Fushata që filloi me hashtagun #DuamDebat, që kërkon duel televiziv mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe me liderin e opozitës shqiptare, ngriti çështjen se kush është lideri i vërtetë opozitës shqiptare?
Të parët që u shpallën si opozitë shqiptare ishte Aleanca për Shqiptarë, e cila është në koalicion me partinë në pushtet, Alternativa. Sipas asaj që deklaroi sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Arben Taravari lider i opozitës është lideri i partisë që i takon ai, Ziadin Sela dhe ai duhet të përballet me Ahmetin.
“Ne dhe populli e di se përfaqësues i opozitës është Ziadin Sela, ashtu si populli e sidomos ju e dini se lideri juaj është Ali Ahmeti, a mundet të dalin në debat apo mos duhet të mendojmë që z.Ahmeti ka frikë?! Presim përgjigje dhe ju kujtojmë që duam debat midis z.Ziadin Selës dhe z.Ali Ahmetit! U qartësuat besoj se shumë konfuzë po dukeni këto ditë”, ka shkruar Taravari.
E partia në koalicion me Aleancën për Shqiptarët, Alternativa nuk ka ndonjë emër se kush duhet të jetë lider. Sekretari për komunikim me publikun, Zeqirija Ibrahimi i tha TV 21 se e di vetëm se lider i pozitës nuk është Ali Ahmeti i BDI-së.
“Unë nuk mund të them se kush është lider i opozitës, por e di se Ahmeti nuk është lider i pozitës. Ai është kryetar i partisë shqiptare që ka dalë e para me vota në vitin 2016-të, por në ato zgjedhje ai është delegjetimuar nga votuesit shqiptarë”, tha Ibrahimi për TV21.
Nga ana tjetër nënkryetari i Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi thotë se lider i opozitës është Bilall Kasami. Por edhe BESA është në koalicion parazgjedhor me Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë e cila është në pushtet, por megjithatë Rexhepi thotë se kjo nuk përbën arsye që Kasami të humb opozitarizmin e tij.
“Ne themi se që kryetari i partisë opozitare që ka marrë më shumë vota në zgjedhjet e kaluara, është Lëvizja Besa dhe me këtë zotëri Kasami e përfaqëson bllokun opozitar shqiptar në Maqedoni”, tha Rexhepi
BDI nuk ka preferencë se me cilin duhet të debatojë Ahmeti, por zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani i ka porositur partitë që të ulen dhe të merren vesh se cili është lideri i opozitës shqiptare, megjithëse tha se me këtë debat për duel me Ahmetin është Sela ai që po tenton të faktorizohet.
“Unë e kuptoj zotëri Selën se do të faktorizohet nëpërmjet debatit me Ali Ahmetin, por mendoj se ka rregulla në këtë drejtim. Ne duam të dimë se me kë të diskutojmë. A duhet të shkojmë në bazë të ligjit, i cili thotë se duhet të merren rezultatet e vitit 2016-të, apo duhet vlerësimi të bëhet në bazë të dëshirave të dikujt për t’u faktorizuar”, deklaroi Osmani.
E analisti politik, Robert Nesimi vlerëson se për bazë gjatë përcaktimit të liderit të opozitës shqiptare duhet të merren parasysh rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe të anketave.
“Duke i marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve të fundit, atyre lokale. Fakti se Aleanca për Shqiptarët udhëheqë me disa komuna dhe duke i marrë parasysh anketat e fundit, ku po shihet një luftë e barabartë mes BDI-së nga njëra anë, dhe Aleancës për Shqiptarët nga ana tjetër. Është e qartë se debati pozitë dhe opozitë duhet të bëhet ndërmjet zotëri Selës dhe Ahmetit”, tha për TV21, Robert Nesimi.
Thirrjet për debat televiziv mes liderit të opozitës dhe pozitës shqiptare nisën pasi liderët e opozitës dhe pozitës maqedonase, Hristijan Mickoski dhe Zoran Zaev tashmë disa herë kanë zhvilluar duel televiziv, e i fundit ishte para pak ditësh.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66