Qëndrimet se gjoja shqiptarët nuk kanë kapacitet ose nuk dinë të udhëheqin me shtet, shqiptarët janë kështu e ashtu(propaganda serbe nxirrte pikërisht këto argumente kundër krijimit të Shqipërisë para një shekulli e ca…!), mund të çojnë në një përfundim tjetër edhe më të rrezikshëm: se Kosova dikur ishte më mirë se tash? Kur? Nën Serbi, në RSFJ?!
Nga Daut DAUTI
- DISKURSI FATALIST VETSHKATËRRUES
Ka kohë që publikun shqiptar është duke e preokupuar stërzgjatja e pakuptimtë e krijimit të Qeverisë së Kosovës. Nga nata në natë zhvillohen debate pa fund në televizionet kryesore të Kosovës, e gazetat janë përplot komente, qytetarët janë gjithë vrer… Gjithkush e potencon fajtorin, dikush njërën, e dikush tjetrën palë, e dikush, atë që duket të jetë më e qëlluar, të dy palët…
Por, lidhur me këtë çështje, e cila papritur doli më e vështirë se të fitohen zgjedhjet ndaj partive të PAN-it, janë edhe disa artikulime të çuditshme, një përhapje defetizmi se nëse nuk bëjnë koalicion Lëvizja Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike, do të shembeshka bota!
Qëndrojnë argumentet e shumta se vonimi i krijimit të institucioneve ka reflekse negative në shumë procese politike por dhe politikat e premtuara në fushën zhvillimit ekonomik, social, kulturor e sidomos ato të pozicionimit ndërkombëtar. Por është e pakuptimtë përhapja e defetizmit se nga kjo qeveri varet ekzistenca e shtetit, ose siç bënte histeri një moderator, i cili i dëshpëruar për mosmarrëveshjet LVV – LDK për krijimin e qeverisë, i mori si shkas që t’u porositë të rinjve se s’u mbetet gjë tjetër veçse të marrin rrugën e mërgimit! Aman more dashamir i Kosovës, po a shkohet në mërgim nëse nuk duan të bëjnë qeveri Isa e Albini? Nëse ata nuk duan, do të gjenden ata që do të duan, të cilët për hir të Kosovës, do t’i lënë anësh inatet dhe karrierat individuale, dhe do t’iu rreken punëve që nuk presin shumë.
E mira e të mirës është që të përfundojë me sukses saga e tyre qeveritare(ndoshta kur gazeta do të dalë në shitje, kjo çështje mund të ketë marrë epilog), por nuk është fundi i botës pse politikanët kokëfortë interesat e tyre partiake i vënë mbi ato të vendit të tyre. Nëse këtë e bëjnë, as që meritojnë të udhëheqin me shtetin.
Nga ana tjetër, më duhet të them se jam kundër atij defetizmi që për shkak të devijimeve të pushtetit në këto dy dekada sa është Kosova jashtë Serbisë, të krijohet aji lloj opinioni për ndonjë predispozicion gjenetik destruktiviteti. Si për shembull, qëndrimet se gjoja shqiptarët nuk kanë kapacitet të udhëheqin me shtet, se shqiptarët janë kështu e ashtu (propaganda serbe nxirrte pikërisht këto argumente kundër krijimit të Shqipërisë para një shekulli e ca…!), që mund të çojnë në një përfundim tjetër edhe më të rrezikshëm, se Kosova dikur ishte më mirë se tash? Kur? Nën Serbi, në RSFJ?!
