryeministri Kurti, ditën kur filloi punën, filloi edhe realizimin e premtimeve. Këto ishin arsyet që, në fakt, as në ëndrrat më të këqija nuk mendohej se LDK-ja do të lëkundej e do të tërhiqej nga koalicioni. Krejtësisht veprim i pakuptimt, banal dhe irritues.
Ndoshta frika se do t’i vijë rradha e peshqive të mëdhenj të LDK-së për veprimet korruptive të së kaluarës, respektivisht gjatë tri mandateve. Ndoshta përgjegjësia e Isa Mustafës për fondin e tre përqindëshit, respektivisht avullimin e mjeteve të Dardania Bankës. Të gjitha këto, duke shtuar edhe përkushtimin e paparë gjerë më sot të kryeministrit Kurti për të bërë punë, puçi politik ishte i paevitueshëm.
Arsyetimet e LDK-së për shkarkimin e Agim Veliut ishte i ngutshëm apo mosheqja e taksës së menjëhershme ndaj Serbisë po na prish marrëdhëniet me SHBA-të, janë dokrra fëmijësh, përkatëisht një broçkurr, që për fat të mirë, më s’po e ha pazari. Thënë ndryshe: Populli asht kfill.
E dhimbshmja, e tmerrshmja, e rënda dhe skandali më i madh në këtë kohë, ishte se mocioni i mosbesimit, paturpësisht ndodhi në periudhën e pandemisë. Këtë populli shqiptar, respektivisht ai në Kosovë, nuk do ta harroj. Kjo po dëshmohet në sondazhet, sipas së cilave, po rezulton se VV, në zgjedhjet e ardhshme të qeverisë me popullin do të arrinë mbi 51% të votimeve.
Në Kosovë, është fat që ka njerëz akoma që sot e kësaj dite, duan dhe do të udhëheqin vendin me fisnikëri drejt sfidave të reja që paraqiten, Brenda dhe jasht. Dëshmia e gjallë e kësaj që po them, është kryeminstri Albin Kurti, i cili për më pak se dy muaj, bëri më shumë se të gjitha kundërshtarët e tij. Do ta përfundoj përgjigjen e kësaj pyetje me një thënie të George Orëell: Një popull që zgjedh në krye të vendit njerëz të korruptuar, hajdut dhe maskarenjë nuk është viktim por bashkëpunëtor i tyre.
MekuliPress: z.Kasapolli, a keni qenë, jeni apo do të jeni pjesë e ndonjë partie në të ardhmën?
Kasapolli: Asnjëherë nuk kam qenë, s’jam dhe s’do të jemë pjesë e asnjë partie politike.
Në zgjedhjet e para pluraliste, kam votuar për LDK-në dhe kam vazhduar të votoj për LDK, deri sa ishte Rugova gjallë. Në dy zgjedhjet e fundit kam votuar për Lëvizjen Vetëvendosje. Kam qenë dhe jam për Vetëvendosje por nuk jam në Vetëvendosje.
E dhimbshme që sot po flasim për një qeveri në largim, e cila për 45 ditë bëri më shumë se të gjitha qeveritë bashkë në aspektin e luftimit të korrupsionit. U bënë disa gjëra që qeveritë e mëparshme nuk mendonin t’i bënin, mbase kurrë. Qeveria në largim, nisi t’i adresoj, ndershmërisht, hallet e qytetarëve, aty ku duhet e jo aty ku s’duhet.
Qeveria Kurti doli dhe nisi të jetë ballëhapur edhe kundër Serbisë. E jo kokëulur si të mëparshmit.
Populli më në fund e kuptoi se shpëtimi është Kurti. Prandaj edhe ish-pushtetarët janë në panikë.
E ndëgjova Fatmir Limajn, i cili në mënyrë qesharake, nga foltorja e parlamentit, i tha kryeministrit Kurti se vendi nuk udhëhiqet me libra. Kjo është e tmerrshme, tragjikomike. Unë po citoj Platonin, i cili thotë: “Shteti më i mirë është ai shtet i cili udhëhiqet nga dijetarët dhe filozofët.”
Janë mëse 30 Akademikë e Filozof botëror e çmojnë nivelin intelektual dhe punën e mirë që ishte dhe është duke e bërë kryeministri Kurti, veçmas filozofit ndër më të zotët, slloveni Sllavoj Zhizhek.
Unë dua të besoj dhe jam i bindur që votuesi I Kosovës, sot, do t’i besoj akademikëve e filozofëve, e jo njerëzve të territ.
Intervista u realizua nga gazetari ynë, Valon Rogova.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66