Kuqezinjtë koleksionojnë fitoren e 10-të sezonale, pasi mundën bindshëm 4:1 Makedonija Gj.P. në duelin e xhiros së 21-të në LPFMV.
- Shkëndija fiton bindshëm 4:1 duelin si vendas me Makedonija Gj.P.
- Imeri shënoi dy gola, ndërsa nga një shtuan Neziri dhe Zejnullai
- Kundërshtari barazoi provizorisht me Jasharovskin nga penaltia
- Debutuan në ndeshje zyrtare me kuqezinjtë Dallku dhe Neto
Shkëndija koleksionon fitoren e dytë në ndeshjen e tretë të gjysmësezonit pranveror dhe shkurton në 8-të pikë diferencën me vendin e parë. Kuqezinjtë duelin e parë si vendas në vitin 2020 e luajtën pa praninë e publikut, pasi me rekomandim të Qeverisë së vendit FFM vendosi gjitha ndeshjet të luhen pa shikues si pasë parandaluese për përhapjen e koronavirusit.
Shkëndija në këtë duel vinte me mungesa në formacion, pasi shkaku i lëndimeve mbetën jashtë Radeski, Murati e Fazli (ishte në pankinë), ndërsa i pezulluar me 5 kartona të verdhë ishte Çeshmexhiev. Mbrojtësi Dallku ishte titullar dhe debutoi me kuqezinjtë në një ndeshje zyrtare, ashtu si Neto që u inkuadrua në pjesën e dytë.
Takimi nisi me miqtë që kërkonin të befasojnë në fazën e hershme, por pasi amortizuan sulmet fillestare të kundërshtarit kuqezinjtë ngadalë vendosën dominim në terren dhe rastet e krijuara do të sillnin ndryshimin në minutën e 39-të kur Mici asiston, ndërsa me një të majtë precize Omar Imeri zhbllokon rezultatin në favor të tanëve.
1:0 ishte rezultati i pjesës së parë, ndërsa në fillim të fraksionit të dytë Makedonija Gj.P. do të arrinte barazimin provizor. Një aksion i miqve sjell penalti të referuar nga arbitri Meçkarovski, ndërsa nga pika e bardhë i saktë tregohet Jasharovski. Shkëndija nuk u hamend nga goli i pranuar dhe u hodh në sulm duke rikthyer epërsinë pas vetëm 2 minutave lojë. Neziri ndjek mirë aksionin pas goditjes së bllokuar të Totres dhe me një të djathtë të fortë realizon golin e parë sezonal për epërsi 2:1. Ky moment i dha impuls skuadrës që gjeti shpejt të tretin në minutën e 64-t me Omar Imerin, pasi paraprakisht e majta e A. Ibraimit u ndal në shtyllën kundërshtare. Në fund minuta edhe për Neton e Zejnullain me të parin që prodhon disa lëvizje të bukura, ndërsa i dyti sjell golin e katërt në minutën e 80-të pikërisht pas asistit të Valon Ahmedit, gjithashtu i inkuadruar në lojë në pjesën e dytë.
Kështu Shkëndija shkon në kuotën e 10-të fitoreve sezonale dhe vazhdon ndjekjen e vendit të parë, tashmë me diferencën që shkurtohet në 8-të pikë.





SHKËNDIJA-MAKEDONIJA GJ.P. 4:1 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: /
Arbitër: Dimitar Meçkarovski
Golashënues: Imeri 38′ dhe 64′, Neziri 60’ dhe Zejnullai 80’ (Shkëndija), ndërsa Jasharovski 58’ pen. (Makedonija Gj.P.)
SHKËNDIJA: Zahov, Neziri, Krivak, Dallku, Mici, Alimi (Zejnullai 79’), Totre, B. Ibraimi (c), A. Ibraimi (Ahmedi 66’), Imeri, Nafiu (Neto 71’).
Trajner: Ernest Gjoka
MAKEDONIJA GJ.P.: Jovanovski, Kitanovski, Atanaskoski, Liçina, Bozhinovski (c) (Bllazhevski 69’), Robson, Jasharovski, Kovaçev (Mishevski 14’), Filipovski (Tanturovski 46’), Emini, Karvaljo.
Trajner: Naxhi Shensoi
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66