Nga Xhevdet Shehu
Pas ndonjë muaji, saktësisht më 8 shkurt 2020, Nexhmije Hoxha mbush 99 vjeç.
E në prag të këtij përvjetori ditëlindjeje, Nexhmija i befason dhe i sfidon të gjithë duke botuar librin mbase më të rëndësishëm të jetës së saj.
Libri i sapobotuar i Nexhmije Hoxhës nën një titull sa të thjeshtë, aq dhe simbolik njëherësh: “Përjetime dhe meditime në jetën time politike” është interesant dhe tërheqës për lexuesit e sotëm, të vjetër e të rinj, të majtë e të djathtë në disa aspekte. Është një ngjarje që nuk mund të shmanget kurrsesi. Nga historianët sidomos. Këtë libër e shkruan bashkëshortja e Enver Hoxhës, ish-udhëheqësit të padiskutueshëm komunist që sundoi Shqipërinë për gjysmë shekulli. E shkruan një ish luftëtare antifashiste, ndër të rrallët të mbijetuar sot e kësaj dite. Si grua dhe si antifashiste. Por edhe si gruaja e Enver Hoxhës, që ka ditur dhe di më shumë se ish-udhëheqësit komunistë. Në një farë mënyre ajo është çelësi i shumë enigmave të një regjimi që sot anatemohet maksimalisht, por që edhe nga shumëkush kujtohet me nostalgji. Mendoj se është një ngjarje botimi i kujtimeve të saj. Është një dëshmitare autentike e më së shumë 70 vjetëve të Shqipërisë moderne që flet. Historianët dhe studiuesit që merren me historinë e Shqipërisë moderne do të kenë rastin që nëpërmjet këtij libri të verifikojnë, të krahasojnë dhe të korrigjojnë apo kundërshtojnë shumë pikëpamje. Ky libër mendoj se do t’u vlejë shumë atyre.
Nuk do të jenë të paktë ata që do e kontestojnë. Por mendoj se do të jenë më të shumtë ata që do ta miratojnë, pavarësisht nëse u pëlqejnë apo jo mendimet e saj. Ata që i kanë dy pare mend në kokë do të thonë: Shumë mirë që Nexhmije Hoxha foli. Nexhmije Hoxha duhej të fliste dhe foli! Nuk mund t’ia mbyllë gojën kurrkush. Ajo është një dëshmitare e madhe e historisë moderne të Shqipërisë dhe mungesa e kësaj dëshmie do të ngjallte shumë dyshime.
Unë hyj tek ata që thonë: shumë mirë që na la një dëshmi autentike dhe të patjetërsueshme. Heshtja e saj do të ishte e dyshimtë dhe do të ngjallte më shumë diskutime dhe hamendësime të gabuara se sa vetë botimi i këtij libri.
Për komunizmin shqiptar është folur dhe do të flitet pambarimisht gjatë. Pse erdhi? Kush e solli? Pse Enver Hoxha u bë personifikim i një regjimi aq të diskutueshëm?
Ky është dhe thelbi i librit më të ri të Nexhmije Hoxhës. Nuk mund të vihet në dyshim bindja ekstreme e saj se shoqëria komuniste ishte dhe do të mbetet më e mira jo vetëm për shqiptarët, por edhe për mbarë shoqërinë njerëzore. Indoktrinimi komunist ka një dozë të justifikueshme në historinë që përshkruan autorja në librin e saj që do ta konsideroja testamentar. Por, në zhvillimet bashkëkohore të pas kolapsit të regjimeve komuniste, argumentet janë më së shumti në favor të autores.
Gati një shekull para se shoqëritë totalitare të shfaqeshin mbi glob në format ekstreme që tashmë njihen prej të gjithëve, mendimtari i shquar francez Tokëvil (Tocqueville), shkruante për këto shoqëri: Vullneti i njeriut nuk shkatërrohet por zbutet, përkulet dhe merret në dorë për t’u drejtuar; njerëzit nganjëherë detyrohen për të vepruar, por në përgjithësi pushteti e ndrydh veprimtarinë e tyre. Ky pushtet nuk shkatërron por parandalon; nuk tiranizon por ushtron presion; ul energjitë dhe dobëson, i zë frymën dhe e dërrmon popullin deri sa ai të zbresë në gjendjen e një kopeje kafshësh pune kokulura, bari i të cilave është në duart e qeverisë.
Kështu shkruante Tokëvil më 1840, tetë vjet para se K. Marksi dhe F. Engelsi të publikonin të famshmin Manifesti i Partisë Komuniste…
Përse në Shqipëri regjimi komunist e pati jetën më të gjatë se në vendet e tjera europiane dhe përse lëvizja antikomuniste vonoi aq shumë? Aq më tepër kur pohojmë se në Shqipëri komunizmi ishte më i egër se në çdo vend tjetër të Europës? Shteti totalitar është i keq, nënvizon politologu amerikan Robert Nisbet, por ne thjesht gënjejmë veten po të mos pranojmë se në të ka elementë të një racionaliteti thuajse shumë të fuqishëm.
