Miliona njerëz nuk mund të udhëtojnë nga një vend në një vend tjetër, edhe pse shumica e tyre kishin bërë planet më kohë, madje kishin nxjerrë edhe biletat. A është kjo një shkelje e të drejtave të njeriut për lëvizje, siç po i interpretojnë njerëzit në Kosovë masat për kufizim të lëvizjes që ka caktuar qeveria?!
A duhet ta padis unë qeverinë kanadeze nëse nuk mund të vij në Kosovë sivjet? Më është cenuar e drejta e lëvizjes në kundërshtim me Kartën për të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën Kanadeze që ka adoptuar ato të drejta. Në Kushtetutë thuhet qartë se është e garantuar e drejta e qytetarit që ai të lëviz lirisht në tërë vendin dhe ta lere atë kur të dojë e të hyjë kur të dojë.
As Kanadaja nuk ka shpalle gjendje të jashtëzakonshme, por ka marrë masa për kufizimin e lëvizjes së njerëzve. Nuk po dëgjoj këtu asnjë debat politik, pos informacionit për gjendjen e përditësuar për Covid 19. Askush nuk flet për shkeljen e të drejtës së lëvizjes, por si të kalohet sa më mirë kjo situatë pandemie.
A duhet të bëhet debat për të drejtën e lëvizjes në Kosovë, kur pothuaj e tërë bota është paralizuar?! Apo jemi ne shqiptarët luftëtarët më të denjë të të drejtave njerëzore dhe jemi më të ndieshmit në botë kur ato na mohohen? Apo, mos jemi pak të çuditshëm ne? Një asi populli që është vështirë me na ra në fije!
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66