Sepse, devijimet si këto në të cilat ka kaluar Kosova kanë qenë ose janë ende të pranishme në çdo vend në tranzicion, prandaj në shumë prej tyre, qeveritë rrallë e përfundonin mandatin e plotë. Mos vallë Serbia, Bullgaria, Rumania, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja, po dhe Kroacia apo Hungaria, gjithë fqinjët e shqiptarëve, të kenë pasur më pak devijime të pushtetit të përshkuar me keqpërdorime e korrupsion…? Prandaj dhe pikërisht e ato së pari janë sprovuar disa gjykata speciale për vepra korruptive të pushtetarëve…. Pse, atëherë, mediat dhe politikanët kosovarë nxitojnë aq shumë që ta ngrenë bajrakun për të dalë para të gjithëve, kur këto fenomene janë shoqëruese të tranzicionit të çdo shteti që ka dalë nga sistemi monist? As vendet tjera nuk e kanë pasur lehtë(Bullgaria, psh. ka kaluar në rrugë shumë më të vështirë, kur njerëzit kanë vuajtur për bukë.), as të luftojnë devijimet e veta, por as sot nuk është gjithçka ideale, por ma merr mendja se askush nuk ka qenë aq i marrë sa të përhapë defetizëm se për shkak të pushtetit të keq të apelojë se duhet dikush ta lëshojë vendin e vet. Në proceset shoqërore e ekonomike, nuk shkon gjithnjë sipas dëshirës, por edhe sipas rrethanave objektive, ndërkaq Kosova, e ka pasur atë fatkeqësi që të trashëgojë një zhvillim dhe standard jetësor, nga më të ulëtit në Jugosllavi, por sot me disa parametra mund të gjendet madje para Maqedonisë, e cila ishte më lartë në atë renditje “varfanjakësh” në ish shtetin.
Pastaj të mos harrojmë se përderisa ish-republikat e Jugosllavisë, shumë më herët ia nisin procesit të mëvetësimit dhe zhvillimit, në dallim nga Kosova, e cila një dekadë ishte nën Serbi dhe u pavarësua pas luftës së përgjakshme, e cila doemos do të ishte inhibuese për zhvillim të hovshëm. Në këtë lloj nihilizmi që shpesh është tejkritik, duke akuzuar pushtetarët, që dikur kanë qenë në forcat ushtarake që luftuan për Kosovën, në mënyrë indirekte devalvojnë edhe vlerat e luftës që nuk guxon t’i mohojë askush.
- Qullafkova dhe të vërtetat gjysmake për “shqiptarizimin”
Nuk është mjerim i madh kur ndonjë diskurs politik manipulativ bën për vete shumë njerëz me të pavërtetat. Në politikë manipulimet, për të arritur ndonjë qëllim, nuk janë të panjohura. Në Maqedoni dimë shumë parti që me vite janë shquar për këtë lloj manipulimi. Mjerimi është kur në manipulim kyçen qarqet intelektuale, qoftë me vetëdije duke u marrë me të pavërteta ose gjysmë të vërteta, ose edhe më keq, nga padija që nuk u falet. Po në ç’grup ta futësh një intelektuale me titull shkencor ose anëtare akademie kur flet për “shqiptarizim” të disa komunave ose qytetit të Shkupit? A aq e paditur është ajo? A mendon se në mënyrë administrative mund të ndërrohet harta etnike?
Është fakt se janë bërë disa “vizatime” të hartës së komunave, por ato janë bërë edhe më parë. Halë në sy për këto qarqe është se ndarja territoriale e komunave është bërë pas vitit 2001(edhe pse harrojnë se konflikte të këtilla, edhe më të përgjakshme, ka pasur gjithandej nëpër botë, se nuk i ndodhi vetëm Maqedonisë si “komplot terrorist ndërkombëtar”, siç e përmendin këto qarqe), por të mos harrojmë disa gjëra shumë të qenësishme, e që i harrojnë shpesh edhe intelektualë të kalibrit të shkrimtares dhe akademikes Qullafkova.
