Tregim
VJEDHJA E KALIT TË GJERGJ KASTRIOTIT
(ose vrapimi nëpër tokat e Arbërisë)
Sipas një gojëdhëne apo rrëfenje të pazakontë, nuk di si ta quaj me saktësi, ditën që i mbylli sytë Gjergj Kastrioti, mu në çastin e gjamës së burrave, atëherë kur Lekë Dukagjini po çirrej me britma dhe po i shkulte flokët, dikush ia vodhi kalin kryezotit të Arbërisë dhe nisi udhëtimin e tij nëpër tokat e liruara. Dhe për çudinë e çudirave, që nga ai çast kali i tij fare lehtë kalon nga dora e njërit tek ajo e tjetrit, sikur të ishte ndonjë trofe i lirë, duke e përdorur secili për qëllimet e veta të ulëta. Më e keqja e krejt kësaj ishte se gjithësecili filloi të rrahagjoksej se ishte Gjergj Kastrioti që luftonte me mish e me shpirt për ta mbrojtur Arbërinë. Kështu edhe sot e kësaj dite kali vazhdon pareshtur të bjerë në duart e atyre që shtiren se po e mbrojnë vendin nga pushtuesit, duke e humbur kuptimin dhe vlerën e vet heroike. Për këtë arsye askush më nuk i beson këtij kali të famshëm. Thjesht ka mbetur vetëm emri i Gjergjit që rri si zot i pagojë e i rrejshëm në bishtin e tij. Meqë vetë kryezotit të pakundshok nuk mund t’i ngjajë askush, atëherë u mbetet vetëm kali i tij për t’i ngjarë të gjithë ata që lozin mbi kurrizin e Arbërisë. Dhe ai është bërë një kafshë e pavdekshme që jeton pa e ushqyer kurrë. Ndaj tani mund të thuhet gojaplotas se secila kohë e ka kalin e tillë. Gjithsesi, atë e ka edhe koha jonë. Prandaj ata që e njohin mirë Gjergj Kastrotin, nuk kanë nevojë ta njohin edhe kalin e tij që ka marrë një udhë të mbrapshtë. Fundja, kali nuk e bëri Gjergjin të famshëm, por Gjergji e bëri të famshëm kalin e tij. Tani ka mbetur vetëm kali për t’i hipur secili që nuk vlen as sa muti i Gjergjit.
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66