Cilët ishin këto elementë të nacionalitetit? Po i referohem Shqipërisë që e njohim të gjithë. Gjatë regjimit diktatorial komunist u bë kapërcimi epokal i zhdukjes së analfabetizmit, deri te arsimimi i gjithë popullsisë dhe ngritja e Akademisë Shkencave dhe universiteteve. U krye një emancipim shoqëror i paparë, lindi dhe u zhvillua një kulturë e re, u bë elektrifikimi i Shqipërisë para shumë vendeve të tjera të zhvilluara. U bë industrializimi i vendit dhe bujqësia u zhvillua si kurrë ndonjëherë. A mund të mohohen këto arritje? U bëmë shtet! Një shtet që na kishte munguar. Dhe nga mungesa u bëmë jo vetëm të përfillshëm, por edhe me një autoritet të pashmangshëm botërisht.
Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që e ka jetuar atë kohë dhe të mund të mohojë ato arritje që u realizuan me aq shumë mund e sakrifica.
Shtet i diktaturës së proletariatit, sipas ideve të Marksit dhe Leninit? Natyrisht. Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë ideologjia më përparimtare e kohës. Për dekada me radhë. Këtë komunistët nuk e kanë mohuar asnjëherë. Madje vitet e fundit nuk janë të paktë edhe filozofët më në zë të kohës (Sllavoj Zhizhek, për shembull) që mendojnë se pavarësisht një dështimi të përkohshëm, komunizmi vazhdon të mbetet një shpresë e madhe për njerëzimin.
Nuk e mohon as Nexhmije Hoxha në librin e saj të sapobotuar.
***
Nuk po mbroj aspak Nexhmije Hoxhën në këto që po shkruaj.
Më duket në kufijtë e së pamundurës t’i bëj apologjinë mendimeve dhe ideve që Nexhmije Hoxha bën në këtë libër që sapo ka rënë në duart e lexuesve. Fatmirësisht edhe në prag të një shekulli të jetës së saj, ajo është në kthjelltësinë e admirueshme t’i bëj bëjë vetë apologjinë sa regjimit komunist, Enver Hoxhës, por edhe vetes së saj.
Ky libër është një apologji e komunizmit. Me një nëntekst të dukshëm se ëndrra komuniste nuk ka vdekur as në Shqipëri dhe as në botë… Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Nexhmije Hoxha si askush tjetër në këto 30 vitet e fundit me këtë libër ka bërë të pabërën si asnjë ish-udhëheqës tjetër komunist i kohës. Ia ka kaluar edhe Ramiz Alisë, pasardhësit të Enverit. Pa le më ish-udhëheqësve të tjerë komunistë, ish-anëtarëve të Byrosë Politike që jo vetëm nuk shkruan asnjë rresht, por edhe që ikën nga kjo botë sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.
Nexhmije Hoxha ka botuar gjashtë libra brenda 20 viteve të fundit. Një në afro tre vjet. Por pa asnjë dyshim ky është libri më i kompletuar i saj, pavarësisht se lexuesi do të priste shumë më tepër se kaq. Por më shumë se lexuesi, autori (në këtë rast autorja) i ka menduar shumë më thellë se çfarë duhet të thoshte dhe sa duhej të thoshte.
***
Është një histori mbi 70-vjeçare që përfshihet në këtë libër rreth 500 faqesh. Si mund të përmblidhej një nga periudhat më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë brenda këtyre faqeve? E pamundur! Autorja thjesht është përpjekur dhe ia arriti të japë dëshminë e saj përmbledhtas dhe kjo mendoj se është e mjaftueshme që ajo të meritojë sa mirënjohjen aq dhe vëmendjen e historianëve dhe studiuesve të kësaj periudhë që ajo përshkruan në libër. Ajo është sa protagoniste, aq dhe dëshmitare e dorës së parë dhe si e tillë është e besueshme në argumentet që sjell. Dëshmia e saj është e patjetërsueshme.
Një nga datat më të shënuara të jetës së Nexhmije Hoxhës, sikurse e pohon vetë ajo, ishte 23 nëntori i vitit 1941, dita e themelimit të Rinisë Komuniste. Në atë mbledhje ajo takoi për herë të parë Enver Hoxhën, me të cilin u lidh për gjithë jetën.
Dhe Enveri është personazhi kryesor në këtë libër si protagonisti që i dha këtë orientim Shqipërisë. Më pas janë edhe personazhe të tjerë të rëndësishëm që ishin në krah të Enverit në të përpjetat e historisë shqiptare, si Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Ramiz Alia. Nexhmije Hoxha i përshkruan dhe i portretizon ata në këndshikimin e saj, që është thuajse i njëjtë me Enverin.
/Dita
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66