E para, si në sistemin komunist, si në pas, disa herë ka pasur ndarje territoriale me numër të ndryshëm komunash, varësisht se çfarë qëndrimi ka mbisunduar në ndonjë periudhë(herë rritej, herë zvogëlohej numri, herë bashkoheshin disa komuna, herë ndaheshin, herë lindnin komuna të reja, e herë shuheshin për t’iu bashkëngjitur ndonjë tjetre). Kështu edhe numri i komunave në Shkup ka ndryshuar. Komuna rurale të Shkupit, për herë të parë janë krijuar në pluralizëm, edhe atë janë ndarë sidomos komuna në mjedise shqiptare(Haraçina, Studeniçani, Saraji, Kondova…). Por, përherë, si dikur si pjesë të komunave urbane, këto vendbanime shqiptare janë konsideruar pjesë të pandara të Qytetit të Shkupit, ndaj dhe çdo pohim se bashkëngjitja e tyre Shkupit paska shqiptarizuar Shkupin, është manipulim. Nuk u sollën ato fshatra nga ndonjë hapësirë tjetër gjeografike, ato gjithnjë kanë qenë këtu dhe pjesë të Shkupit(Madje Qullafkova e përmend, por harron se komuna e Haraçinës që e përmend ajo, po as ajo Studeniçanit, që ajo e harron ta përmendë, nuk janë pjesë administrative e Qytetit të Shkupit, ndonëse gjithnjë kanë qenë pjesë të saj në të kaluarën! Ato dy komuna edhe si bile mund ta rrisin përqindjen e shqiptarëve në Shkup, po nuk janë pjesë e Qytetit!). Njësoj është edhe me Strugën ose Kërçovën, ku dominojnë fshatrat me shqiptarë dhe popullsi myslimane, kështuqë ato gjithnjë kanë qenë të këtyre qyteteve, kurse për shkak të funksionalitetit, është menduar se duhet të ndahen në komuna, disa prej të cilave pastaj u janë kthyer si vendbanime këtyre qyteteve.
E dyta, këto qarqe shkurtpamëse ose “mospamëse”, harrojnë për proceset migrative para dhe pas luftës së dytë botërore, në drejtim të Shkupit dhe në drejtim jashtë Maqedonisë. Sot Shkupi ka një pamje demografike tërësisht të ndryshuar nga Shkupi “i vjetër”, sepse në Shkup është pothuajse gjysma e Maqedonisë, e që nuk bien në grupin e “shkupjanëve të vjetër”, për çka flasin regjistrimet e mëhershme. Numri i atyre që kanë ardhur nga pjesët tjera të Maqedonisë, është shumë më i madh se i shqiptarëve “ardhacakë”!
E treta, edhe më shtrembëruar paraqitet shpesh e vërteta e ardhacakëve kosovarë(përmenden 150 mijë në diskurs manipulativ!), që dikush u paska dhënë shtetësi maqedonase, ndërkohë që dihet se lëvizjet migrative kanë qenë brenda një shteti(Jugosllavi). Ajo që më së shumti heshtet, është se është numri jo i të ardhurve nga Kosova, por ai i të shpërngulurve me dhunë nga Maqedonia për në Turqi. Lëvizjet migrative në perëndim nuk po i përmend, se ai është bërë për motive sociale, dhe i ka përfshirë gjithë etnitetet, por po të shikosh Manastirin, Prilepin, a Velesin… shumë qartë shihet se numri i kujt është zvogëluar më së shumti. Shpërnguljet masovike për Turqi dhe këto për motive sociale në perëndim, e kanë ndërruar rrënjësisht hartën demografike, ku më së shumti e kanë pësuar shqiptarët. Pa këtë komparacion çdo debat është i njëanshëm, ndërkaq akademike Katica Qullafkova dhe shumë të tjerë, si njerëz që merren me shkencë ose punë intelektuale, nuk duhet t’i mbyllin sytë! Mirëpo, ata i mbyllin dhe vazhdojnë përpjekjet e tyre që sajesa politike t’i mbulojnë me argumente “shkencore”!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)
Notice: Trying to access array offset on value of type null in /home/customer/www/a-news24.com/public_html/wp-content/themes/goodnews5/framework/functions/posts_share.php on line 66